Ballina Sport Argjentina shpall tri ditë zie për Diego Armando Maradonën

Argjentina shpall tri ditë zie për Diego Armando Maradonën

11
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Argjentina ka shpallur tri ditë zie pas vdekjes së legjendës së futbollit Diego Maradona. Ai vdiq të mërkurën në moshën 60-vjeçare, pas një sulmi në zemër.

Mijëra qytetarë u mblodhën në Beunos Aires më 25 nëntor për të kujtuar futbollistin që çoi në fitoren e Argjentinës në Kupën e Botës më 1986.

----

Presidenti argjentinas, Alberto Fernandez shpalli tri ditë të zie, ku qytetarët do të kenë mundësi që të shprehin nderimet e tyre pranë arkivolit të Maradonës, i cili do të vendoset në Pallatin presidencial.

Maradona së fundmi kishte pasur probleme shëndetësore, ku kishte kryer edhe një operacion pas mpiksjes së gjakut në tru. Sipas avokatit të tij, legjenda e futbollit vdiq në shtëpinë e tij pas një sulmi në zemër.

Prokurori publik Jon Broyard tha se vdekja e Maradonës kishte “karakteristika të një vdekje natyrale”, por ai tha se do të kryhet autopsia. Argjentina është shteti që ka ndër shpërthimet më të këqija të koronavirusit në Amerikën Jugore, ku mbi 1,3 milion raste janë raportuar deri tani dhe mbi 37,000 viktima.

Futbollisti argjentinas Lionel Messi tha se vdekja e Maradonës është një ngjarje e trishtueshme për të gjithë argjentinasit dhe për futbollin.

“Ai na la ne, por ai kurrë nuk do të largohet sepse Diego është i përjetshëm”, tha Messi.

Papa Françesku, që është argjentinas dhe fans i futbollit tha se “po e kujton atë në lutjet e tij siç ka bërë edhe gjatë ditëve të kaluara kur ka mësuar për gjendjen e tij”, tha zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni.

Maradona kishte udhëtuar drejt Romës disa herë, ku kishte marrë pjesë në ndeshje bamirëse, ku të ardhurat e mbledhura kishin shkuar për bamirësi, për arsim në vendet e zhvilluara dhe për viktimat e tërmetit të vitit 2016 në Itali.

Për shkak të talentit të tij të jashtëzakonshëm, të shfaqur që në moshë të re, Maradona kishte marrë nofkën “El Pibe de Oro” (Djali i Artë), nofkë e cila e përcolli gjatë gjithë karrierës së tij si futbollist.

Ai nisi të bëhej i famshëm për lojën e tij në lagjet e varfra të Buenos Aires dhe më pas fitoi statusin e ikonë në Argjentinë.

Maradona ka luajtur edhe për Barcelonën dhe Napolin, por karriera e tij ka pasur ulje dhe ngritje, ku përfshihen edhe vitet me abuzim me narkotikë dhe konsumim të alkoolit. Ai më 2000 kishte qenë në prag të vdekjes pasi zemra e tij pushoi së rrahuri për shkak të përdorimit të kokainës.

Në vitet e fundit, Maradona ka qenë trajner i Emirateve të Bashkuara Arabe, Meksikës dhe Argjentinës, por si trajner ai nuk arriti asnjëherë lavdin që e kishte si futbollist.

Në njërën nga çerekfinalet e Kupës së Botës më 1986, Maradona shënoi golat e fitores 2-1 kundrejt Anglisë dhe hyri në historinë e futbollit për dy arsye.

Goli i tij i parë që shënoi në këtë ndjeshje ishte prekje me dorë, gjë që më pas u quajt si “Dora e Zotit” – frazën që vetë Maradona përdori për ta përshkruar këtë gol. Ndërkaq, golin e dytë ai e shënoi, pasi për 60 metra ai kaloi pesë lojtarë të Anglisë dhe ky gol u votua si “Goli i Shekullit” nga Fifa.com më 2002.

Gary Lineker, i cili ishte pjesë e ekipit të Anglisë që u mposht nga Argjentina më 1986, shkroi në Twitter se padyshim që Maradona ishte futbollisti “më i mirë i të gjitha kohrave”, por ai bëri një referencë për golin e famshëm, që Maradona shënoi me ndihmën e dorës, duke shtuar: “Pas një jete të bekuar, por të trazuar, shpresoi që ai më në fund të gjejë ngushëllim në duart e Zotit. Pusho në paqe Diego”.

Së bashku me futbollistin legjendar brazilian Pele, Maradona ishte po ashtu fitues i çmimit të Futbollistit më të mirë të shekullit 20 të shpallur nga FIFA.

“Është lajm i trishtueshëm humbja e një miku të tillë”, tha Pele, 80 vjeç teksa foli për vdekjen e Maradonës, duke shtuar se “padyshim, një ditë do të luajmë futboll së bashku në parajsë”.

Edhe figura të tjera të sportit në mbarë botën kanë nderuar figurën e Maradonës.

----- ----