Ballina Lajme Bota/Rajoni ANALIZA: Të kuptosh pozicionimin e Turqisë

ANALIZA: Të kuptosh pozicionimin e Turqisë

16
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Geopoliticus

Të kuptosh Turqinë do të thotë t’i njohësh transformimin e nisur në më pak se 2 shekuj më parë me reformat që kanë përcaktuar adoptimin e një koncepti të ri të shtetit, i evoluar më pas me kemalizmin në shtetin – komb republikan. Paskemalizmi reklamon pjesë të trashëgimisë kulturore dhe politike osmane përpara reformave dhe merr instanca shumë divergjuese nga ato tradicionale të republikës, por nuk refuzon as vendin që Turqia ka krijuar në botën perëndimore gjatë shekullit republikan, as rrjetin mjaft të çmuar të aleancave të krijuar në të. “Neo-otomanizmi” e përkufizon në mënyrë të pamjaftueshme pozicionin e kësaj “Turqie të re”.

Me fërkimet në zhvillim në Mesdheun Lindor Ankaraja nuk kërkon konflikte të armatosura, por ndjek objektivin e fitimit të shkallës më të madhe të mundshme të pavarësisë energjitike dhe industriale duke i shmangur me kujdes “efektin Franc Ferdinand”. Për këtë qëllim tenton edhe ta shtrijë influencën e saj mbi pjesën turke të Qipros, objektiv i lehtësuar nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit të mbajtura në pjesën veriore të ishullit.

Veç të tjerash, një politikë e jashtme muskulore shërben për të krijuar konsensus të brendshëm: gjendja e ekonomisë turke është e rëndë, ndërsa zgjedhjet e politikës monetare të dëshiruara nga Presidenca e vendosin vendin përballë nevojës shtrënguese të rikualifikimit përballë komunitetit financiar, duke gjeneruar kështu nevojën e një ripaqëtimi me bashkësinë ndërkombëtare: Ankaraja do të ketë sërish nevojë për investime të mëdha të huaja dhe këto do të ishin pjesë e çmimit që Perëndimi do të duhej të paguante për zgjidhjen e përkohshme të problemeve të Mesdheut lindor, përfshi emigrimet.

Ankaraja sot

Aleancat tradicionale të Turqisë duhet të përfshihen në skakierën epiqendra e së cilës është Bosfori, duke gjeneruar marrëdhënie komplekse me aktorë të ndryshëm. Përkatësia e Turqisë në NATO nuk ka qenë kurrë në diskutim. Po ta braktiste Aleancën, Turqia do t’i jepte vetes një goditje shumë të fortë duke e penguar atë që të përgatiste strategjinë e impenjimit të përkohshëm në fronte të ndryshme, që është ndoshta trashëgimia më jetëgjatë e impiantit teorik në lëmin e punëve të jashtme të adoptuar në vitet e para të qeverisjes së Partisë për Drejtësi e Zhvillim (AKP). Nuk ka asnjë interes në braktisjen e Aleancës as nga përtej oqeanit, me Shtetet e Bashkuara që kanë nevojë për Anakaranë që të mos e lërë Mesdheun lindor nën mëshirën e flukseve ruse, kineze dhe franceze.

Perspektiva me të cilën Turqia po konformon veprimin e saj është e bërjes më shumë se e dobishme, në mos e nevojshme, për numrin më të madh të mundshëm të palëve në lojë, me qëllim që të pengojë një kundërvënie frontale me ndonjë prej tyre. Bashkëpunimi me Rusinë, siç imagjinohet prej disave, nuk mund të evoluojë në përkatësinë e strukturuar të aleancave që e lidhin Ankaranë dhe Moskën me një fill të dyfishtë. Në fakt, ekzistojnë fusha të tjera bashkëpunimi, të tilla si ajo tashmë e maturuar në zhvillimin e teknologjisë bërthamore, partneritet nganjëherë i lartë dhe nganjëherë i ulët nga prizmi eurocentrik, i destinuar që të zgjasë në perspektivë. Strategjia e Turqisë është ajo e veprimit për të krijuar fërkime dhe më pas të ofrojë zgjidhjen e tyre.

Situata ekonomike

Situata ekonomike dhe financiare e Turqisë karakterizohet nga një mungesë rezerve në valutë të fortë dhe nga dobësi në monedhë kombëtare. Politika e saj monetare shpesh është quajtur kontradiktore, duke qenë se tenton në një ruajtje të përqindjeve të ulëta të interesit me qëllim stimulimin e konsumeve dhe investimeve të huaja pavarësisht se zgjedhjet e ekzekutivit turk kontribuojnë në ndërtimin e një konteksti jomiqësor ndaj investitorëve dhe likuiditeti po vjen duke u ezauruar. Kështu, i fortë kontrasti midis kërkimit të një riintegrimi të plotë midis objektivave të portofoleve ndërkombëtarë, që janë në themel të zhvillimit të madh ekonomik të viteve 2003 – 2015, dhe kuadrit pasues të paqartësisë në zgjedhje të politikës së jashtme thellësisht agresive, që i dekurajojnë investitorët. Është politika monetare ekspansive me çdo kusht e presidencës Erdogan, e mbetur e parealizuar deri në reformat e rëndësishme kushtetuese të 2017, që ka mundësuar emërimin e një Guvernatori të Bankës Qendrore më pak të pavarur nga qeveria.

Në gusht, Banka Qendrore e Turqisë ka shmangur rritjen e përqindjeve të interesit, duke i mbajtur në 8.25% për të mbështetur lirën, duke imponuar masa likuiditeti backdoor për të shmangur një rritje të mëtejshme të inflacionit, tashmë shumë i lartë, tjetër objektiv kyç i presidencës turke. Kështu, rrugëtimi i Bankës Qendrore është i “matur”, siç përcillet nga vetë Komiteti i Politikës Monetare i një institucioni të tillë. Formalisht, motivi për të cilin Banka ka optuar për kaq shumë maturi është paqartësia në periudhën e gjallërimit ekonomik pas pandemisë. Një rritje e përqindjeve të interesit, e dëshiruar fuqimisht nga tregjet, është gjë që nuk duket se është në plan. Bilanci aktual tregëtar është negativ dhe do të kishte nevojë për investime direkte të huaja në valutë të fortë për një riekuilibrim të saldove në kahjen pozitive. Megjithatë, këto investime të huaja janë të pakta prej vitesh.

Më 24 shtator, në kundërtendencë, faktikisht Banka i ka rritur përqindjet e interesit me 200 pikë, por në fund të tetorit i ka mbajtur në 10.25%. Gjendja aktuale ekonomike globale nuk sugjeron një lëvizje të tyre në periudhë afatshkurtër. Kështu që Banka Qendrore mund të mos jetë në gjendje në një të ardhme të afërt të pengojnë një dobësim të mëtejshëm të lirës, e cila më 26 tetor ka prekur minimumin historik kundrejt dollarit prej 1/9.57. Mangësia e rezervave monetare ka stimuluar blerjen e arit nga ana e shtetit (tani Turqia zotëron 583 ton ar, kundrejt rekordit të mëparshëm prej 485.20 tonësh) dhe kërkesën për hua në vendet mike. Gadishmëria për t’u ardhur në ndihmë kërkesave turke nuk do ta përmirësojë sigurisht situatën e ekonomise përveçse jo në mënyrë absolutisht të përkohshme, por ndihmon që të kuptohet afërsia me Ankaranë e aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë: gjatë verës Katari e ka trefishuar vlerën e marrëveshjes së currency swap, duke e çuar në 15 miliard dollarë, ndërsa Shtetet e Bashkuara e kanë refuzuar një rritje të ekspozimit të tyre.

Gjysma e borxhit të Ankarasë është në dollarë dhe rreth 200 miliard në obligacione janë në skadim këtë vit. Turqia e ka shmangur kërkimin e ndihmës Fondit Monetar Nëdrkombëtar, që bile mund të ofrojë hua me interesa të ulëta, prej çmimit politik që do të sillte një gjë e tillë: një prapaktheu e pastër lidhur me reformat e ndryshme të adoptuara më 2017 (në radhë të parë pavarësia e Bankës Qendrore dhe e organizmave të garancive kushtetuese) dhe një legjislacion më i ashpër antikorrupsion. Atëhere kur shteti nuk do të mund të lante borxhet e llogaritura në valutë të huaj, rreziku do të evoluonte në atë të degradimit të titujve turq me kërkesën pasuese e kredive me interesa të larta. Një spirale shumë e rrezikshme me reperkusione të forta sociale dhe elektorale. Kërkesa për ndihmë FMN do të ishte një masë e fundit, pasi kostoja politike definitive e saj mund të jetë ajo e dorëheqjes dhe e mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Në tërësinë e saj qeveria e Republikës nuk është edhe aq mendjelehtë sa të mos kuptojë kontradiktën thelbësore e zgjedhjeve të saj. Problemi i menaxhimit të vështirë të financave publike në prani të zgjedhjeve të politikës monetare jokonvencionale kuptohet mjaft mirë nga establishmenti turk.

Fronti i jashtëm

Presidenca mund të jetë duke e adoptuar politikën monetare e taksave të ulëta, përveçse për këmbëngulje ideologjike, edhe me qëllim që të mos e kundërshtojë vetveten dhe prej frikës së një rritjeje të mëtejshme të inflacionit (siç e kemi thënë, tashmë hiperinflacion), por qeveria e vendit, e vetëdijshme për situatën e rëndë, mund të ushqejë shpresën e dhënies fund, duke e kapitalizuar në hopin maksimal që ajo vetë ka ndërtuar: për ta kuptuar konceptin, le ta vëmë në sistem situatën ekonomike me ato në zhvillim në Mesdheun Lindor dhe të hipotezojmë se Turqia dëshiron ta kapitalizojë situatën duke krijuar një situatë me vështirësi në rritje në pikën e takimit midis ekstremit juglindor të Bashkimit Europian e Lindjes së Mesme dhe ta shtyjë thuajse deri në pikën e këputjes, por pa e prekur kurrë atë. Në momentin kur situata duket e humbur, formulohen kërkesa dhe krijohen kështu parakushte për një ftohje, duke propozuar zgjidhje që i garantojnë Ankarasë një avantazh të caktuar strategjik në këmbim të një periudhe stabiliteti. Në rastin në fjalë kërkesat e Ankarasë mund të konsistojnë në:

– rihapjen e kredive pa kushte për shtetin turk,

– njohjen e së drejtës për të përdorur pjesë të rezervave natyrore që e drejta ndërkombëtare ia atribuon Greqisë dhe Qipros,

Gjithçka ndërkohë që Ankaraja zhvillon në mënyrë inteligjente marrëdhënie komplekse me aktorë si Kina, ndaj së cilës ka një shtysë të fortë afrimi dhe ndaj së cilës ushtron të gjithë peshën e saj si vend anëtar i NATO, dhe si Rusia, aleate dhe rivale të cilës nuk dëshiron që t’i lejojë tepër hapësirë në Mesdhe megjithëse duke strukturuar me të një marrëdhënie strategjike me rëndësi të jashtëzakonshme.

Kina ka investuar mjete dhe impenjim financiar të konsiderueshme në ndërtimin e Belt and Road Initiative, që e sheh Turqinë si një një prej ekstremeve perëndimore një rrjeti logjistik të madh që do të duhej ta bëjë Kinën një qendër të re të zhvillimit global. Pekini ka shprehur interesin e tij në Mesdhe nëpërmjet kontrollit të porteve të ndryshme dhe për këtë ka ngjallur reagime nga ana e Uashingtonit, që në Greqi po rifiton terren falë një bashkëpunimi të frutshëm me qeverinë konservatore të Mitzotakis.

Me Athinën në udhëkryq, Anadolli mbetit për Pekinin një pikë e domosdoshme qasjeje. Ankaraja është goxha e vetëdijshme se mund ta përdorë pozicionin e saj dhe synon që të strukturojë me Kinën një marrëdhënie “win-win”. Për të siguruar një rezultat të tillë, ka lejuar ekstradimin e eksponentëve të irredentizmit ujgur dhe njohur formacionet e tij si grupe terroriste. Megjithatë, Turqia nuk do të luante kurrë me Pekinin sipas rregullave të diktuara nga ky i fundit, domethënë nëpërmjet një penetrimi financiar dhe të akademikëve kinezë në territorin turk të pasuar nga një rritje graduale të pranisë në ekonomi, siç ka ndodhur në realitete të ndryshme si Amerika Jugore. Kundër një stërfuqie eventuale kineze, Ankaraja do të shpalosë përkatësinë e saj në Aleancën Atlantike.

Siç e cekëm, me Rusinë raporti është shumë më kompleks. Faktori i blerjes së armatimeve të prodhimit rus, edhe pse i rëndësishëm, është dytësor respektivisht çështjes së bashkëpunimit lidhur me bërthamoren dhe mund të ketë reperkusione të forta edhe në të ardhmen e afërt e marrëdhënieve me Iranin. Turqia shikon tek bërthamorja një instrument të mrekullueshëm sa në ndjekjen e pavarësisë energjitike të saj, aq edhe në faktin e disponimit të një frikësuesi shumë të fortë në rast se do të bëhej e njohur se posedon një bombë bërthamore, pavarësisht nga një vullnet efektiv për ta pasur.

Rusia, fqinj nga i cili nuk mund të hiqet dorë përveçse konkurrent rajonal i Ankarasë, duhet të përballet me një qeveri qipriote në linjë me pozicionet amerikane që kanë vendosur ridimensionimin e shumë aseteve financiare ruse në ishull dhe mosdisponueshmërinë e porteve qipriote për Marinën ruse. Kështu që ajo mund të kundërpërgjigjet duke e njohur Republikën Turke e Qipros Veriore dhe duke përdorur kështu bazat në pjesën veriore të ishullit. Rezultatet e fitores në kutitë e votimit e kandidatit të mbështetur nga Ankaraja e bëjnë Qipron Veriore një aktor më shumë të orientuar nga sa ka qenë në të kaluarën, duke qenë se zgjidhja me një shtet te vetëm të federuar duket se po largohet në mënyrë të pakthyeshme.

Në qeverinë ruse ekziston në fraksion i rëndësishëm proturk ku bën pjesë vetë Ministri i Mbrojtjes Šojgu, i shpërblyer në Turqi nga fraksioni i eurazianistëve, jo domosdoshmërisht prorusë, por sigurisht që tentojnë më shumë në vlerësimin e një afrimi me Rusinë (dhe me Kinën) sesa në qëndrimin e Turqisë në NATO, të cilën e perceptojnë me shumë armiqësi. Eurazianistëve i përket edhe Admirali Gürdeniz, babai i Atdheut Blu dhe i një koncepti strategjik, që pavarësisht se projektohet mbrojtës, e projekton forcën detare turke deri përtej Gjirit Persik.

BE dhe NATO

Gjendja e Turqisë si kandidatë për anëtare e Bashkimit Europian dhe e anëtarit me titull të plotë të Aleancës është asi në mëngë më i madh i Ankarasë, një Europë e përçarë midis interesash të kundërta ekonomike dhe poilitike të anëtarëve të saj e mundëson këtë ndarje të brendshme që përfaqëson aksin e manovrës turke. Berlini do të donte të shërbente si negociator me Athinën, por peshojnë fort sa elektorati gjerman me origjinë turke, aq edhe fakti që Ankaraja është blerësi i tretë më i madh i materialeve luftarake gjermane. Episodi i avionëve S-400 dhe gadishmëria e qeverisë turke në blerjen e mjeteve ruse me superioritet ajror në vijim të përjashtimit nga programi F-35 u sugjerojnë gjermanëve shumë maturi. Athina, që e ka pritur Ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas më 25 gusht, i jep pak kredit proaktivitetit të Berlinit. Italia ka marrë pjesë në shpërndarjen e aseteve drejt Kretës e Qipros me qëllim që të kundërshtojë agresivitetin turk që kërcënon interesat energjitike kombëtare, por mirëmbajtja e Libisë, qeveria Sarraj e së cilës varet në pjesën më të madhe nga Ankaraja, nuk e mundëson një pozicionim të prerë.

Edhe pjesëmarrja në Forumin e Gazit të Mesdheut do të përfaqësonte një rast të mirë për t’u riafruar me Egjiptin dhe konsoliduar pozicionin në një zonë jetike për interesat e saj, por rënia e Gedafit e bën Romën një patë çalamane. Midis aktorëve të mëdhenj europianë vetëm Franca është e vetmja që vepron në kuptimin vërtet proaktiv, nëpërmjet vënies në dispozicion të aseteve të ndryshme aerodetare në mbështetje të Greqisë. Si çdo vend tjetër europian, Parisi ka interes që grupet e tij industrialë dhe energjitikë të operojnë në respektim të marrëveshjeve të marra me Nikozinë dhe fakti që mbështet Haftar në Libi mundëson një impenjim edhe pa rezerva ushtarak. Afërsia e Parisit me Haftar shpjegon pastaj edhe dislokimin – që ka ndodhur në verë – e një skuadrilje interceptuesisht të Emirateve të Bashkuara Arabe në mbështetje të Athinës dhe të lë të kuptosh se, në rast nevoje, ndihma financiare mund të vijë nga Arabia Saudite, tashmë e impenjuar në një proces afrimi me Libanin në vijim të rënies së qeverisë Diab.

Në kohën e duhur, Mbretëria e Bashkua ka mundësi që do të jetë një prej aktorëve më të mëdhenj të krizës në Mesdheun Lindor. Nga dhënia e huave Athinës në heshtjen lidhur me konfliktet detare në zhvillim me Greqinë dhe Qipron, Londra tregon një vullnet për t’ju mos kundërvënë Ankarasë. Duke kritikuar veprimin francez, Ministri turk i Mbrojtjes Akar ka nënvizuar sesi Parisi nuk është midis garantuesve të kushtetutës qipriote të 1960, duke lënë kështu të kuptohet sesi Londra, që i kësaj kushtetute është garante, ka në fakt një peshë të konsiderueshme.

Në këtë kontekst Shtetet e Bashkuara janë një aktor në vështirësi të madhe. Në dialektikën Ankara – Athinë, Uashingtoni ka demonstruar se nuk mund të heqë dorë nga e para. Pesha demografike më e madhe, natyra islamike e vendit (megjithëse politikisht e mohuar nga establishmenti turk deri 15 vite më parë), pozicioni gjeografik dhe projektueshmëria natyrale e tij në zona të ndjeshme me një aparat ushtarak të besueshëm janë asete shumë të rëndësishme në duart e Ankarasë. Raportet midis dy vendeve janë thellësisht ngecura nga momenti i grushtit të shtetit të dështuar të 2016, por marrëdhënia personale midis presidentëve i zbut fërkimet.

Në këtë kontekst, prania e Francës në mbështetje të aksit intrasunit që i kundërvihet Vëllazërisë Myslimane e bën Parisin një konkurrent të bezdisshëm të një Uashingtoni që dëshiron të gjejë rrugëdalje nga Lindja e Mesme, ku ndodhet i ngecur pa dëshirën e tij. Ministri i Punëve të Jashtme Çavuşoğlu e ka stigmatizuar praninë franceze si të prirur ndaj promovimit të forcave të armatosura europiane në dëm të Aleancës Atlantike dhe kështu, sipas mendimit të tij, kundër interesave amerikane. Një mbështetje ndaj vizionit të presidencës aktuale amerikane, e interesuar sa të shkëputet nga një Aleancë nga e cila beson se nuk merr benefit të mjaftueshëm, aq edhe të dobësojë Bashkimin Europian me aksione të ndryshme sidomos në dëm të Gjermanisë.

Konkluzione

Anija kërkimore “Oruç Reis” nuk i ka filluar asnjëherë aktivitetet e saj eksploruese, por e ka shëtitur Mesdheun Lindor me një eskortë të fuqishme ushtarake, shpesh për t’u stacionuar në pjesë deti të kontestuara ku thellësia është e tillë që nuk lejon aktivitete operative. Korporata Turke e Naftës (TPAO) ka komunikuar tashmë se cila do të jetë zona e operacioneve: ajo në lindje të Meridianit të 28, domethënë në lindje të Ishullit të Rodosit. Vështirë të imagjinohet se Turqia synon vërtet të operojë në kuptimin sulmues në një kuadrant ku kundërshtarët e saj do të ishin anëtarë të NATO, pasi pasojat do të ishin të papërballueshme. Pozicionet më të shtyra në favor të një pozicionimi antiperëndimor të Turqisë, ato të eurazianistëve adoptohen nga qeveria pjesërisht dhe vetëm në mënyrë formale, por interesi nuk është ai i ndjekjes plotësisht i politikës së tyre me frymëmarrje të gjerë, por i uljes shpejt në tryezën e traktativave “pa parakushte” duke pasur parasysh sa e rëndë është situata ekonomike, me qëllim që të propozojë ripaëqtimin në shkëmbim të lëshimeve, në radhë të parë në likuiditete.

Athina është përgjigjur se është e gatshme që t’u nënshtrohet juridiksioneve superiore, por pa lëshuar se ka ndonjë gjë për të negociuar, duke pasur parasysh bindjen e saj për të operuar brenda ligjit. Turqia do të goditej nga një efekt bumerang në rast se do të goditej nga dyzime të mëtejshme të gjata pa pranuar një marrëveshje. Në këtë pikë, Ankaraja do të detyrohej që hiqte vëmendjen drejt aktivitetesh të ndryshme, të tilla si spostimi i interesit drejt vendburimeve të sapozbuluara në Detin e Zi apo aktivitete ushtarake të mëtejshme në kontekstin siriano – iraken ose në një mbështetje në rritje për Azerbajxhanin në kontekstin kaukazian. Është e mundur që t’i drejtohet sërish edhe rihapjes së kufijve për emigrantët, duke nxitur kështu hapjen e një tryeze traktativash me Gjermaninë.

Në rast se situata ekonomike në Turqi do të përkeqësohej akoma dhe kjo do të ngjallte alarm në qeverinë turke, atëhere do të ishin të mundshme vetëm 2 zgjidhje: t’i drejtohej FMN ose zgjedhje të parakohëshme. Në të dyja rastet, për motive konsensusi dhe pavarësisht nevojës për çtensionim, politika do të mbesë ajo e provokimit dhe e ruajtjes së atmosferës të një “armëpushtimi të armatosur”.

Përgatiti: Armin Tirana-TemA

---- ----
----
-----
-----