Ballina Lajme Bota/Rajoni ANALIZA: Për të ringjallur zgjidhjen me dy shtete, Evropa duhet të njohë...

ANALIZA: Për të ringjallur zgjidhjen me dy shtete, Evropa duhet të njohë shtetin e Palestinës

14
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Nga Daoud Kuttab, Project Syndicate

Ndërsa po bëhen gjithnjë e më të dukshme konturet e politikës së jashtme të presidentit të ri amerikan Joe Biden, po vazhdojnë të shtohen dyshimet në lidhje me angazhimin e tij ndaj zgjidhjes së konfliktit arabo-izraelit. Dhe këto dyshime ngrenë një pyetje urgjente: A mund ta plotësojë dikush boshllëkun diplomatik që kanë krijuar Shtetet e Bashkuara?

Sigurisht, Biden ka vepruar me shpejtësi për të përmbysur disa nga politikat më skandaloze të paraardhësit të tij. Në më pak se një javë pas inaugurimit të Biden në detyrë, administrata e tij shpalli synimin e saj për të rivendosur marrëdhëniet e SHBA-së me udhëheqjen palestineze, dhe për të rifilluar dhënien e ndihmës për refugjatët palestinezë.

Gjithashtu Biden u angazhua përsëri për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez. Por premtime të tilla të zbehta – bashkë me ngurrimin e dukshëm të Biden për të telefonuar kryeministrin izraelit Binyamin Netanyahu – nuk pasqyrojnë nivelin e interesit ose përkushtimit që do të nevojitej për t’i shtyrë që të dyja palët drejt arritjes së një paqeje të qëndrueshme.

Është e qartë, se udhëheqësit amerikanë besojnë se ata mund të lajnë duart duke vijuar formalisht me retorikën e zgjidhjes me dy shtete. Ndërkohë nuk mund të thuhet e njëjta për Evropën, afërsia gjeografike e së cilës me Lindjen e Mesme, e lë atë të prekshme nga paqëndrueshmëria e rajonit.

Kjo është arsyeja pse në kuadër të Konferencës së Sigurisë të Mynihut vitin e kaluar, ministrat e jashtëm francezë dhe gjermanë iu bashkuan homologëve të tyre egjiptianë dhe jordanezë, për të filluar një dialog me palestinezët. I ashtuquajturi Grupi i Mynihut, po vijon të punojë me palestinezët për të rifilluar bisedimet e paqes.

Pjesëmarrja e Egjiptit në Grupin e Mynihut, pasqyron përpjekjet e saj më të gjëra për të udhëhequr procesin izraelito-palestinez për paqe. Vetëm këtë muaj, Egjipti organizoi një takim urgjent të ministrave të jashtëm arabë, për të diskutuar zhvillimet rajonale dhe politikat e mundshme të administratës Biden.

Pjesëmarrësit theksuan se çështja palestineze, do të mbetet shqetësimi kryesor i të gjitha vendeve arabe, derisa të arrihet një zgjidhje me dy shtete. Po atë javë, Egjipti organizoi një tryezë diskutimi midis partive palestineze rivale, në mënyrë që të ndihmojë në hedhjen e bazave për zgjedhje të suksesshme legjislative dhe presidenciale,që do të mbahen këtë verë në Palestinë.

Në rast se prej tyre do të dalë një qeveri e koalicionit të unifikuar, ajo mund t’i japë fund kontrollit të Hamasit mbi Rripin e Gazës. Por sado të rëndësishme të jenë përpjekjet rajonale, udhëheqja nga lojtarët globalë si Franca dhe Gjermania është thelbësore për të forcuar pozicionin negociues të palestinezëve, për ta nxitur Izraelin drejt një marrëveshje të drejtë paqeje.

Nëse Franca, Gjermania dhe Bashkimi Evropian, dëshirojnë të shfaqin një udhëheqje të tillë, ata duhet të fillojnë duke njohur shtetin e Palestinës. Në dhjetorin e vitit 2014, Parlamenti Evropian votoi në shumicë dërrmuese pro një rezolute që e njeh shtetin e Palestinës.

Parlamentet individuale bënë të njëjtën gjë. Por këto rezoluta nuk ishin detyruese. Dhe ndërsa disa vende anëtare tëBE-së, janë midis gati 140 vendeve të botës që e njohin shtetin palestinez, shumica – përfshirë Francën dhe Gjermaninë – kanë refuzuar deri tani që ta ndërmarrin një hap të tillë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel,thotë se një manovër e tillë “e njëanshme”, do të minonte progresin drejt një zgjidhjeje të negociuar me dy shtete. Po kështu, presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se një “vendim i njëanshëm për ta njohur Palestinën si shtet” nuk do të ishte “efektiv”, duke shtuar se ai do ta njohë një shtet palestinez vetëm kur të gjykojë se ky hap do të jetë “i dobishëm për të ndërtuar paqen në terren”.

Pas 4 vitesh denigrimi të zgjidhjes me 2 shtete – plani i “paqes” i administratës Trump, synonte që Izraeli të aneksonte rreth 1/3 e Bregut Perëndimor – është e vështirë që këto argumente të merren seriozisht. Në fakt, zhvillimet e fundit kanë dobësuar aq shumë besimin tek zgjidhja me dy shtete, sa që një pjesë në rritje e palestinezëve kanë hequr dorë nga ajo, dhe 58 për qind e kundërshtojnë atë.

Në vend të kësaj, po shtohen thirrjet për të drejta të barabarta brenda një shteti të vetëm. Ndërsa numri i hebrenjve izraelitë që popullojnë zonën midis lumit Jordan dhe Detit Mesdhe është më i vogël se i arabëve palestinezë, një “zgjidhje me një shtet”, mund të duket gjithnjë e më shumë si qëllimi më realist për palestinezët.

Shumica e izraelitëve nuk do ta mbështesnin një qasje të tillë, ndërsa refuzojnë gjithashtu mundësinë e dy shteteve përgjatë kufijve të para vitit 1967. Izraelitët do t’i drejtohen kutive të votimit muajin tjetër, por nuk ka asnjë arsye të mendohet se cilado qeveri do të shfaqë një interes të ri në negociatat e paqes:të gjithë pretendentët kryesorë për kryeministër janë të vendosur ta refuzojnë shtetin palestinez.

Nëse Macron dhe Merkel vazhdojnë që të presin për një angazhim dypalësh për shtetin palestinez, ata do të duhet të presin ende pasi të jenë larguar nga politika. Për më tepër, Evropa nuk mund ta kompensojë qasjen e vet defiçitare duke i dërguar ndihmë financiare palestinezëve.

Tek e fundit, Izraeli nuk ka hezituar që të godasë atë që ndihmon për të ndërtuar. Vetëm nëntorin e kaluar, autoritetet izraelite shkatërruan më shumë se 70 struktura në pronësi të palestinezëve në Bregun Perëndimor – zhvendosja më e madhe e detyruar e palestinezëve në territoret e okupuara në më shumë se 4 vjet.

Ky akt shkaktoi vetëm dënime verbale nga ana e Evropës. Nëse Evropa dëshiron vërtetë të nxitë progresin drejt paqes, ajo duhet që të shfaqë guxim dhe aftësi bindëse. Kjo do të thotë njohje e shtetit të Palestinës përgjatë kufijve të para vitit 1967, duke ndihmuar kështu vendosjen e një ekuilibri në negociata.

Izraeli do të kundërshtojë, por siç sugjeron përvoja e Suedisë, marrëdhëniet dypalëshe nuk do të pësojnë ndonjë dëm shumë të madh. Edhe nëse izraelitët e bëjnë këtë, kjo është një arsye e dobët për të braktisur çdo lloj shprese për një paqe të mirëfilltë dhe të qëndrueshme në rajonin fqinj me Evropën. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Shënim: Daoud Kuttab, ish-profesor i gazetarisë në Universitetin e Prinstonit, SHBA.

---- ----
----
----- ----
-----