Ballina Lajme Bota/Rajoni ANALIZA: Para se t’u japë mend të tjerëve, Perëndimi duhet të respektojë...

ANALIZA: Para se t’u japë mend të tjerëve, Perëndimi duhet të respektojë vetë parimet e veta demokratike

27
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Nga Constanze Stelzenmüller

Një nga premtimet e presidentit të zgjedhur Joe Biden, është se SHBA-ja do të angazhohet sërish për të mbrojtur demokracinë në botë, bashkë me aleatët e tjerë demokratikë. Mesa duket, Bashkimi Evropian synon ta përqafojë me entuziazëm këtë qasje, me një fokus të veçantë në krijimin e një fronti të bashkuar kundër Kinës.

Megjithatë, kritikat ndaj internimit masiv të ujgurëve myslimanë nga ana e Pekinit – apo ndaj përpjekjeve të Kremlinit për të manipuluar zgjedhjet – nxisin pashmangshëm akuzat për hipokrizinë e Brukselit, në një kohë kur shumë qeveri perëndimore po përpiqen t’i bindin qytetarët e tyre, se demokracia përfaqësuese mbetet mënyra më e besueshme për të ofruar një qeverisje të mirë.

Nëse aleanca transatlantike synon të ruajë imazhin e saj, në konkurrencën me rivalët autoritarë jo-liberalë, anëtarët e saj do të bënin mirë t’i zgjidhin më mirë problemet e tyre demokratike në vend. Po si? Në kontekstin e një dekade të recesionit global demokratik, SHBA-ja dhe Evropa duken në pamje të parë ende mjaft të respektuara nga bota.

Zgjedhjet presidenciale amerikane muajin e kaluar, ishin në shumë aspekte një triumf i demokracisë:pati një pjesëmarrje historike nga votuesit, një proces që funksionoi, dhe zyrtarë dhe gjykatës që refuzuan të frikësohen nga kryerja e detyrës së tyre konform ligjit. Në Evropë, populistët që shpresojnë ta shfrytëzojnë pandeminë e Covid-19 për të shkaktuar frikë dhe polarizim, kanë parë që votuesit të mbështesin qeveritë qendrore dhe politikat e bazuara tek faktet.

Por është gjithashtu e vërtetë, që angazhimi i gjerë ndaj demokracinë liberale – një vlerë themelore e perëndimit – është nën kritika të forta. Fakti që në disa raste, sulmet vijnë nga partitë e opozitës brenda sistemit politik, nuk është arsye për t’u vetë-kënaqur.

Për shembull në Gjermani, Alternativa e Gjermaninë e të djathtës ekstreme, ka rënë tashmë në sondazhet vetëm 10 për qind, dhe udhëheqja e saj është e zhytur në një luftë të brendshme për pushtet.

Por gjithsesi ajo vazhdon të zhvillojë një fushatë të qetë dhe të disiplinuar, për të minuar dhe delegjitimuar institucionet demokratike. Në Francë, Marine Le Pen, udhëheqësja e Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë, mbetet një pretendente serioze në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022.

Diku tjetër, në Hungari, Poloni dhe Turqi, në qeveri janë liderët autoritarë, dhe ata i kanë përdorur pozicionet e tyre për të ndryshuar rregullat e qeverisjes, në mënyrë që të zgjerojnë ose përjetësojnë qëndrimin e tyre në pushtet. Dhe në SHBA, demokracia kryesore e aleancës, një president në largim po pretendon përkundër të gjitha provave, dhe me mbështetjen e udhëheqjes së partisë së tij, se një manipulim i madh i ka mohuar atij fitoren në zgjedhje.

Ky prapësim demokratik, po e zvogëlon kohezionin e NATO-s, pikërisht në kohën kur po nxehen konfliktet në të gjithë botën. Ai po e minon besimin midis aleatëve,po kufizon ndarjen e informacioneve të klasifikuara, dhe po e zbeh efektivitetin e diplomacisë, masave parandaluese apo operacioneve të ndryshme.

Sa i përket BE-së, të cilën administrata amerikane e ardhshme (ndryshe nga paraardhësi i saj) e sheh si një burim kryesor të ndikimit diplomatik dhe ekonomik, buxheti i saj po bllokohet nga Budapesti dhe Varshava në një luftë për sundimin e ligjit.

E gjitha kjo i jep mundësi kundërshtarëve, që të shfrytëzojnë përçarjet e Perëndimit – dhe u jep gjithashtu atyre një pretekst të mirëpritur për t’i hedhur poshtë kritikat mbi dështimet e tyre. Aleanca transatlantike, e lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit, ka pasur gjithmonë në zemrën e saj demokracinë liberale. Për dekada, “ombrella” amerikane e sigurisë, bëri që ne Evropë të hidhnin rrënjë kushtet për qeverisje përfaqësuese të qëndrueshme: shtete funksionale, ekonomi të tregut të hapur, kontrata sociale përfshirëse.

Por kur disa shtete anëtare të NATO-s morën kthesa me prirje autoritare – siç ndodhi në Greqi, Portugali dhe Turqi – të tjerët bënë një sy qorr. U tha se “punët e brendshme të aleatëve tanë, nuk ishin punë jonë”.

Kjo qasje duhet të ndryshojë. Aleanca bazohet në parimin se siguria e një anëtari, është siguria e të gjithëve. Kriza financiare e vitit 2008 dhe pasojat e saj afatgjata ,na mësuan një leksion të hidhur:në një botë të ndërvarur, cënueshmëria e njërit, është cënueshmëria e të gjithëve.

Dhe siguria sot fillon me qeverisjen e brendshme të qëndrueshme. Amerikanët, kanadezët dhe evropianët, duhet të ndihmojnë tani njëri-tjetrin, që të mendojnë se si demokracitë e tyre mund të bëhen më të përshtatshme, për të arritur synimet e tyre në një epokë të konkurrencës së madhe të fuqisë dhe thellimit të rrjeteve globale.

Institucionet shtetërore, duhet që të jenë në gjendje ta bëjnë punën e tyre – duke siguruar të mira publike – në një mënyrë efektive dhe të lirë nga ndërhyrjet politike apo korrupsioni. Ekonomitë duhet të bëhen më të drejta, për të minimizuar pabarazisë strukturore që nxisin zemërimin e popujve.

Padrejtësitë shoqërore dhe ato racore, si dhe trashëgimia toksike e skllavërisë dhe kolonializmit, duhet që të trajtohen ballazi. Pra, ne duhet t’i zbatojmë sërish parimet tona demokratike. Atëherë, dhe vetëm atëherë, mund t’u japim të tjerëve këshilla për demokracinë. / FT

---- ----
----
-----
-----