Ballina Lajme Bota/Rajoni ANALIZA: Pandemia po ngjit gangsterët në pushtet

ANALIZA: Pandemia po ngjit gangsterët në pushtet

21
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Nga Lindey Kennedy &Nathan Paul Southern, Foreing Policy

Më 25 dhjetor 1991, flamuri sovjetik me çekan dhe drapër u valëvit për herë të fundit në Kremlin. Në janar, Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë në një seri ekonomish të tregut të lirë. Përgjatë dekadave të fundit ishte zhvilluar një treg i zi i mallrave, që përmbushte nevojat e konsumatorëve dhe mbështeste disi mbarëvajtjen e një ekonomi të dobët.

Marrëdhëniet e nevojshme për të siguruar që një fabrikë të kishte lëndën e parë të nevojshme, apo që një zyrtar i lartë i Partisë Komuniste të mund të merrte një televizor me ngjyra, ishin të njohur si “blat”, dhe ato do të përbënin bazën e ekonomive të reja post-sovjetike.

Gati të gjithë morën pjesë në atë proces, dhe disa prej tyre përparuan, duke i shndërruar boshllëqet e ekonomisë së planifikuar në një fuqi kriminale. Rënia e qeverisë komuniste, nënkuptonte që këto grupe mund të nxisnin jo vetëm tregun, por të kryenin edhe funksionet e një shteti tashmë të çmontuar.

E para dhe më e rëndësishmja ishte siguria. Ndërsa kompanitë shtetërore u privatizuan në masë – shpesh në duart e të njëjtëve kriminelë – pronarët e bizneseve kishin nevojë për mbrojtje. Kështu, në fund të viteve 1990 mafia kishte depërtuar jo vetëm tek biznesi i madh, por gati në çdo mekanizëm të shtetit.

Por Rusia nuk është vendi i vetëm që e ka përjetuar këtë fenomen. Krimi i organizuar, nga Italia në Japoni ndan histori të ngjashme, duke shfrytëzuar rastin kur vendet përjetuan një krize të madhe ekonomike ose politike. Ndërsa vala e dytë e pandemisë së Covid-19 e ka gjunjëzuar ekonominë globale, disa nga këto grupe të krimit të organizuar po ndërhyjnë duke marrë jo vetëm kontrollin e tregtisë por edhe të politikës.

“Kur të dalim nga kjo krizë, me mijëra e mijëra biznese do të kenë falimentuar, dhe do të kemi një situatë ekonomike shumë fluide dhe të dëshpëruar, të cilën shteti mund ta menaxhojë vetëm në një farë mase. Dhe aty ku shteti nuk mund të menaxhojë dot, do të shihni organizata kriminale që do të ndërhyjnë për të kryer administrimin në vend të tyre”-thotë Misha Glenny, autori i librit “McMafia”.

Në disa pjesë të Meksikës, kartelet e drogës e kanë shfrytëzuar tashmë krizën aktuale për të konsoliduar pushtetin, dhe për të reklamuar përpjekjet e tyre për garantimin e mirëqenies sociale për popullatën lokale, thotë Glenny. Por ai është i shqetësuar sepse diçka e ngjashme po ndodh edhe në vende si Afrika e Jugut, Brazili dhe India, që kanë“popullsi të mëdha, të dëshpëruara, në disa raste të mirë-armatosura”.

Siç vë në dukje Rikard Jalkebro, specialist i Filipineve në Universitetin e St.Andrews, grupet e krimit të organizuar priren qëtë veprojnë aty ku ka një mungesë të shërbimeve publike, dhe të përfitojnë prej tyre. Ekziston frika se kriza do të krijojë mundësi të reja që Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) apo militantët në Irlandën e Veriut, të zbehin kufirin midis krimit të organizuar dhe militantizmit, dhe që mund të përdorin fonde nga industri të paligjshme shumë fitimprurëse, për të mbështetur ambiciet e tyre politike.

“Ne po mbajmë në vëzhgim shumë vende të botës për ndonjë shenjë të trazirave politike apo civile. Nëse ato shpërthejnë, atëherë padyshim që kjo do të çojë në shfaqjen e organizatave të reja kriminale, apo organizatat ekzistuese kriminale do të përpiqen ta shfrytëzojnë atë”- shprehet Glenny, i intervistuar para përplasjeve të dhunshme midis qytetarëve dhe forcave të sigurisë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Guine, Nigeri, Burkina Faso, Kazakistani, Kili, dhe gjetkë në vjeshtën e vitit 2020.

Në disa pjesë të Afrikës Perëndimore, skenari i frikshëm i grupeve të krimit të organizuar që marrin rolin e shtetit, filloi shumë përpara pandemisë. I pushtuar nga rrjetet ndërkombëtare të trafikut të kokainës që kërkojnë rrugë tranziti nga Amerika e Jugut në Evropë, shteti i brishtë i Guinea-Bissau u emërtua si narko-shteti i parë i Afrikës nga Kombet e Bashkuara në vitin 2008.

Presidenti më jetë gjatë në vend, João Bernardo “Nino” Vieira, u qëllua për vdekjen në vitin 2009 nga mbështetësit e një rivali politik, pikërisht për lidhjet e tij me kartelet e drogës. Dy të tretat e kokainës që trafikohet nga Amerika e Jugut për në Evropë, kalon përmes Afrikës.

Edhe vendet e tjera të qeverisura dobët dhe ekonomikisht të paqëndrueshëm në rajonin e Sahelit Perëndimor, rrezikojnë t’i nënshtrohen kontrollit të grupeve të dhunshme që kanë shumë para dhe lidhje. Jason Eligh i Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional, paralajmëron se një kombinim i pozitës gjeografike dhe strukturave qeveritare të kompromentuara lehtësisht, mund t’i bëjë disa shtete afrikane edhe më të prekshme ndaj infiltrimit nga grupet e krimit të organizuar, pikërisht në mesin e pasojave të rënda ekonomike që ka shkaktuar Covid-19.

Një nga industritë më fitimprurëse për krimin e organizuar, ka qenë trafikimi i qenieve njerëzore, veçanërisht midis Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut dhe Evropës. Në mënyrë të pashmangshme, kriza ekonomike nënkupton akoma më shumë njerëz të dëshpëruar që kërkojnë t’i shpëtojnë vështirësive, dhe të kërkojnë punë më larg edhe kur kufijtë mbeten të mbyllur, duke i bërë ata edhe më të prekshëm nga trafikantët.

Por në disa raste nuk ka nevojë që një shtet të jetë në prag të kolapsit, që një grup i krimit të organizuar të marrë kontrollin e një pjese të tij. Mjafton që shteti të jetë jofunksional në një zonë, apo të lërë pas dore një segment të prekshëm të popullsisë. Felia Allum, pedagoge në Universitetin e Bath, kërkimet e të cilës fokusohen mbi mafian napolitane në Itali, thotë se ndërsa qeveritë dhe bankat “shtrëngojnë rripat” e tyre për shkak të recesionit të pashmangshëm ekonomik, mafia do të jetë një nga grupet e pakta me para, që mund t’u japë hua qytetarëve.

Nga ana tjetër, aty ku qeveritë ofrojnë stabilitet të mjaftueshëm politik dhe financiar, grupet e krimit të organizuar mund të dobësohen për shkak të pandemisë. Shembulli më i qartë është Yakuza, emri kolektiv i grupeve tradicionale të krimit të organizuar në Japoni. Japonia e sotme nuk vuan nga ndonjë deficit sigurie që mund të plotësohet nga Yakuza.

Në fakt është krejtësisht e kundërta, në vend ka kaq pak krim sa që policia nuk ka shumë gjëra për të bërë. Kur qytetarët nuk mund të marrin atë që duan pasi nuk kanë mundësi dhe qeveria nuk i ndihmon, furnizuesit alternative do të plotësojnë boshllëkun. Siç thoshte dikur gjyqtari siçilian Giovanni Falcone, i vrarë në vitin 1992, “Mafia nuk është në thelb, asgjë tjetër veçse shprehja e një nevoje për rregull, për kontrollin e një shteti”.

Tre dekada më vonë, Covid-19 po e shtyn në limite rolin e shtetit në të gjithë botën, dhe siç e tha Glenny, gjëja e parë që bëjnë organizatat kriminale, është marrja e rolit të shtetit, aty ku shteti mungon.(abcnews)

---- ----
----
----- ----
-----