Ballina Arti ANALIZA: Ku ka humbur kritika letrare?

ANALIZA: Ku ka humbur kritika letrare?

22
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -
Nga Luljeta Nelallari
 
Cilat janë efektet e një kritike letrare? A mund të flasim për një kritikë letrare të mirëfilltë në vendin tonë? Këto janë pyetje që shpesh hasen në skenën letrare dhe në mesin e dashamirësve të librit.
 
Kritika letrare është dega e shkencës së letërsisë e cila merret me vlerësimin dhe gjykimin e vlerave letrare të veprës artistike. Qëllimi i saj është që të zbulojë kuptimin dhe bukuritë që fshihen në veprat letrare për t’u lehtësuar lexuesve kuptimin sa më të plotë të veprës. Por sa prezente dhe cilësore është kritika në Shqipëri? Si ndikon ajo në jetëgjatësinë e një vepre dhe tek autori? A kemi kritikë të rinj? Për të shtjelluar këtë temë, Gazeta Si ka folur me studiues e njerëz të letrave për të kuptuar më mirë se çfarë ndodh me kritikën.
 
Studiuesja dhe pedagogia e Letërsisë, Viola Isufaj, sheh një prezencë të kritikës letrare dhe vë theksin se tashmë kritikët “lundrojnë” edhe drejt kërkesave të reja.
 
“Në bashkëkohësi, studiuesit shqiptarë janë marrë në mënyrë të përqendruar me studimin e portave të panjohura të letërsisë, në të cilat metoda e imponuar për rreth gjysmë shekulli e Realizmit Socialist, si një rojtare e patundur, nuk lejonte kurrfarë depërtimi. Po kjo metodë nxori jashtë sistemit letrar një sërë autorësh të letërsisë shqipe (dhe botërore) bashkëkohës dhe të traditës. Studiuesve shqiptarë, patjetër u dalin kërkesa të reja që kanë të bëjnë me zhvillimin e kritikës, sidomos me aftësimin e saj, me ngritjen në një stad më të lartë dhe aktual, në ngjashmëri me proceset e tilla në rajon e në botën përtej nesh”, shprehet kritikja dhe pedagogia e Letërsisë, Viola Isufaj.
 
Isufaj shprehet se rrënjët e kritikës i kemi shumë të hershme, që te letërsia e vjetër shqipe, por sipas saj kjo nuk do të thotë se vlera e analizës letrare nuk mund të vihet në dyshim.
 
“Rrënjët e mendimit kritik i dallojmë që në letërsinë e vjetër shqipe me Barletin e Bogdanin, për të vijuar më tej në Rilindjen Kombëtare dhe në vitet ’30 me De Radën, Markianoin, Gurakuqin, Konicën, Nolin, Malokin, Kutelin, Çabejin, Shuteriqin, Pipën, deri në atë bashkëkohore,e brezin e viteve ’60 (përfshirë edhe kritikët e realizmit socialist) me Razi Brahimin, Dhimitër Shuteriqin, Vehbi Balën, Koçi Bihikun, Dalan Shapllon, Kudret Velçën, Jorgo Bulon, Gjergj Zhejin, Alfred Uçin, Klara Kodrën, Xhevat Lloshin, Jakup Maton (jashtë kufijve dhe Rexhep Qosja e Ali Aliu, M, Raifi, I. Rugova, E. Basha e M. Kraja) etj, për të vijuar më tej me Ali Xhikun e Bashkim Kuçukun e të tjerë emra që erdhën sidomos më vonë, në vitet ‘90 si Agron Tufa, Virion Graçi, Ben Andoni, kreativë edhe në kritikë, edhe në ese e shkrimtari. Ky parashtrim nuk do të thotë se vlera e analizës letrare nuk mund të vihet në dyshim”, vijon më tej Isufaj.
 
Lidhur me rolin e kritikës në suksesin e një libri, ajo thotë se asnjë kritik nuk mund të shpëtojë tekstet letrare të dobëta.
 
“Asnjë kritik i mirë letërsie, asnjëherë nuk do ta shpëtojë dhe nuk mund ta shpëtojë një tekst letrar të dobët. Është jashtë mundësive të tij. Kjo sepse fuqia qëndron te vetë letërsia dhe te ligjet e saj, një pjesë të të cilave, vetëm artisti mund t’i zotërojë dhe jo tek analiza, hulumtimi, shqyrtimi analitik i vlerave të një vepre letrare. Këtu nuk po nxjerrim jashtë loje rolin e kritikës, porse po sqarojmë se ajo nuk përmban asnjë substancë “magjike” që të garantojë suksesin e një vepre, pavarësisht bujës e rrëmujës që mund të krijojë në një moment të caktuar”, shton Isufaj.
 
“Kritika letrare është një realitet që shoqëron botën letrare shqiptare pavarësisht që shpesh flitet për mungesë të saj. Kritika jonë letrare ka tashmë historinë e saj ndërtuar prej atyre personazheve që e lëvruan me aq pasion këtë lloj shkrimi, si një urë lidhëse mes lexuesit dhe veprës. Kujtoj këtu Konicën, Kris Malokun, Eqerem Çabejn, i cili solli një formë tjetër të kritikës filologjike, Mitrush Kutelin, Ibrahim Rugovën, Arshi Pipën i cili ka ndërtuar një shkollë ende të paeksploruar të kritikës sonë letrare, Gjergj Zhejin apo Rexhep Qosja. Për të vijuar më pas me kritikën akademike të një brezi të rinjsh profesorësh të shkencave filologjike, të cilët pas viteve 90-të, aplikuan një formë të re kritike, e cila e bënte më të lehtë komunikimin me lexuesin”, thotë drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, ndërsa shton se “pas viteve ‘90 kritika letrare duket se tashmë u ndërtua më mirë në shtratin e gazetave ditore e javore, e shumë më pak nëpër gazeta të specializuara për kritikën letrare”.
 
Alda Bardhyli, Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit
Bardhyli vë në pah se mungojnë njerëzit e dedikuar për kritikën dhe shprehet se duhet të kemi në fokus dhe të mbështesim të rinjtë, pikërisht studentët e Letërsisë.
 
“Ata që lëvrojnë më shumë kritikën në vend janë vetë autorët, shkrimtarë që shkruajnë për njëri-tjetrin e shumë pak njerëz të dedikuar kritikës. U duhen krijuar mundësi studentëve të Letërsisë atyre që kanë prirje drejt kritikës të specializohen në shkolla të mira të kritikës në botë. Skena letrare ka nevojë për një frymë të re të menduari, sigurisht të strukturuar për ta orientuar lexuesin drejt librit”, thotë Bardhyli.
 
Poetja dhe studiuesja, Mimoza Ahmeti, shikon një kompleksitet botimesh në vend e për pasojë një kapacitet jo të mjaftueshëm kritik.
 
“Të flasësh për një kritikë të mirëfilltë në vendin tonë do të thotë të supozosh shumë fusha të ndërgjegjes shoqërore, të strukturuara mirë, të cilat do t’i bëhen truall sensit kritik. Sot vendi ynë ballafaqohet me një kompleksitet rrymash, botimesh, shkollash dhe teorish. Dhe nuk mund të themi që kemi kapacitet kritik të mjaftueshëm për t’i tretur dhe kuptuar efektet, si lexues, apo qoftë si kritikë shkencore ndaj këtyre prurjeve”, shprehet poetja dhe studiuesja Mimoza Ahmeti.
 
Por Ahmeti nuk është krejt mohuese, pasi vëren një rritje të potencialeve kulturore dhe shpreson një rritje të nivelit kritik nga nismat e reja që ndërmerren.
 
“Shpresojmë që Qendra Kombëtare e Librit, me një komunitet të gjerë intelektualësh që ka grumbulluar rreth vetes në takimet që bën, në mjediset e Ministrisë së Kulturës, Muzeut Kombëtar, Qendrës së Librit… etj, të mund të mediatizojë edhe më shumë punën intensive që lëvron në fushën e vlerësimit kritik, të përkthimit, gjuhës, leximit… etj dhe të zgjerojë spektrin përfshirës të autorëve në tregun e vlerës, të brendshëm dhe europian.(SI)
---- ----
----
-----
-----