Ballina Lajme Bota/Rajoni ANALIZA/ Freedom House: Covid-19 përkeqësoi demokracinë në botë, ja çfarë thotë për...

ANALIZA/ Freedom House: Covid-19 përkeqësoi demokracinë në botë, ja çfarë thotë për Shqipërinë

20
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Organizata Freedom House thotë se pandemia COVID-19 ka thelluar krizën për demokraci në të gjithë botën. Që nga fillimi i koronavirusit, gjendja e demokracisë dhe të drejtave të njeriut është përkeqësuar në 80 vende. Pandemia është kthyer në një justifikim për qeveritë për të abuzuar me pushtetin, për t’u mbyllur gojën kritikëve dhe medias dhe sabotuar përgjegjësinë e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e njeriut si dhe shëndetin publik.

Ky është përfundimi i  raportit të organizatës Freedom House, për ndikimin e COVID-19 në demokraci dhe të drejtat e njeriut, i hartuar në partneritet me firmën e sondazheve GQR. Bazuar në një sondazh me 398 gazetarë, punonjës të shoqërisë civile, aktivistë dhe ekspertë të tjerë nga 192 vende nga rrjeti global i analistëve të Freedom House, ky raport është i pari i këtij lloji dhe është përpjekja më e thelluar deri më për të shqyrtuar gjendjen e demokracisë gjatë pandemisë.

Kriza e qeverisjes demokratike, që ka filluar shumë kohë përpara pandemisë, ka të ngjarë të vazhdojë edhe pas krizës shëndetësore, pasi ligjet dhe normat që po vendosen tani do të jetë e vështirë të kthehen mbrapsht. Më shumë se 64 përqind e të anketuarve parashikojnë se ndikimi i pandemisë në demokraci dhe të drejtat e njeriut në vendin e tyre të fokusit do të ishte kryesisht negativ për tre deri në pesë vitet e ardhshme. Përvoja e Kinës gjatë nëntë muajve të fundit mund të prodhojë një model distopian për të ardhmen.

Megjithatë, edhe në mes të shkatërrimit dhe përçarjes, disa i janë përgjigjur pandemisë me shpresë dhe përtëritje. Gazetaria ka lulëzuar në vende të caktuara, ndërsa njerëzit kërkojnë informacione dhe raportimi hulumtues ka vazhduar në disa prej mjediseve më armiqësore. Aktivistët dhe gazetarët e pavarur kanë qenë të gatshëm të gjobiten dhe burgosen për të raportuar me saktësi atë që po ndodh në vend. Organizatat e shoqërisë civile gjithashtu kanë punuar pa u lodhur për të ruajtur llogaridhënien përballë sfidave të reja. Keqtrajtimi i krizës nga shumë qeveri ka nxitur kërkesat për ndryshim, veçanërisht në Bjellorusi, ku protestat masive që filluan në gusht janë shndërruar në një lëvizje të madhe për reformën politike. Demokracia po vuan në të gjithë botën, por kërkesa e popullit për të nuk është shuar.

Ekspertët nga vendet e përfshira, të anketuar si pjesë e projektit identifikuan katër si problemet më të mëdha gjatë pandemisë COVID-19: mungesa e transparencës qeveritare dhe informacionit mbi koronavirusin, korrupsionin, mungesën e masave mbrojtëse për popullatat në nevojë dhe abuzimet me pushtetin nga qeveria. Në sondazh, 62 përqind e të anketuarve thanë se nuk i besojnë atyre që dëgjojnë në lidhje me pandeminë nga qeveria e vendit dhe në ato vende që konsiderohen si jo të lira, 77 përqind nuk i besojnë një informacioni të tillë, një tregues se mungesa e transparencës është më e zakonshme në vendet me mekanizma të dobëta për mbrojtje nga abuzimet me pushtetin.

Disa ekspertë iu referuan mohimit të plotë të virusit nga qeveria, si në Nikaragua dhe Turkmenistan, ose promovimin e trajtimeve të pasigurta ose të paprovuara, në vende të tilla si Brazili dhe Tanzania. Në një përgjigje tronditëse ndaj një pyetje në lidhje me praktikën më shqetësuese që kanë parë, një ekspert tha: “Trupat e pajetë varrosen natën”.

Qeveritë po përdorin gjithashtu pandeminë si justifikim për t’i dhënë vetes kompetenca të posaçme përtej atyre që janë të nevojshme për të mbrojtur shëndetin publik. Ata kanë shfrytëzuar kompetencat e reja për emergjencat për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, për të vendosur kufizime të pashembullta ndaj kundërshtarëve politikë dhe për të shmangur funksionet thelbësore legjislative.

Sondazhi mbështet idenë se korrupsioni lulëzon kur transparenca bie; 31 përqind e të anketuarve që përfaqësojnë 45 vende përfshinë “korrupsionin dhe paratë në politikë” midis tre çështjeve kryesore. Shpenzimet masive të qeverisë për të ndihmuar shëndetin publik dhe ekonominë, shpesh të shpërndara me ngut pa mekanizma për të monitoruar fondet, kanë krijuar mundësi për korrupsion. Për shembull, në Mauritania, “ministrat e partisë në pushtet përdorën fondet e COVID për të bërë donacione në emër të kryeministrit”. Ekspertë të tjerë ndanë histori në lidhje me zhdukjen e furnizimeve, ose kontrata të dyshimta me njerëz të paçertifikuar. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërmarrja e vogël e njohur për përpunimin e frutave e quajtur “Silver Raspberry” me lidhje me institucionin politik të Bosnjës fitoi  një kontratë shtetërore për të importuar ventilator.

Media

Mediat e pavarura shpesh janë shtypur gjatë pandemisë, duke e bërë të vështirë llogaridhënien dhe duke penguar shpërndarjen e informacionit jetësor. Bazuar në hulumtimet e Freedom House, të paktën 91 nga 192 vende (47 përqind) përjetuan kufizime në raportimin e lajmeve si. Mediat në 62 përqind të vendeve pjesërisht të Lira dhe 67 përqind të vendeve jo të lira nën shqyrtim përjetuan kufizime të tilla. Sipas raportit, pandemia po përshpejton një rënie globale të lirisë së shprehjes. Në të paktën 91 vende, pati kufizime në media si pjesë e përgjigjes ndaj COVID-19. Qeveritë miratuan legjislacion të ri kundër përhapjes së “lajmeve të rreme” në lidhje me virusin. Ata gjithashtu kufizuan pyetjet e pavarura në konferencat për shtyp, pezulluan shtypjen e gazetave dhe bllokuan faqet e internetit.

Disa vende që përjetuan një rënie të madhe të lirisë gjatë vitit 2019, kanë vendosur kufizime të reja për median që nga fillimi i pandemisë. Një nga këto vende është Tanzania, ku media në mënyrë të efektshme është ndaluar të mbulojë pandeminë. Një tjetër shembull është Nigeria, ku një i intervistuar deklaroi se ka pasur “raste në rritje të gazetarëve të arrestuar për mendimet e tyre mbi politikat qeveritare”, ndërsa presidenca ka akreditime të kufizuara për konferencat për shtyp.

Zgjedhjet

Abuzimet e qeverisë po ndikojnë gjithashtu në zgjedhjet elektorale. Autoritetet shtynë ose dëmtuan proceset zgjedhore kombëtare në nëntë vende, si dhe një numër më të madh zgjedhjesh lokale mes janarit dhe gushtit 2020. Disa nga këto ndryshime zgjedhore nuk arritën të përmbushin standardet demokratike, ose për shkak se zgjedhjet e reja nuk ishin planifikuar në kohën e duhur, ose sepse zyrtarët caktojnë data të reja pa bërë përgatitjet e duhura për votim të sigurt.

Në të njëjtën kohë, parlamentet janë penguar nga kufizimet shëndetësore dhe ligjet e emergjencës, dhe nganjëherë ato janë manipuluar për qëllime politike. Një i anketuar në Singapor vuri në dukje se zhvillimi më shqetësues ka qenë “miratimi i ligjeve që frenojnë lirinë, por pretendojnë të frenojnë virusin”.

Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re janë dy shtete të vogla, por me demokraci të pasura. Sidoqoftë, ato vërtetuan se zgjedhjet e suksesshme mund të ecin përpara edhe gjatë një pandemie me planifikimin dhe burimet e duhura. COVID-19 nuk mund të konsiderohet një ndërprerje afatshkurtër dhe demokracia nuk mund të shtyhet për një kohë të pacaktuar.

Pandemia në Shtetet e Bashkuara

Probleme u vunë re edhe në Shtetet e Bashkuara, thotë raporti. Jo vetëm që shifrat e vdekjeve në SHBA kanë qenë ndër më të lartat në botë, por goditja e pandemisë në një vit vendimtar zgjedhor, ka bërë që edhe shëndeti publik të politizohet. Autoritetet lokale të zgjedhjeve në të gjithë vendin duket se nuk janë përgatitur siç duhet për zgjedhjet e nëntorit, duke pasur parasysh kërkesën në rritje për votim me postë, mungesat e mundshme të personelit dhe ndryshimet në minutën e fundit të rregullave zgjedhore – të gjitha të lidhura me pandeminë. Freedom House thotë se Administrata e Presidentit Trump “ka krijuar një mjegull keqinformimi rreth pandemisë, duke bërë rregullisht deklarata të rreme ose mashtruese që rrezikojnë jetë dhe sabotojnë përgjigjen e qeverisë në përgjithësi.”

Përveç aspektit politik, COVID-19 ka nënvizuar pabarazitë racore të vendit, të cilat i vendosin popullatat me ngjyrë dhe Latine në një disavantazh të theksuar. Familjet në këto komunitete kanë më shumë të ngjarë të kenë anëtarë që vazhdojnë të udhëtojnë në vendet e tyre të punës gjatë periudhave lokale të bllokimit, sepse punët e tyre nuk mund të bëhen në distancë, që do të thotë se ata përballen me një rrezik më të madh të ekspozimit ndaj virusit.

Në raport thuhet se disa qeveri i kanë zbatuar masat e izolimit në një mënyrë të hapur diskriminuese ose i kanë vënë në shënjestër popullatat e margjinalizuara. Myslimanët në Indi dhe Sri Lanka u akuzuan si “përhapës”, ndërsa në Serbi, një i intervistuar tha, “emigrantët u portretizuan si bartës të mundshëm të virusit”. Në Kuvajt, autoritetet vendosën kufizime më të rrepta në lagjet jo qytetare. “Udhëheqësit në të gjithë botën që kanë frikë nga reagimi i publikut për trajtimin e krizës nga ana e tyre, kanë shpërndarë vëmendjen duke mashtruar grupe të diskriminuara, margjinale, duke sulmuar kritikët e tyre ose duke minimizuar ashpërsinë e situatës shëndetësore.”

Protestat

Pavarësisht nga karantinat, oraret e ndalimit dhe bllokimet, shumë njerëz janë ende duke dalë në rrugë për të sfiduar qeveritë e tyre, duke treguar se modeli global i protestave masive që u shfaqën në 2019 po vazhdon. Megjithëse 158 vende kanë vendosur kufizime të reja në protesta, studiuesit e Freedom House identifikuan protesta të rëndësishme në të paktën 90 vende që nga fillimi i pandemisë. Këto demonstrata u mbajtën në 39 përqind të vendeve të lira, 60 përqind të vendeve pjesërisht të lira dhe 43 përqind të vendeve jo të lira nën shqyrtim. Të paktën një e treta e vendeve në secilin rajon përjetuan një protestë të rëndësishme.

Ngjarjet në Bjellorusi përfaqësojnë një shembull të fuqishëm të kthimit mbrapa, në një vend ku liria e mbledhjes ka qenë prej kohësh e kufizuar. Protesta masive dhe të pashembullta kundër Presidentit Lukashenko, i cili udhëheq vendin që nga viti 1994, shpërthyen pas pretendimit të tij për fitore në proces të karakterizuar nga shtypja e figurave të opozitës dhe akuzat për korrupsion. Rezistenca kundër Lukashenkos u shkaktua të paktën pjesërisht nga mohimi i pandemisë, e cila kontribuoi në një shpërthim vdekjeprurës të virusit. Mijëra protestues janë arrestuar, dhe shumë prej tyre i janë nënshtruar një brutaliteti nga forcat e sigurisë, përfshirë torturat.

Vëzhgimet e ekspertëve për Shqipërinë

Ekspertët që plotësuan pyetësorin për Shqipërinë, që ashtu si të gjithë të anketuarit nuk identifikohen në raport për arsye sigurie dhe që të flisnin sa më hapur, përmendin ndër sfidat më të mëdha përsa i takon demokracisë në Shqipëri anashkalimin e çdo procesi demokratik dhe faktin që qeveria qeverisi me dekrete që ndryshonin çdo ditë; gjykatat ishin mbyllur dhe masat e qeverisë nuk mund të sfidoheshin; Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë jofunksionale dhe kufizimet mbyllën dhe gjykatat më të ulëta. “Roli i gjyqësorit, ishte pothuajse inekzsitent pavarësisht nga rritja e prirjeve autoritare nga krahu ekzekutiv në procesin e vendim-marrjes lidhur me koronavirusin, por edhe aspekte të tjera, për të mos përmendur legjislativin që është shkrirë në një me ekzekutivin”, thotë një prej të anketuarve.

Po ashtu thuhet se policisë iu dhanë më shumë kompetenca dhe një nga ekspertët e përshkruan funksionimin e saj si “me grusht të hekurt”, duke bërë arrestime dhe vendosur gjoba të mëdha. Sipas të anketuarve sistemi i kontrolleve dhe balancave përgjithësisht ka dështuar. Një prej tyre thotë se krahu ekzekutiv që ishte edhe më pare dominues në këtë sistem, u fuqizua edhe më shumë.

Po ashtu përmendet paketa antishpifje që megithë kundërshtimet brenda dhe jashtë vendit, po vazhdon të kalojë në procesin parlamentar. Një nga të anketuarit vë në dukje se të gjitha “grumbullimet dhe protestat nuk lejoheshin” dhe se kishte disa raste kur njerëzit ishin hetuar për postimet e tyre në Facebook, gjë që nuk kishte ndodhur më parë”.

Probleme të tjera të përmendura ishin “përkeqësimi i qasjes tek informacioni dhe transparencës qeveritare”; mos mbështetja e grupeve më të dobëta dhe refugjatëve sirianë si edhe shtimi i dhunës familjare. Një tjetër vëzhgim është se “ne nuk besojmë në drejtësi, në sistemin shtetëror, kështu qe bëhemi indiferentë dhe nuk e ngremë zërin”.

Vëzhgimet e ekspertëve për Kosovën

Analistët e anketuar për Kosovën, bien dakord se kriza politike në mes të pandemisë që pa përmbysjen e qeverisë së re të Albin Kurtit ishte sfida më e madhe ndaj demokracisë, por nuk e interpretojnë të gjithë njëlloj.  “Partnerët e koalicionit hasën mosmarrëveshje kur Agim Veliu (Ministri i Brendshem i LDK-së) doli kundër qeverisë, duke mbështetur deklarimin e një gjendjeje kombëtare emergjence, që u sugjerua si përgjigje ndaj pandemisë nga presidenti, Hashim Thaçi. Ndërsa pandemia u përdor si pretekst, arsyeja kryesore e përmbysjes së qeverisë qëndron tek konflikti mes Kurtit dhe Thaçit. Prandaj kriza politike ishte pika kulmore e “betejës” politike mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit Albin Kurti”, thotë një nga personat e anketuar.

E njëjta e anketuar thotë se deklarimi i zotit Kurti i luftës ndaj krimit dhe korrupsionit dhe këmbëngulja e tij për një qëndrim të ri përsa i takon dialogut me Serbinë, kërcënoi pozicionin e presidentit, që nuk kishte mbështetje të madhe në elektorat. Një tjetër person i anketuar thotë se një nga problemet më të mëdha politike gjatë kësaj periudhe ishte formimi i qeverisë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, duke shtuar se ishte LDK-ja që vetëm pas 33 ditësh votoi në krah të opozitës për të përmbysur qeverinë e Albin Kurtit. “Arsyeja kryesore ishte kërkesa e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara për të hequr tarifën ndaj mallrave serbe. Kryeministri i ri Hoti i LDK-së, i plotësoi menjëherë këto kërkesa të komunitetit ndërkombëtar dhe për herë të parë duket se gjithçka është gati për vazhdimin e Dialogut Prishtinë Beograd”, thuhet në një nga përgjigjet.

Në përgjigjet e dhëna nga personat e anketuar theksohet se pandemia u shoqërua me korrupsion kur LDK-ja mori pushtetin dhe se testet ishin të disponueshme vetëm për politikanët, familjet dhe miqtë e tyre. Probleme të tjera madhore ishin ndikimi tek ekonomia, dëmtimi i gjyqësorit, dhuna familjare dhe lajmet e rreme. (Gazeta Si)

---- ----
----
----- ----
-----