Ballina Lajme Bota/Rajoni ANALIZA: Franca, Europa dhe dekadenca

ANALIZA: Franca, Europa dhe dekadenca

20
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Kështu reflektonte Valéry Giscard d’Estaing lidhur me liberalizmin dhe sfidat e Kontinentit të Vjetër

Në vitin 2015, ish Presidenti i Republikës Franceze Valéry Giscard d’Estaing, që ka ndërruar jetë më 2 dhjetor 2020 në moshën 94 vjeçare, i përgjigjej pyetjeve të Revue des Deux Mondes lidhur me Europën, çështjet e shoqërisë dhe reformat.

Është në Francë, thuhet shpesh, që ka lindur liberalizmi politik, babai i liberalizmit ekonomik, me Gilbert de La Fayette, Benjamin Constant dhe Alexis de Tocqueville. Si e shpjegoni faktin që Franca sot është bërë kaq ngurruese ndaj liberalizmit?

Më i rëndësishmi prej këtyre që përmendni është Tocqueville. Liberalizmi ekonomik dhe politik, nuk ka lindur në Francë, por në Britaninë e Madhe. Britanikët kanë një parlament prej 7 shekujsh dhe një kulturë liberale që parashikon respektimin e ideve të të tjerëve. Liberalizmi francez për të cilin flisni ju është një liberalizëm i orientuar drejt individit, që interesohet vetëm për lirinë e vetëvetes! Liberalizmi në shërbim të shoqërisë dhe të të tjerëve është më interesant dhe francezët e ndjejnë më pak. Pyetje: Francezët janë shumë më të lidhur me liberalizmin politik, që është ndryshe nga liberalizmi ekonomik? Nuk jam kaq i sigurtë. Gjatë gjithë historisë, kanë pranuar regjime autoritare që kanë funksionuar mirë dhe deri i kanë dashuruar ato. Napoleoni i I dhe Napoleoni i III, përjashto vetëm fundin e perandorisë së tij, janë dy shembuj në këtë drejtim. Franca e respekton pak lirinë e shprehjes. Jemi të vetmit që kemi një legjislacion pakashumë shtrëngues dhe ai që shmanget nga një lloj gjuhe e caktuar rrezikon që të ketë probleme me drejtësinë. Jo shumë kohë më parë, në vitin 1986, është votuar një ligj kundër lirisë së shprehjes i promovuar nga Partia Komuniste e kohës, që është lënë i paprekur nga qeveritë e mëpasme. Fillimisht – dhe në kundërshtim me interpretimet e dhëna më pas – Revolucioni Francez, kompleksiteti i të cilit është nënvlerësuar, nuk ka qenë një revolucion i orientuar nga kërkimi i lirisë, por një revolucion për përzënien e tiranëve. Dhe është kjo ajo që ka ndodhur.

Megjithatë, fillimisht, ka qenë Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe e Qytetarit…

Duhet pasur kujdes me datat dhe dijen se për çfarë revolucioni po flasim. Me marrjen e Bastijës, revolucioni është në realitet një ngjarje me shtrirje të kufizuar në Francë, pasi monarkia mbetet në pushtet. Është shoqëruar me ardhjen në pushtet të fisnikëve liberalë. Këta të fundit ndërtojnë brenda dy vitesh një kushtetutë brilante. Shkruajnë Deklaratën e të Drejtave të Njeriut e të Qytetarit, ndërkohë që ishte akoma monarkia, por e bëjnë pas amerikanëve, duke u frymëzuar nga puna e Thomas Jefferson. Monarkia kushtetuese e vendosur do të kishte mundur të funksiononte. Janë ngjarjet e jashtme, me koalicionin për ta përmbysur republikën në Francë, ato që në fund i kanë ndryshuar gjërat! Ka qenë edhe ai vendim i papritur, i marrë nga anëtarët e Kushtetueses, që i ndalonte atyre të paraqiteshin në zgjedhjet e mëpasme. Janë zëvendësuar nga njerëz që kishin shumë më pak përvojë dhe që qenë të dominuara nga ekstremizmi, pakashumë siç ndodh në Greqi sot. Këta ekstremistë, për më tepër të talentuar, kishin si objektiv jo lirinë, por krijimin e një regjimi diktatorial. Në këtë pikë duhet reflektuar mbi termin “popull francez”. Ne mendojmë se ekziston një popull francez, por saktësisht për çfarë bëhet fjalë? Nëqoftëse merren në konsideratë vendet që kanë vuajtur dhe që disponojnë një popullsi tejet homogjene, mund të flitet për një popull suedez apo për një popull polak. Kurse të flasësh për popull francez është shumë më e komplikuar. Franca është ndërtuar copë pas cope, me prurje relativisht të vonshme – Lorena në shekullin e XVIII, Konteja e Nicës në shekullin e XIX… Ka një traditë shumë të lashtë, ama të dyfishtë: galo – romake nga njëra anë dhe gjermanike nga ana e tjetër.

Situata gjeografike e saj e shpjegon këtë fakt. Franca ishte vendi i mikpritjes i të gjitha emigrimeve europiane. Nga ana tjetër, Jacques Bainville fliste për Francën si për një vend të përbërë…

Saktësisht. Kohët e fundit kam lexuar një libër lidhur me fundin e Perandorisë Romake, në shekullin e V dhe të VJ. Vërehet se në territorin ku sot ndodhet Franca kishte një mbretëri visigote që kishte Tuluzën si kryeqttet, kurse në lindje ishte i pushtuar nga frankët, tribù gjermanike. Uniteti është realizuar kështu progresivisht. Por a ka krijuar dhe formalizuar një entitet të vetëm politik? Nuk mendoj. Franca është e përbërë nga kultura pak të ndryshme midis tyre, edhe pse ka elementë të përbashkët, sigurisht. Natyrisht që më i rnëdësishmi është gjuha, e imponuar më sukses nga pushteti republikan. Është gjuha ajo që ka krijuar unitetin.

Por kjo larmi fillestare e popullsive, me praninë e tribùve, e gjejmë edhe në vende të tjera të Europës. Diferenca midis Italisë veriore dhe jugore është një shembull i mirë, ashtu si ajo midis Katalonjës dhe Andaluzisë…

Në realitet, Andaluzia quhej Vandaluzia. Vandalët kanë shëtitur nëper Gadishullin Iberik dhe kanë shkuar në jug. Populli francez paraqitet në mënyrë paksa të thjeshtëzuar si një grup shumë homogjen, por në realitet ka përjetuar dy tronditje të thella: kalimin nga një qytetërim rural në një qytetërim industrial e urban në fundin e shekullit të XIX dhe përgjakjen e tmerrshme e luftës së periudhës 1914 – 1918, traumë në kuptimin e vërtetë të fjalës për vendin. Ndërkohë, politika është larguar nga populli. Duke filluar nga shekulli i XX është krijuar një botë politike që përmban nga 200 deri në 300 mijë persona – administratorë lokalë, bashkëpunëtorë të tyre, shtresa politike parisiane – që shprehin mendimin politik francez. Aktualisht kjo botë është e shkëputur nga popullsia: fakt unik në një vend demokratik, sondazhet tregojnë se të zgjedhurit realisht nuk e përfaqësojnë më popullsinë. Një arësye më shumë për të konsideruar se rrënjët e psikologjisë të popullit francez janë shumë individualiste dhe jo kolektiviste. Liberalizmi ynë nuk është aventura e një populli si ai i amerikanëve të Thomas Jefferson. Është një liberalizëm i prirur që të mbrojë të drejtat e individit, jo një realizëm i prirur që të organizojë shoqërinë.

Thënë me fjalë të tjera, liberalizmi është tkurrur në vetvete në vend që të ishte një liberalizëm i hapur për të ardhmen, si tjetërkund?

Evolucioni ekonomik që po përjetojmë do të presupozonte më shumë liberalizëm për të mbijetuar. Nëqoftëse krijohen hapësira lirie, edhe ekonomia lulëzon. Nëqoftëse këto hapësira nuk ndërtohen, ekonomia ndrydhet. Merrni rastin e Uber: brenda pak kohësh, ky biznes ka krijuar në një hapësirë lirie një aktivitet fitimprurës, konkurrencial, që lufton kundër të gjithëve! Imagjinoni se çfarë do të ndodhte, në të gjitha fushat, sikur t’u jepej më shumë liri francezëve! Aktualisht, burokracia është e gjithëpranishme si në jetën ekonimike, ashtu edhe në jetën rurale. Për të nisur një kultivim në Francë nevojitet një numër i pabesueshëm dokumentash burokratike. Nëse dëshironi të realizohet diçka, veprimi i parë është të siguroni një vendim administrativ. Përpara se të veprosh, duhet të të lejojnë që të veprosh! Liberalizmi ynë nuk është konstruktiv dhe planifikues. Është më shumë një qasje në mbrojtje të të drejtave të individit.

Duke gjykuar nga studimet e opinionit, francezët janë nostalgjikë për vitet Shtatëdhjetë, kur ju ishit President i Republikës. Cila është arësyeja e rikthimit fatlum të kësaj dekade?

Ka mundësi që francezët janë të vetëdijshëm se dija ishte në pushtet, se plani ishte të modernizohej Franca pa shkaktuar një prishje me të kaluarën dhe kjo u jepte besim atyre. Ka qenë një dekadë me vitalitet dhe kreativitet të madh, me artistë të cilët kujtohen akoma dhe një aftësi për të çuar përpara ndryshime sociale drejt përgjegjshmërisë individuale (abort, divorc).

Regresioni i liberalizmit nuk është as edhe një prej arësyeve të pesimizmit dhe e deklinizmit të Francës? Veç në mos qoftë e kundërta?

Padyshim! Duhet marrë në konsideratë kjo shifër e pabesueshme, domethënë përqindja e PBB që tranziton drejt shtetit; ne francezët thyejmë të gjitha rekordet: 57.5%. Është çmenduri. Shifra normale është rreth 43%. Amerikanët janë nën këtë përqindje, ndërsa vendet e tjera europiane janë midis 44 dhe 45%.

Në politikë, shpesh ekziston kërkesa, por mungon oferta…

Keni të drejtë, aktualisht nuk ka ofertë, por ka kërkesë! Ekziston nostalgjia për epokat e mëdha. Francezët e dinë se situata është më pak e mirë respektivisht, për shembull, viteve Shtatëdhjetë. E dinë dhe e thonë. Do të donin të rigjenin dijen në pushtet. Ideja liberale, domethënë ideja sipas të cilës përparimi kalon nga një liri e caktuar veprimi dhe reflektimi, mbetet shtatzënë në Francë. Shpresoj se do të kthehet në pushtet.

Pse përdorni fjalën “dekadencë” në vend të fjalës “rënie”?

Rënia është një fazë, është e menaxhueshme. Dekadenca është sinonim shkatërrimi. Jemi në dekadencë: strukturat religjioze, edukuese, familjare gjyqësore shpërbëhen. Dhe njerëzit e perceptojnë.

Çfarë do të kujtojë historia për figurën tuaj?

Jo shumë, nuk kam qenë president shumë gjatë. Brenga është ajo e një pune të paplotësuar. Kam bërë punën time për 7 vjet, por do të kisha pasur nevojë për dyfishin e kohës. Në atë kohë, kishte një nevojë për ta transformuar shoqërinë politike: ky ndryshim ishte nisur. Personalitetet që kam njohur nuk qenë politikanë. Raymond Barre ishte pedagog universitar, Simone Veil magjistrat, André Giraud inxhinier.

Çfarë kryeministri do të kishit zgjedhur në rash rizgjedhjeje?

Do të doja emëroja një golist liberal dhe europeist. Do të kërkoja një kryeministër që të vinte nga kjo shtresë.(Përgatiti Armin Tirana, TemA)

---- ----
----
-----
-----