Ballina Lajme nacionale Amerikanët rrisin presionin ndaj homologimit të Devollëve

Amerikanët rrisin presionin ndaj homologimit të Devollëve

32
SHPËRNDAJE

Devollet kanë marrë një goditjet nga Oda Amerikane në Kosovë.

Vetëm dy ditë pasi ambasadori gjerman, Christian Heldt, goditi direkt biznesmenët e familjes Devolli, të cilët kanë monopolizuar tregun e homologimit të veturave, edhe amerikanët kanë rritur presionin ndaj këtyre të fundit. Oda Amerikane u ka bërë thirrje institucioneve në vend që të ndalojnë praktikat jo të drejta afariste, derisa kanë thënë se pengimi i konkurrencës së lirë përbën shkelje të dispozitave kushtetuese.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Oda Amerikane ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me monopolin në homologimin e automjeteve nga Devollët, duke thënë se kjo pengon konkurrencën, promovon praktikat e padrejta të ofrimit të shërbimeve dhe rrit shpenzimet e bizneseve dhe qytetarëve.

“Të pasurit e një operatori të vetëm të homologimit pengon konkurrencën e lirë, e rrjedhimisht edhe efikasitetin që do të rezultonte nga ofrimi i shërbimit nga më shumë operatorë, si në aspekt të shmangies së çmimeve të larta, por edhe të rritjes së disponueshmërisë së shërbimeve të diversifikuara për publikun. Sistemi aktual i homologimit të automjeteve pengon lirinë e ofrimit të shërbimeve, e cila ka për efekt ndëshkimin e konsumatorëve me shpenzime shtesë logjistike nga marrja e shërbimit në një lokacion të vetëm”, thuhet në komunikatën e tyre drejtuar mediave.

Ndryshe, para dy ditësh për këtë çështje ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë.

Ambasadori gjerman ka thënë se nuk e kupton se si veturat që vijnë me të gjitha dokumentet dhe kontrollat e nevojshme, duhet t’i nënshtrohen edhe një kontrolli tjetër nga kompania private, që në këtë rast është e Devollit.

“Vetëm një ambasador i gjorë që po provojë të kuptojë logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë në gjithë BE’në??”, ka shkruar Heldt në Twitter.

Një reagim të njëjtë e ka pasur edhe shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Ndryshe, çdo makinë e importuar në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një kontrolli rutinor i quajtur “homologim”. Ky lloj kontrolli bëhet vetëm për t’i inkasuar 125 euro.

Pra, secili qytetarë apo kompani që blenë vetura, detyrohet t’i nënshtrohet homologimit në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), e cila është pronë e Shkëlqim Devollit nga Peja.

-----