Ballina Lajme nacionale Akuza e Kurtit: E rrëzuan qeverinë sepse duan të copëtojnë shpejt territoret

Akuza e Kurtit: E rrëzuan qeverinë sepse duan të copëtojnë shpejt territoret

35
SHPËRNDAJE

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se qeveria u rrëzua sepse synohet një marrëveshje e shpejtë për copëtimin e territoreve, gjë që sipas tij, nuk mund t’i bënin me këtë qeveri.

“Ne ende nuk e dimë çka ka në marrëveshjen me Listën Serbe. Të premten e pamë se si u nxor një dekret jo kushtetues. Unë e kuptoj presidentin ceremonial që punët ka dëshirë t’i mbarojë jashtë orarit e jashtë ligjit, ama këtë nuk mund ta pranojmë e as lejojmë”, ka shtuar ai.

Ai thotë se në vend se të gjithë aktorët të bëheshin bashkë për ta luftuar rrezikun me koronavirus, u bënë bashkë për ta rrëzuar qeverinë. Sipas tij, kriza politike ishte e paarsyeshme dhe e panevojshme.

“Te ne pamë se si disa aktorë në vend, në vend se të fokusoheshin në luftimin e përbashkët të pandemisë, luftuan kryeministrin. Një opozitë dhe një president që virusin nuk e shihnin si rrezik për qytetarët nga i cili duhet shapërtuar por si mundësi për vetën e tyre për të përfituar. Presidenti, opozita dhe partneri ynë i koalicionit u bënë bashkë që krizës shëndetësore t’ia shtonin edhe një të tillë politike. Kriza politike ishte e paarsyeshme dhe e panevojshme”, ka thënë ai.

Kurti tutje ka shtuar se me të si kryeministër nuk mund të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

“Ju duhet të jeni krenar sepse po tregojmë se nuk na mungon dija as vullneti për ta bërë shtetin që duam. Këta muaj kanë qenë përplot me ngjarje dhe ajo më e rënda ishte ajo me virusin korona. Ne po e menaxhonim mirë pandeminë dhe po e zbatonim programin qeverisës. Qeveria nuk u rrëzua për shkak të mospunës së saj por përpikërish për punën e mirë në luftën e korrupsionit. Me mua si kryeministër nuk lejojmë shpalljen e panevojshme të gjendjes së pazakonshme. Covid19 nuk ishte zgjidhje e qytetarëve as qeverisë por realitet që duhet ë përballemi. Kriza e ka rënduar shumë ekonominë dhe tashmë atë po e ndjejmë”, ka thënë ai.

-----