Ballina Lajme nacionale Akuarium nëntokësor, ja si do transformohet Kopshti Zoologjik dhe ai Botanik

Akuarium nëntokësor, ja si do transformohet Kopshti Zoologjik dhe ai Botanik

54
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama dhe kandidati i PS për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, e nisën ditën e sotme me një kafe me banorët e Njësisë 10, me të cilët biseduan për disa nga projektet transformuese që do të vijojnë të zbatohen edhe në 4 vitet e ardhshme në kryeqytet.

Një nga projektet më të mëdha dhe që vjen edhe si përmbushje e Paktit për Universitetin është ndërtimi i Kampusit Universitar. Kryeministri Rama tha se projekti është në punë e sipër, ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj shtoi se përveç kampusit të Qytetit Studenti do të bëhet edhe ai i Akademisë së Rendit.

Veliaj tha se në 4 vitet e ardhshme një tjetër projekt është edhe ai i transformimit të Kopshtit Zoologjik dhe Botanik. Kryebashkiaku shtoi se qeverisë do t’i shkojë nga Ministria një VKM e cila do bëjë dhe kalimin e pronës te Bashkia e Tiranës, për të filluar më pas zbatimin e projektit.

“Do vijë VKM që bashkon Kopshtin Zoologjik me Kopshtin Botanik, kemi edhe një dakordësi me dekanin e Shkencave të Natyrës. Ata nuk kanë fuqi që ta mbajnë, ne do të bëjmë një marrëveshje ku do të themi që Bashkia menaxhon Kopshtin Zoologjik dhe Kopshtin Botanik si një njësi e vetme. Marrëveshja do t’u japë akses të plotë atyre për nevojat e mësimore, për eksperimente biologjike, të klasave të hapura, të praktikave studentore.

Por, me mirëmbajtje nga bashkia. Kemi përgatitur gjithë materialin dhe mund ta hapim garën për projektin vetëm kur të kemi pronën. E kemi ndarë në tre faza, botaniku, zoologjiku dhe lidhja mes tyre, në formë tuneli si një akuarium”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se një nga projektet që do prekë edhe këtë njësi është ai për çlirimin e trafikut të makinave në pjesën e Unazës së Vogël nëpërmjet kalimit të saj nën tokë, nga segmenti te Shallvaret deri te pjesa përpara sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

“Po i tregoja kryeministrit planin që kemi për Unazën e Vogël, që ta fusim poshtë parkut, ta nxjerrim te Xhamia para Parlamentit, kështu zhduket i gjithë trafiku që futet nëpër të. Ka qenë ideja e vjetër e Edit, po më në fund e kemi një koncept inxhinierik dhe e shpëton Tiranën si një gjullurdi e qendrës, edhe si trafik, edhe si ndotje”, tha ai.

-----