Një fëmijë pesë vjeç ka vdekur sot si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në fshatin Runik të Skenderajt.
Rastin për 21Media e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Zahiti ka thënë se është lënduar edhe një person i moshës madhore.
“Sot rreth orës 14:20, në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, gjegjësisht në fshatin Runikë të Skenderajt, ka ndodhur një aksident trafiku, ku për pasojë një (këmbësore) fëmijë i moshës pesë vjeçare ka vdekur, ndërsa lëndime trupore ka pësuar edhe një këmbësore e moshës madhore”, ka thënë Zahiti.
Zahiti ka thënë se në aksident janë përfshirë dy vetura, ku njëra ka dalë nga rruga dhe i ka goditur dy këmbësorë.
“Bazuar në hetimet fillestare në aksident ishin të përfshira dy automjete civile me targa vendore, ku si pasojë e aksidentit njëra nga veturat del jashtë shiritit rrugor ku në trotuar godet dy këmbësoret të cilat me urgjencë ishin dërguar në QKMF- Skenderaj, me ç’ rast mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës. Ngasësit e dy automjeteve të përfshira në aksident janë arrestuar, ku me aktvendim të Prokurorit të rastit dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka njoftuar Zahiti./21Media
The post Aksident në Skenderaj, vdes një pesë vjeçare appeared first on RTV21.