Ballina Lajme nacionale Abdixhiku kritik ndaj mjekëve: Refuzuan pacientët me kancer shkaku i grevës

Abdixhiku kritik ndaj mjekëve: Refuzuan pacientët me kancer shkaku i grevës

9
SHPËRNDAJE

Abdixhiku thotë se mjekët e kaluan kufirin, refuzuan pacientët me kancer shkaku i grevës.

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas grevës në sektorin e shëndetësisë, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Kushtetueses për Ligjin për Paga.

Abdixhiku përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se personat e sëmurë me kancer, janë refuzuar sot dhe nuk iu është dhënë kimioterapia. Kjo pasi që mjekët iu thonë se greva është arsyeja.

“Hallegjinjë me sëmundje kanceri, refuzohen për kimioterapi. Në ftohtësinë më të madhe njerëzore, kthehen mbrapshtë si mall. Arsye u thonë është greva. Ec e shpjegoja dikujt që përballet me jetë arsyet e tua për grevë.

Në asnjë vend normal greva nuk prekë rastet e jetës. Sepse greva s’mund të mundë njerëzoren. Është megjithatë një kufi. Sot, të dashtun mjekë, kaluat këtë kufi”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se mjekët sot adresën e mllefit e kanë gabim.

“Keni çdo të drejtë të mbani inat; keni të drejtë të protestoni. Ju kanë mashtruar. Kanë luajtur me dinjitetin tuaj për një vit rresht. Ju kanë dhënë një ligj të padrejtë, të rrëzueshëm – e tash, mu atëherë kur u duhet destabilitet, ju përdorin si mjet. Por adresën e mllefit e keni gabim. Më së paku në këtë adresë i gjeni pacientët me kancer; të cilët juve ju shohin si heronj të fundit, e ato barna që i presin me javë rend si shpresë për më shumë jetë. E di këtë punë vet. Kam kaluar nëpër koridoret e tilla me familjarë më shpesh se ç’mund të kisha imagjinuar ndonjëherë”, ka bërë të ditur ai.

Shkaku i pakënaqësisë me ligjin për paga, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sindikata e shëndetësisë ka bërë të ditur se do të mbajnë grevë deri në ora 15:00.