Ballina Sport Abazaj për transferimin në Turqi: U nisa për diku tjetër dhe përfundova...

Abazaj për transferimin në Turqi: U nisa për diku tjetër dhe përfundova diku tjetër, më dëshironin shumë

25
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Kristal Abazaj ka zgjedhur më në fund klubin ku do të vazhdoj karrierën e tij. Do të jetë Liga e Parë turke vendi ku sulmuesi do të shfaqë aftësitë e tij, teksa në ditën e djeshme u zyrtarizua te klubi i Istanbulspor. 24-vjeçari ka folur për Supersport teksa shprehet se pavarësisht se në Turqi ishte nisur për të firmosur me një klub tjetër, përfundoi te Istanbulspor edhe pas këmbënguljes së presidentit dhe trajnerit të klubit.

“Jam futbollist i Istanbulsporit, ndihem mirë për zgjedhjen dhe shpresoj të kem bërë të duhurën. Po të më pyesnin në fund të kampionatit, kur isha me Kukësin, për Ligën e Dytë turke normalisht që nuk do të isha dakord, por sinqerisht kam ndërruar mendim kur pashë projektin e tyre.

U ula me presidentin, fola me trajnerin dhe kuptova se sa shumë dëshironin që unë të isha pjesë e këtij projekti. Nuk m’u desh shumë të vendosja, edhe pse kishim 3-4 ditë që po bisedonim. Nuk ishte e vështirë të gjenin akordin, duke parë futbollistët që kishin afruar.

Me gjithë respektin për çdo objektiv që ka klubi, një futbollist, kur vendos të nënshkruajë një kontratë, ka ambicien personale për të shkuar sa me lart në karrierë dhe Istanbulspori është një trampolinë shumë e mirë, sepse e ka dëshmuar me fakte diçka te tillë.

Nëse paralelisht edhe klubi ka sukses, akoma më mirë për Abazajn. Gjithsesi Istanbulspori e ka një qëllim madhor dhe këtë synim e mbështet tek investimet në merkato. Duke parë lojtarët që janë afruar, mendoj se objektivi është ngjitja në Superligë. Por të mos nxitohemi, t’i marrim ndeshjet një e nga një”.

Ndërkohë, Abazaj do të ketë sërish shok skuadre Eduart Rrocën, me të cilin është aktivizuar te Luftëtari dhe Kukësi.

“Pas dy viteve së bashku te Luftëtari, u takuam sërish tek ekipi i Kukësit. U bënë tre vjet që luajmë bashkë. Jam shumë i lumtur që gjej Rrocën, pasi si për mua ashtu she për të është mirë dhe na ndihmon në përshtatjen me ekipin. Shpresoj te kemi suksesin që kemi patur në Shqipëri dhe të ndihmojmë ekipin që të arrijë objektivat”.

Merkato- “Në këtë merkato ka patur shumë interes për mua, por unë kam qenë i qetë, pasi është marrë menaxheri im me këtë pjesë. Gjithsesi, kur ka interes ndihesh i vlerësuar. Do të doja të zbuloja një sekret: unë në Turqi u nisa për diku tjetër e përfundova diku tjetër. Zoti paska dashur që të jem pjesë e Istanbulsporit”, u shpreh Abazaj.

---- ----
----
-----
-----