Ballina Lajme nacionale AAK koalicion me PSD-në? Pritet zyrtarizimi

AAK koalicion me PSD-në? Pritet zyrtarizimi

9
SHPËRNDAJE

Vendi së shpejti do të shkojë në zgjedhje të parakoshme.

Akoma pa u shpërndarë Kuvendi, partitë janë mobilizuar për të gjetur partner, që bashkë të shkojnë në zgjedhje. Një koalicion pritet të arrihet nesër.

Afërsitë mes AAK’së së kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinajt dhe Partisë Socialdemokrate të Shpend Ahmetit është përfolur muaj më parë.

Express mëson nga burime të mirëinformuara se të hënën, më 21 gusht, pritet të zyrtarizohet marrëveshja e AAK’së dhe PSD’së për koalicionin parazgjedhor.

Kjo pritet të ndodhë vetëm një ditë para seancës ku pritet të shpërndahet Kuvendi.

Sipas burimeve marrëveshja e vë bartës të listës zgjedhore të këtij koalicioni Haradinajn, ndërsa menjëherë pas tij, numrin dy do ta mbajë kryetari i PSD’së, Shpend Ahmeti.

Ahmeti e Haradinaj kanë pasur raporte miqësore viteve të fundit kur njëri po udhëhiqte Qeverinë, e tjetri Prishtinën.

Haradinaj, që dha dorëheqje gjatë këtij korriku pasi u ftua nga Gjykata Speciale, veçse ka nisur fushatën e tij zgjedhore, ndonëse një e tillë s’ka filluar zyrtarisht.

Ai po takon cdo ditë strukturat partiake dhe qytetarët, ndërsa shumë shpesh në profilin e tij në Facebook po poston për ato që Haradinaj i konsideron të arriturat e veta.

Ditëve të fundit ai e ka goditur direkt partnerin Kadri Veselin dhe presidentin Hashim Thaci, me të cilët pati raporte që shënuan ulje e ngritje për dy vjet qeverisje me ta.

Partia Socialdemokrate në maj të vitit të kaluar iu bashkëngjitën shumë prej figurave kryesore të cilët u larguan nga Lëvizja Vetëvendosje pas mospajtimeve me liderin e tanishëm, Albin Kurtin.

Përvec Ahmetit në listë zgjedhore priten të jenë edhe shumë deputetë të tjerë të PSD’së si Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, të cilët morën dhjetëra mijëra vota sa ishin në listën e LVV’së.

Ndërsa sondazhet e realizuara gjatë vitit të fundit nuk e rendisnin PSD’në në listën e partive që do ta kalonin pragun zgjedhor.

-----