Ballina Lajme Bota/Rajoni A i mbron ende aleatët “ombrella bërthamore” e SHBA-së?

A i mbron ende aleatët “ombrella bërthamore” e SHBA-së?

14
SHPËRNDAJE

Nga Ivo H.Daalder*, Foreign Policy

Një pasojë e rëndësishme e përçarjes së aleancave amerikane gjatë viteve të fundit, është rishfaqja e shqetësimit në kryeqytetet aleate,mbi besueshmërinë e garancisë së mbrojtjes bërthamore që ofrojnë sot Shtetet e Bashkuara.

Në Evropë, aleatët pyesin nëse SHBA-ja e Bashkuara do të ishte realisht të gatshme të mbrojë Poloninë ose 3 vendet baltike, nëse Rusia do t’i kërcënonte ato me një sulm bërthamor.

Në Azi, fuqia ushtarake në rritje e Kinës, dhe blerja e raketave me rreze të gjatë nga Koreja e Veriut, kanë ngritur shqetësime të ngjashme në lidhje me angazhimet bërthamore të Uashingtonit.

Përballë këtyre kërcënimeve në rritje, a munden aleatët e Amerikës të mbështeten ende në “ombrellën bërthamore” të Shteteve të Bashkuara, për të parandaluar  një sulm të mundshëm?

Meqenëse përgjigjja nuk është më e dukshme, në kryeqytetet aleate zëra gjithnjë e më të shumtë, kanë sugjeruar se ata mund të kenë nevojë të mbështeten mbi aftësi të tjera bërthamore, për të siguruar sigurinë e tyre.

Dhe ndoshta, mund t’u duhet të kenë armët dhe sistemet e tyre mbrojtëse bërthamore.

Nëse duam vërtet të shmangim një botë ku armët bërthamore përhapen me shpejtësi – në të cilën jo vetëm vende të tilla si Irani dhe Arabia Saudite përgatiten të pajisen me armë bërthamore, por edhe aleatët e vjetër si Koreja e Jugut dhe Turqia – presidenti i ardhshëm i SHBA-së do të duhet të lëvizë me shpejtësi përpara në sigurimin e aleatëve, se garancia bërthamore e SHBA-së mbetet ende e besueshme.

Shumica e njerëzve sot e kanë harruar se shqetësimi kryesor mbi përhapjen e armëve bërthamore 50 vjet më parë, nuk kishte të bënte me Pakistanin, Korenë e Veriut apo Iranin, por me aleatët e Shteteve të Bashkuara,si Gjermania dhe Japonia.

Në fund, që të dyja këto vende, por edhe kombe të tjera aleate, ishin të gatshme të hiqnin dorë nga pajisja me armë bërthamore, dhe të nënshkruanin Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, si shtete që zotëronin armë jo-bërthamore.

Por ata e bënë këtë, vetëm pasi morën një garanci të plotë dhe të qartë nga Shtetet e Bashkuara, se arsenali i saj bërthamor do të garantonte sigurinë e tyre, nëse kjo do të ishte e nevojshme. Në rastin e NATO-s, kjo garanci ishte e përfshirë edhe në strategjinë e saj zyrtare, në dislokimin e armëve bërthamore të SHBA-së, në krijimin e një grupi të planifikimit bërthamor, dhe në ndarjen e detyrave dhe misioneve bërthamore.

Në Azi, këto marrëveshje ishin më pak zyrtare. Gjithsesi edhe për këtë rajon, Uashingtoni premtoi të përdorte mbrojtjen e tij bërthamore në ndihmë të aleatëve. Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, duhet që të parandalojë hapat destabilizues nga ana e vendeve aleate, teksa këto të fundit po e ri-mendojnë sigurinë e tyre bërthamore, duke rikonfirmuar qartazi dhe pa asnjë dyshim se aleancat dhe angazhimet e mbrojtjes kolektive nga ana e Shteteve të Bashkuara, mbeten thelbësore për sigurinë e saj kombëtare.

Ky pohim, duhet të përfshijë ripohimin zyrtar të sigurisë bërthamore për aleatët. Megjithatë, vetëm fjalët mund të mos mjaftojnë. Administrata e ardhshme, duhet t’i bëjë transparent për aleatët proceset e saj të planifikimit bërthamor, dhe t’i përfshijë ata në diskutimet e saj mbi strategjinë bërthamore, vendosjen e armëve dhe modernizimin e tyre.

Gjithashtu, do të duhet që kreu i Shtëpisë së Bardhë t’i japë përparësi negociatave të reja mbi kontrollin e armëve bërthamore, duke filluar që nga ato për një zgjatje të marrëveshjes së re START me Rusinë, ndërsa duhet të marrë parasysh edhe shqetësimet e aleatëve, në lidhje me kërcënimet ekzistuese dhe ato në zhvillim nga armët bërthamore.

*Ivo H.Daalder, është president i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale. Ai ka qenë ambasador i SHBA-së në NATO në vitet 2009- 2013.

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

-----