Ballina Lajme nacionale A do të takohen Kurti e Mustafa gjatë janarit?

A do të takohen Kurti e Mustafa gjatë janarit?

10
SHPËRNDAJE

Kurti e Mustafa nuk po mund të gjejnë një rrugë të përbashkët për të arritur marrëveshjen e koalicionit.

Kreu i LV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa me sa duket tentimin e fundit për të arritur marrëveshje do ta bëjnë larg syrit të mediave. Dy liderët që ditëve të fundit nuk u kanë shkuar mirë punët, duket se do t’i zbatojnë këshillat e gjermanëve për të folur më pak para mediave, e më shumë me njëri – tjetrin, shkruan Express.

Shtatë takime në nivel të grupeve punuese të VV’së dhe LDK’së u bënë në mënyrë krejt transparente, madje mediat njoftoheshin për to, e nga dy partitë dikush gjithsesi fliste për atë se çka merreshin vesh.

Kaq të hapura për opinion kaluan edhe takimet e para të dy liderëve, Albin Kurtit e Isa Mustafës. Kjo deri kur në publik doli një kusht që tash e sa muaj do të ishte arsyeja kryesore se pse Mustafa dhe Kurti assesi nuk po arrijnë që të merren vesh.

Kështu, takimet e fundit që u mbajtën nuk patën asnjë rezultat, pos, që LV e LDK përsëritën në tavolinë të diskutimet kushtet që kishin.

Derisa në takimin e fundit për të cilit u raportua edhe në media, nuk doli askush të flet para gazetarëve, lideri i LV-së theu akullin dhe doli me një video mesazh, ku shpjegoi edhe të gjitha arsyet se pse nuk u arrit marrëveshja për koalicion.

Rrjedhimisht, dy partitë shkuan në seancën e 26 dhjetorit pa pasur marrëveshje për bashkëpunim.

Sido që të jetë, ani pse kryesia e Kuvendit është zgjedhur, jo ashtu siç thoshte në parim marrëveshja LV – LDK, Kurti dhe Mustafa do t’i vazhdojnë përpjekjet duke mbajtur takime kokë më kokë.

Pasi që nga e hëna ju mbeten vetëm edhe 15 ditë për të vendosur përfundimisht, Gazeta Express merr vesh se takimet e Mustafës dhe Kurtit do të mbahen larg syrit të mediave. Dy partitë nuk pranuan që të konfirmojnë nëse ka pasur ndonjë takim pas seancës konstituive në mes të Kurtit dhe Mustafës.

Megjithatë, në ofertën e fundit që kishte bërë LV-ja për Mustafën, e të cilën e bëri publike në Facebook edhe Albin Kurti, u bë e ditur se liderët ishin takuar në shtëpinë e Isa Mustafës, aty ku edhe u dha afati kohor se deri kur kishin kohë që t’i përgjigjeshin të njëjtës pozitivisht apo negativisht. Vetë Mustafa tha pas seancës, se me Kurtin ishin takuar kudo.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa me gjasë janë duke i marrë më seriozisht porositë që i sjellën në Kosovë dy deputetët gjermanë, e për të cilat u informua edhe kancelarja gjermane.

Një nga to, me theks të veçantë ishte që dy partitë të bënin biseda në telefon, e jo në mikrofon dhe në publik.

Së fundmi, ambasadat në vend kanë shtuar thirrjet për krijim sa më të shpejtë të institucioneve. Si rrjedhojë e saj, pak ditë më parë ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett takoi ndaras njerëzit kryesorë të të dy partive. Aty u bë vetëm një thirrje, që të merren vesh, në mënyrë që qeveria të bëhet sa më shpejtë.

Pas takimit të Kurtit dhe presidentit Hashim Thaçi, që është të hënën në ora 15:00, mbeten edhe 15 ditë kohë për të formuar qeverinë e re.

Deri tani, me zgjedhjen e Glauk Konjufcës kryetar të Kuvendit, janë prishur gjitha matematikat disa mujore për koalicionin.