Ballina Lajme nacionale A do të ketë reciprocitet të ri ndaj Serbisë?

A do të ketë reciprocitet të ri ndaj Serbisë?

37
SHPËRNDAJE

Duket se nuk do të ketë reciprocitet të ri ndaj Serbisë.

Ditë më parë mediet serbe kanë raportuar, se drejtoria e policisë kufitare së Kosovës ka marrë vendim pa miratimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për të mos lejuar dhe pranuar pasaportat e Republikës së Serbisë.

Në këtë situatë qytetarëve të Serbisë u pamundësohet hyrja në Kosovë, nëse ata përdorin pasaportën e Serbisë si dokument identifikues për të udhëtuar. Ata mund të udhëtojnë në Kosovë vetëm me letërnjoftim të Serbisë ashtu siç e parashikon edhe pika e tretë e Marrëveshjes së Brukselit për Lëvizje të Lirë.

Sipas zëdhënësit të policisë së Kosovës, Baki Kelani, po zbatohet vetëm Marrëveshja e Brukselit për Lirinë e Lëvizjes.

“Lëvizja/ kalimi i kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është e rregulluar me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes të vitit 2011. Policia e Kosovës ka vepruar dhe vazhdon të veprojë konform kësaj marrëveshjeje. Ne vetëm zbatojmë marrëveshjen.”, thotë ai.

Ndërsa, nga zyra për media e Ministrisë së Brendshme të Kosovës thuhet, se ky nuk është vendim nga qeveria. Por, vetëm po zbatohet Marrëveshja e Brukselit për Lëvizje të Lirë.

Pika e tretë e Marrëveshjes për Lëvizje të Lirë parashikon që secila palë të zbatojë një sistem, ku letërnjoftimet do të shoqërohen nga dokumente me “hyrje-dalje” për personat nga pala tjetër, të cilët dëshirojnë të kalojnë tranzit në një shtet të tretë.

E njëjta marrëveshje vlen që nga viti 2011 edhe për qytetarët e Kosovës, të cilët duan të udhëtojnë drejt Republikës së Serbisë me pasaportat e tyre.

-----