
Ministrja e Kulturës Elva Margariti, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, drejtoresha e UNOPS-it Freya Von groote, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj kanë nënshkruar ditën e sotme marrëveshjen “EU4CULTURE” e cila do të dedikojë plot 40 milionë euro në rigjallërimin e qendrave dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Margariti ka përcjellë disa nga detajet ku ndër të tjera nënvizon se:
“Nuk mund të kishte datë më simbolike se Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore , për nënshkrimin e një marrëveshjeje prej 40 milionë eurosh për restaurimin dhe rijetëzimin e monumenteve të dëmtuara nga tërmeti, e jo vetëm.
Firmosja e marrëveshjes mes Bashkimit Europian dhe UNOPS “preu shiritin” për nisjen e Programit EU4CULTURE, që do të shtrihet në 35 objekte të rëndësishme.
Ishte kjo, përgjigja kundrejt besimit në hapat që po hedh qeveria shqiptare, për të fituar kohën e humbur dhe për t’i dhënë një tjetër dimension trashëgimisë kulturore.
Sot, celebrojmë po ashtu edhe ditën e një cilëse përtej humanes, solidaritetit! ”, shkruan Elva Margariti. (TemA)