Ballina Sport 3 muaj pas bojkotit, Prodani: Humbje për futbollin, në Shqipëri s’ka Ligë...

3 muaj pas bojkotit, Prodani: Humbje për futbollin, në Shqipëri s’ka Ligë Profesioniste

11
SHPËRNDAJE
- Sponsor gjeneral -

Nga Fatjon Rupi

 Kanë kaluar gati tre muaj nga koha kur u mbyll bojkoti i kampionateve në futbollin tonë nga ana e Ligës Profesioniste të Futbollit dhe nisën garat zyrtare. Po çfarë ka ndryshuar pas atyre katër kërkesave ndaj qeverisë, ku Liga, e mbështetur nga FSHF-ja dhe klubet, këmbëngulën aq shumë dhe që pas shumë negociatash u fol për një marrëveshje?

Eduard Prodani, ish-zyrtar i lartë i FSHF-së dhe një njohës i mirë i fushës, në një intervistë për Gazeta Si, thekson se asgjë nuk ka ndryshuar, madje për futbollin e luajtur ka pasur vetëm humbje. Prodani, që edhe në atë kohë ishte i bindur për zhvillimin e kampionatit, pavarësisht kërcënimeve nga Liga, thotë se në Shqipëri nuk ka Ligë Profesioniste. Ai komenton edhe dorëheqjen e Libohovës.

Z.Prodani, sa vlejti ai bojkot i kampionatit të futbollit nga Liga Profesioniste?

Bojkoti i kampionatit nuk ishte tjetër, veç një aksion politik i maskuar, për të cilin disa nga aktorët thanë, por pa e kuptuar realisht se për çfarë bëhej fjalë. Si i tillë, nuk do të sillte asnjë përfitim, por vetëm humbje për futbollin, sidomos atë të luajtur. Nga ana tjetër, duke qenë në të vërtetë i projektuar që të çojë ujë në “mullinjtë e përhershëm”, ai me siguri në ndonjë mënyrë ja ka vlejtur pak, apo shumë për ndokënd. Mënyra se si u hap dhe u mbyll, nuk lë asnjë dyshim për këtë gjë.

A ka ndonjë ndryshim real në futbollin tonë, pas asaj “marrëveshjeje” me qeverinë, që Liga Profesioniste e Futbollit e konsideroi sukses?

Së pari, përsëris për të shumtën herë që në Shqipëri nuk ka “Ligë Profesioniste”. Së paku deri tani. Ajo që quhet “Ligë” është vetëm një manovër për t’i dhënë fytyrë kolegjiale veprimeve që u vendosën dhe u ndërmorrën nga drejtuesit e FSHF-së. Së dyti, “marrëveshja” duket se ishte thjesht një marifet për të bërë të mundur që FSHF-ja të dilte nga “çadra”, ku futi veten dhe futbollin, me imazh dhe reputacion të dëmtuar sa më pak.

Si e shikoni dorëheqjen e presidentit Edvin Libohova?

Nuk mund të spekuloj mbi këtë, duke thënë më shumë se sa vetë palët. Por mund të them se zoti Libohova tashmë nuk është më në pozitën e vështirë të atij që duhet të shërbejë si fasadë, pas së cilës merren vendime, me të cilat ai mund të mos jetë dakord. Në të vërtetë gëzohem për zotin Libohova. Ai gëzon reputacionin e një njeriu që ka kontribuuar për futbollin në kohën kur ky nuk keqpërdorej, siç bëhet rëndom sot.

Çfarë mendoni se do të ndodhë në vazhdim?

Si zakonisht, në vazhdim nuk pres të ndodhë asgjë. Për fat të mirë, në futbollin e luajtur shoh zhvillime pozitive. Rikthimi në elitë dhe në maja i Vllaznisë është gjithmonë një lajm i gëzuar. Futbolli do të vazhdojë të jetojë nga pasioni, aftësitë dhe sakrificat e sipërmarrësve dhe të vetë futbollistëve.

---- ----
----
----- ----
-----