Ballina Sport 205 milionë euro: Morata, futbollisti më i shtrenjtë spanjoll. Tani rivalizon me...

205 milionë euro: Morata, futbollisti më i shtrenjtë spanjoll. Tani rivalizon me Neymar

19
SHPËRNDAJE

Alvaro Morata bëhet “kryefjalë” edhe merkaton e kësaj vere. Vetëm disa muaj pasi Atlético Madrid e bëri efektiv transferimin e tij 65 milionë eurosh nga Chelsea, sulmuesi spanjoll largohet nga “rojiblanco”. Si fillim është huazuar te Juventusi në këmbim të 10 milionë eurove, me të drejtën e blerjes përfundimtare. Kujtojmë se ai ka luajtur me bardhezinjtë edhe më herët, për dy sezone, midis 2014 dhe 2016. Morata kthehet në Torino me rekordin e të qenit lojtari spanjoll, që ka xhiruar më shumë para gjatë transferimeve.

Plot 205 milionë euro kanë paguar klubet gjatë karrierës së deritanishme të 27-vjeçarit. Kjo shifër tregon potencialin e sulmuesit spanjoll, por edhe mungesën e stabilitetit në karrierë, me ndryshime të vazhdueshme të skuadrave. Në fakt, që kur Morata debutoi me Real Madridin, ai kurrë nuk ka qëndruar me të njëjtin ekip për më shumë se dy sezone. Mungesa e besimit te trajnerët e tij ka qenë e vazhdueshme, ashtu si mungesa e durimit të futbollistit, sa herë që nuk e ka shijuar rolin e titullarit të padiskutueshëm.

Morata bëri debutimin e tij në elitë me Real Madridin në sezonin 2012-2013. Qëndrimi i tij zgjati një vit më shumë, deri në 2013-2014. Nën urdhrat e Ancelottit, Morata fitoi “La Décima”, por ishte në hije të “tridentit” BBC. Me atë rivalitet, vështirë se mund të kishte ndonjë shans, ndaj u largua një vit më vonë te Juventusi. Atje nënshkroi për 20 milionë euro, megjithëse Real Madridi ruajti një mundësi blerjeje për 30 milionë euro. Bardhezinjtë e aktivizuan atë opsion në sezonin 2016-2017 dhe Morata u kthye në “Bernabéu”, duke siguruar se “po përmbushte një ëndërr”. Por, aty nuk e gjeti rolin e pritur dhe kërkoi të largohej një sezon më vonë. I lodhur për të qenë zëvendësues i Benzema dhe Cristiano Ronaldo, ai shkoi te Chelsea për 80 milionë euro.

Ishte korrik 2017 dhe Morata po bëhej lojtari më i shtrenjtë në futbollin spanjoll. Te Chelsea, Morata kaloi ditët më të këqija si futbollist. Ai nuk u ambientua me klubin dhe qytetin për një vit e gjysmë. Këtë herë zgjodhi të kalonte te Atlético Madrid. Në janar 2019, Morata zbarkoi në “Wanda Metropolitano” në formë huazimi, me detyrim blerjen përfundimtare verën e vitit 2020 për 65 milionë euro. Një pagesë që Atlético Madridi e bëri kohët e fundit.

“Dashuria” mes sulmuesit dhe Simeone nuk ndezi. Kjo është arsyeja pse tani, Morata ka kërkuar ndryshim atmosfere. Telefonata e Pirlos, me të cilin përkoi si futbollist, ka qenë thelbësore për lojtarin që të kthehet në Itali… për 10 milionë euro huazim 1-vjeçar. Në total, pra, spanjolli ka xhiruar 205 milionë euro transferime. Fernando Torres është shumë larg, për të cilin u paguan 94 milionë euro: 36 milionë euro nga Atlético te Liverpool dhe 58 milionë euro nga Liverpool te Chelsea.

-----