Zjarre të mëdha në Norvegji, zhvendosen qindra njerëz
17:07 | 24 Prill 2019

Banorët e 148 shtëpive janë larguar nga to afër qytetit të Sokndalit, ku zjarret filluan nga e marta. Policia ka njoftuar se zjarret janë ende jashtë kontrollit dhe ka paralajmëruar se erërat e fuqishme mund të ndikojnë në përshpejtimin e përhapjes së tyre.

Prilli po vlerësohet si periudhë shumë e hershme për paraqitjen e zjarreve në Norvegji. Ekspertët kanë paralajmëruar se zjarret mund të përhapn në përmasa dramatike në tërë kontinentin e Evropës.

Vetëm gjatë këtij muaji, zjarret në natyrë kanë shpërthyer në Suedi, Gjermani, Norvegji dhe Britani të Madhe. Një zyrtar i Sistemit Evropian për Informata rreth Zjarreve në Pyje tha se zjarret në Evropë e kanë kaluar shkallën mesatare për këtë periudhë të vitit. “Ky sezon është shumë më i keq në krahasim me vitet e kaluara të kësaj dekade”, tha ai.

Policia në pjesën jugperëndimore të Norvegjisë ende nuk e kanë të qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin në pyje, i cili deri tash e ka djegur një sipërfaqe prej 7.5 kilometrash katrorë. Aktualisht në këtë zonë ka erëra me shpejtësi nga 9 deri 11 metra në sekondë dhe ky mot po e rëndon situatën, shkruan “BBC”.

Alesia Bami