Zbulohet korrupsioni i policëve kufitarë shqiptarë e maqedonas (VIDEO)

0

Me pak euro mund të kapërcesh të gjitha pengesat e Schengenit. “Fiks Fare” tregoi këtë të martë se si policët e pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës lejojnë të kalosh drejt Shkupit, për të vazhduar më tej në vendet e Evropës, pa respektuar asnjë nga pikat e rregullores së lëvizjes së lirë në vendet e hapësirës Schengen.

378-600x330

Ashtu si edhe në pikën kufitare të Murriqanit, rast ky i denoncuar të hënën, edhe në Qafë Thanë shoferi i autobusit i cili kalon vazhdimisht pasagjerë drejt Shkupit, të orienton se si duhet të veprosh me punonjësit e Policisë, madje është edhe ndërmjetës i tyre.

Kësaj radhe pagesa është 20 euro për person, por në të dy krahët e kufirit. Pra, 20 euro për person për përgjegjësin e turnit, 1,000 lekë për policen që vulos pasaportat, si dhe 20 euro për person për policin në tokën maqedonase.

Kalvari i tre djemve të rinj, të cilët për të lëvizur lirshëm drejt vendeve të Schengenit mjaftojnë të mbushin pasaportat me 20 apo 50 euro, vazhdoi edhe mbrëmjen e së martës në emisionin “Fiks Fare”. Pas pikës së Murriqanit dhe të Kakavijës, kamerat e “Fiks Fare” kanë ndjekur udhëtimin e të rinjve edhe drejt pikës kufitare të Qafë Thanës. Sa i përket ngjarjes së djeshme, pas denoncimit në emisionin investigativ “Fiks Fare” në TCH, të rastit të marrjes së ryshfetit nga dy punonjës policie për lejimin e kalimit të kufirit të tre personave, Ministria e Brendshme njoftoi arrestimin e tyre.

Tre të rinjtë janë nisur me minibus nga Tirana për në Strugë të Maqedonisë. Me mbërritjen e tyre në pikën kufitare të Qafë-Thanës, polici i kufirit i zbret nga minibusi dhe i drejton drejt sportelit të vulosjes së pasaportave.

Edhe pse të rinjtë janë të pajisur me të gjithë dokumentacionin e duhur, ata shoqërohen drejt e te përgjegjësi i turnit. Ky i fundit u thotë djemve që nuk mund të kalojnë dot drejt Maqedonisë, pa dhënë garancinë e personit që i pret në destinacionin final, në rastin konkret në Shkup.

Kaq mjafton për t’i nxjerrë jashtë zyre të rinjtë, duke nënkuptuar se nuk do t’i linin të kalonin matanë kufirit. Gjithçka ndryshon brenda disa minutave, kur drejt të rinjve, nën vëzhgimin e kamerave të “Fiks Fare” afrohet shoferi i minibusit, bashkë me përgjegjësin e turnit, dhe u thonë djemve që t’i japin “shefit” nga një kafe dhe të kalojnë lirshëm pikën kufitare të Qafë Thanës. Kafja e “shefit” është 20 euro për një person dhe ai i instrukton tri djemtë se çfarë duhet të thonë edhe pasi të arrijnë te pala maqedonase. Por përveç kafes së “shefit”, edhe punonjësja e pikës kufitare, e cila vulos pasaportat, kërkon tarifën e saj prej 1,000 lekësh nga secili.

Pasi kanë paguar shumat e kërkuara, djemtë vazhdojnë rrugën me pasaportat e vulosura drejt palës maqedonase. Në anën maqedonase, djemtë i drejtohen sportelit të kontrollit, ku polici i pyet në shqip se sa persona janë. Djemtë i tregojnë se janë 4 veta që duan të udhëtojnë drejt Shkupit, por polici maqedonas u kërkon garancinë.

Duke mos e pasur një gjë të tillë, ai nuk i lejon djemtë të vazhdojnë udhëtimin e tyre. Djemtë bëjnë një përpjekje të fundit duke iu lutur, por polici i palës maqedonase i përzë nga sporteli, duke mbajtur vetëm njërin prej tyre aty. Pas bisedës me të, polici maqedonas i drejtohet njërit prej djemve, duke i thënë se do të flasë me komandantin e tij.

Pas takimit me komandantin, polici maqedonas flet me njërin nga djemtë shqiptarë, e gjatë bisedës nënkuptohet se kërkojnë nga 80 euro për të 4 djemtë. Djemtë nuk e pranojnë shumën, duke ofruar vetëm 50 euro, por polici maqedonas nuk pranon.

Atëherë në “lojë” futet shoferi i minibusit, i cili pasi merr vesh nga djemtë për shumën që kanë kërkuar policët maqedonas, ua merr shumën prej 80 eurosh dhe shkon vet t’iu vulosë pasaportat, me nga 20 euro secili brenda. Pas këtij kalvari, djemtë kalojnë.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com