Zaev: Grueveski i ka të numëruara orët në krye të Qeverisë

0

Lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev nga mitingu i madh para Qeverisë në Shkup e porositi kryeministrin Nikolla Gruevski që të largohet dhe ta lirojë Maqedoninë nga despotizmi i tij.

z_9967

“Kam një mesazh konkret dhe të qartë për Gruevskin: Mos e zgjat! Po e sheh edhe vetë se mbaroi e jotja. Shko!”, porositi Zaevi para një numri të madh qytetarësh të grumbulluar në protestën e madhe para Qeverisë së Maqedonisë.

Kërkesën për dorëheqjen nga Gruevski, Zaevi e kërkoi në emër të të gjithë qytetarëve, nga pjesëtarët e të gjitha kombësive, të shoqërisë civile, të të gjitha proveninciencave politike.

“Asgjë më shumë s’mund të bëjë më Gruevski përveç që ta braktisë këtë ndërtesë, sepse i ka të numëruara orët”, tha Zaevi, duke ia numëruar kryeministrit aktual krimet që i ka bërë, e për të cilat dëshmuan telefonatat e përgjuara, të cilat u publikuan gjatë muajve të kaluar.

“Le ta zgjojmë që t’i ndihmojë Maqedonisë me atë që do të largohet”, thirri Zaevi

Lidhur me deklaratën e Gruevskit se do të ishte “qyqari po ta braktiste qeverinë në këto momente të vështira të vendit”, Zaevi tha se “qyqari është që të mbahet peng Maqedonia”

“Me apo pa vullnetin e Nikolla Gruevskit – ai do të shkojë! Domosdo do të shkojë!”, tha Zaevi, duke shtuar se “tjetër zgjidhje s’ka për këtë krizë, për t’u kthyer demokracia që e shkeli, shpresat e njerëzve, të ngrihet Maqedoni e cila është e përgjunjur”.

Përveç prej Gruevskit, ai kërkoi dorëheqje edhe nga kryeprokurori i shtetit Marko Zvrlevski, prokurori për krim të organizuar Jovan Ilievski dhe strukturat udhëheqëse të Radio-Televizionit të Maqedonisë.

Është e domosdoshme një marrëveshje politike për formimin e qeverisë kalimtare me mandat që do të sigurojë kushte për mbajtjen në afat të caktuar të zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike, në mënyrë që të kthehen në normale të gjitha mekanizmat e një shteti normal, shprehi bindjen shefi i opozitës.

“Erdhëm dhe nuk shkojmë derisa ta kthejmë paqen, qetësinë dhe dinjitetin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha Zaevi.

Tubimi i sotëm, më i madhi në historinë e Maqedonisë, tha Zaevi, është mesazhi më i fuqishëm që i dërgon Maqedonia Gruevskit. Është mesazhi i Maqedonisë së bashkuar, Maqedonisë multietnikisht të bashkuar, të etshme për liri dhe demokraci.

Lideri socialdemokrat kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të ndihmojë me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë, jo vetëm me vëzhgim, për zgjidhjen e krizës në Maqedoni. Inatet e Gruevski, të cilat po i tregon vazhdimisht, tërhoqi vërejtjen Zaevi, tregojnë se ai mund ta çojë vendin drejt një zgjidhjeje të padëshiruar.

Parimet kyçe mbi të cilat do të mbështetet LSDM-ja në ndërtimin e shtetit pas rrëzimit të Gruevskit, tha Zaevi janë: Maqedonia do të jetë shtet i përbashkët, shoqëri stabile, demokratike dhe multietnike e të gjiithë qytetarëve që kanë lindur dhe jetojnë në këtë shtet, pa kurrfrë dallimesh. Ai premtoi ndryshime në politikën sociale, në shëndetësi, arsim, transparencë në punën e ekzekutivit, e kështu me radhë.

Maqedonia do të jetë një shtet , një shoqëri e qytetarëve të barabartë, qytetarëve që janë krenarë me shtetin e vet. “Dallimet janë pasuria jonë dhe në bazë të kësaj do të ndërtojmë themelet e shtetit të ri, multietnik dhe multikulturor, porositi lideri i opozitës.

“Kjo e keqe, që e gjeti Maqedoninë gjatë viteve të pushtetit të Gruevskit, s’do të përsëritet kurrë më!”, tha Zaevi.

Ai premtoi se LSDM-ja me partnerët e vet dhe me ndihmën e shoqërisë civile, do të ndërtojë një shoqëri multietnike, si pasuri e shtetit, me njerëz dinjitozë. Republika e Maqedonisë do të jetë shtet shembull social që do të përkujdeset për të gjithë qytetarët, që të kenë jetë dinjitoze, tha mes tjerash Zaevi, duke shtuar se “paratë që u vodhën do t’i kthehen shtetit dhe popullit”.

Ai i thirri të gjithë njerëzit dhe subjektet liridashëse që bashkë ta ndërtojnë ardhmërinë e vendit.

“Do të ndërtojmë shoqëri ku do të ketë vend për të gjithë. Do t’i kthehemi përcaktimit për anëtarësim në BE dhe NATO, do të ndërmarrim gjithçka për ta zgjidhur problemin me emrin”, tha Zaevi.

Ai shtoi se asgjë më nuk do të bëhet prapa shpinës së popullit.

“Gruevski mjaft e rrejte popullin se dikush do pushtet. S’jemi këtu për pushtet. Ne këtu së bashku erdhëm për liri”, tha Zaevi duke paralajmëruar: “Gruevski, Je në duart e së vërtetës! Mbetemi këtu para Qeverisë. Dorëheqja e Nikolla Gruevskit patjetër do të vijë. Derisa të largohet Gruevski nuk largohemi prej këtu”.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com