Xhandarmeria serbe rrah deri në alivanosje një qytetar në veri

0

Xhandarmeria serbe rrah deri në alivanosje një qytetar në veri

Katër pjesëtarë të xhandarmerisë së Serbisë kanë rrahur pronarin e kafiterisë ‘Cuba’, Filip Manojloviq’, e cila ndodhet në veri të Mitrovicës, ndërsa viktima është në gjendje të rëndë dhe ndodhet në shok dhomë, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it.

Sipas këtyre burimeve, ngjarja ka ndodhur të shtunën mbrëma rreth orës 22:00 afër kësaj kafiterie, ndërsa shkas ka qenë parkimi i automjeteve të xhandarëve serbë para lokalit të viktimës.

“Po mbahej koncerti ‘Bozhur Fest’ me këngëtarë të estradës nga Serbia dhe dy automjete ‘Jeep Pajero’ me ngjyrë të zezë të pjesëtarëve të xhandarmerisë serbe janë parkuar në parkingun privat të kafeterisë ‘Cuba’, pronar i së cilës është Filip Manojloviq, i cili atë vend e shfrytëzon vetëm për vete. Pasi ka dalur Manojloviq për të biseduar me xhandarë, të cilët kishin të veshur bluza të zeza dhe tashmë të njohur më për qytetarët e veriut me sjelljet e tyre arrogante, ka plasur sherri dhe këta të fundit kanë filluar ta rrahin atë deri në alivanosje. E kanë lënë të shtrirë për tokë po thuajse gjysmë të vdekur dhe janë larguar me qetësi, ndërsa qytetarët e pranishëm janë tronditur nga skenat që panë. Pastaj nga kafeteria kanë dalë persona tjerë dhe e kanë dërguar në spitalin e qytetit ku ndodhet edhe sot”, kanë thënë burimet.

Burimet më tej kanë shtuar se përkundër që qytetarët kanë informuar Policinë e Kosovës dhe ajo është në dijeni për ngjarjen, në stacionin e policisë në veri nuk është hapur fare rast në lidhje me këtë incident.

Kosovapress-i ka provuar të kontaktojë përgjegjësit e Policisë së Kosovës në veri në lidhje me incidentin, por pa sukses.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com