Vuçiqi shkul buste shqiptare në Luginë, ngul ato serbe në Kosovë

0

Vucic

Gjatë ditës së nesërme kryeministri serb Aleksandër Vuçiq do ta vizitojë Kosovën, përkatësisht komunat të cilat janë të banuara me serbë.

Kjo vizitë e Vuçiqit, ndonëse shumë e mirëpritur nga ana e qytetarëve serbë të Kosovës dhe po ashtu edhe nga politikanët serbë, analistët këtë vizitë të tij e shohin si një lloj provokimi për shqiptarët.

Analisti Jon Leka ka thënë për “Zeri”, se Vuçiq “shkul buste shqiptare në Luginë, ngul ato serbe në Kosovë”, e që, sipas tij, vetë vizita e kreut të ekzekutivit serb në Kosovë dhe vendosja e bustit të mbretit Millutin në Graçanicë, është një provokim mjaft i madh për shqiptarët.

“Agjenda e Vuçiqit në fakt është psikografia totale e primatëve, e politikës qeveritare kosovare të pakurriztë, jashtëzakonisht servile ndaj presioneve të jashtme dhe pa asnjë përgjegjësi ndaj interesave të brendshme. Jo për shkak vizitës si të tillë, por për shkak të lejimit të shpalimit të përmendores së mbretit serb Millutin në Graçanicë. Kjo pas një kohe aq të afërt kur policia serbe me ekskavatorë dhe traktorë hoqi zvarrë përmendoret në Luginë. Shoqërisë kosovare kjo i transmeton patjetër përshtypjen që çon në mllef ndaj serbëve, të cilët bëjnë çka të duan edhe në vendin e tyre dhe askujt nuk i japin llogari. E keqja në këtë kontekst është se ky mllef përgjysmë shkon edhe në konto të BE-së, e cila e detyron vendin të sillet kështu”, ka deklaruar ai.

Leka po ashtu ka thënë se Vuçiq në asnjë mënyrë nuk do ta lërë që t’i ikë ky rast dhe të provokojë me fjalimin e tij.

“Duke pasur parasysh fjalorin politik serb me mitet dhe legjendat, patjetër se ai do të flasë gjëra që do ta provokojnë edhe shqiptarin më të qetë, mirëpo një reagim ndaj vizitës së tij, duke shkaktuar ndonjë eksces do të ishte e keqja më e madhe për vendin. Përgjegjësia duhet të kërkohet nga Qeveria vendore dhe BE-ja, të cilat patjetër që të dyja janë duke maltretuar durimin shqiptar”, ka thënë Leka për “Zeri.info”.

Po ashtu edhe Artan Muhaxhiri, ka thënë se edhe Vuçiqi sikurse edhe politikanët e tjerë serbë do të mundohen që edhe më tej serbët e Kosovës t’i mbajnë me iluzionin se Kosova nuk është e pavarur.

“Mendoj që kryeministri Vuçiq nuk do ta ndryshojë hijen e njohur të politikanëve serbë ndaj Kosovës, andaj do të përdorë një diskurs nacionalist dhe do të synojë edhe më tej t’u japë serbëve të Kosovës iluzionin se Kosova nuk është shtet i pavarur. Dihet se vizitat e politikanëve serbë në Kosovë bëhen vetëm për qëllime intelektuale dhe nuk mund të kenë asnjë ndikim në realitetin aktual”, ka deklaruar Muhaxhiri për “Zëri.info”, i cili shtoi se serbëve të Kosovës shumë më tepër mund t’i ndihmojë Brukseli sesa Vuçiqi.

Sipas tij, të gjithë politikanët serbë kanë interes që të vijnë në Kosovë, pasi që siç deklaroi Muhaxhiri, serbët e Kosovës kanë mundësi që të votojnë në Serbi dhe në këtë mënyrë, ky është interesi i politikanëve serbë që të mbledhin sa më shumë vota.

Ndërsa analisti Imer Mushkolaj, ka thënë se deklarata që Vuçiq do t’a thotë nesër pa dyshim mund të jetë se “Kosova është Serbi”, e që sipas Mushkolajt, ky nuk është një provokim për kosovarët, pasi që sipas tij, ndaj deklaratave të tilla asnjë herë deri më tani nuk kanë reaguar politikanët kosovarë.

Mushkolaj thotë se problemi i vetëm është tek mos reagimi i politikanëve kosovarë ndaj deklaratave të tij provokuese.

“ Në fakt, nga Vuçiq pritet të bëjë deklarata të tilla, sepse ai është mësuar tashmë, por problem është mos reagimi zyrtar i institucioneve të Kosovës dhe udhëheqësve të tyre. Problemi, po ashtu, qëndron në faktin se zyrtarët e Kosovës nuk ia kushtëzojnë Vuçiqit dhe zyrtarëve të tjerë të Serbisë ardhjen në Kosovë me mos bërjen e deklaratave provokuese, gjë që është e nevojshme”, ka deklaruar Mushkolaj, i cili shtoi se “Vuçiq mund të bëjë deklarata provokuese pa e pasur drojën se dikush do t’ia ndalojë ose të paktën t’ia tërheq vërejtjen”.

Mirëpo, sa i përket asaj se përse vizitat e politikanëve kosovarë janë shumë të rralla në Luginën e Preshevës, analisti Jon Leka ka thënë se duke e marrë parasysh që Vuçiqi nesër vjen në Kosovë në cilësinë e kryeministrit serb, ai duhet ta organizojë një pritje të tillë edhe për kryeministrin kosovar, Isa Mustafa.

“Do të ishte e ndershme që një gjë e tillë t’i organizohet nga Vuçiqi Isa Mustafës në Luginë sa më shpejt. Përndryshe asgjë nuk do të jetë në rregull”, ka thënë Leka.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com