Vuçiq akuzon Haradinajn për protestat e dhunshme në Serbi
16:28 | 17 Mars 2019

Pak orë pas sulmit në televizionin Shtetëror serb ku dhjetëra protestues hynë në ambientet e brendshme të ndërtesës, presidenti Aleksandar Vuçiq ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij se qëndrojnë pas protestave të dhunshme.

“Kur Haradinaj tha se do të më rrëzonte nga Qeveria, mendova se po bënte numra. Tani e shoh se ai ka bashkëpunëtorët e tij këtu, mes nesh. Boshko Obradoviq është fashist i vogël, i cili mendon se me dhunë ndaj njerëzve mundet të arrijë diçka”, transmeton Vizion Plus.

Vuçiq tha nga pallati presidencial se të gjithë ata që shkelin ligjin, do të përgjigjen përpara drejtësisë.

“Unë i bëj thirrje qytetarëve që mos të bëhen pjesë e dhunës, sepse të gjithë do të përgjigjen para ligjit. Të gjithë ata që morën pjesë në dhunën e natës së kaluar, do të mbajnë përgjegjësi. Serbia nuk e toleron një gjë të tillë. Të gjithë ata që mendojnë se me anë të dhunës, mund të arrijnë rezultate në politikë, gabohen”, theksoi ai.

E ndërsa presidenti serb mbante fjalimin e paralajmëruar, dhjetëra protestues ishin mbledhur para pallatit presidencial.

Ata kërkuan dorëheqjen e Vuçiq dhe hodhën parulla kundër tij.

Disa prej protestuesve shemben gardhet e hekurta të vendosura para presidencës.

Tubimet e opozitës në Serbi, u përshkallëzuan mbrëmjen e të shtunës kur dhjetëra persona mes tyre edhe udhëheqësit e Aleancës për Serbinë, hynë brenda Televizionit Shtetëror.

Ata u nxorën nga forcat e sigurisë vetëm pas dy orësh.

Media shtetërore serbe nuk i transmeton  protestat anti-qeveritare që mbahen në Beograd çdo të shtunë që nga 8 dhjetori I vitit të kaluar, e një gjë e tillë ka shkaktuar pakënaqësinë e opozitës dhe mbështetësve te saj.

Kejvina Kthella