Vritet një shqiptar në Milano, viktimë e një sherri në një lokal nate

0

Bar Sport

Një 26 – vjeçar shqiptar është vrarë pak para mesnatës së shkuar, në periferi të Milanos.

Nga deklarimet e dëshmitarëve, të marra nga policia, mësohet se në një lokal që menaxhohet dhe frekuentohet nga shqiptarë, ku i riu shqiptar, Endri Mrishaj ishte klient, dy persona që mendohet të jenë me nënshtetësi gjeorgjane, kanë konsumuar për kohë të gjatë pije alkoolike dhe janë ngrindur për shkaqe banale me një pjesëtar të personelit, i cili u ka kërkuar të mos bëjnë zhurmë.

Për të qetësuar sherrin ka ndërhyrë edhe shqiptari, por një prej gjeorgjanëve ka nxjerrë armën duke qëlluar disa herë. Si pasojë e të shtënave është plagosur në bark 26 – vjeçari shqiptar, që ka humbur jetën më pas në spital.

Një tjetër shqiptar, 30 – vjeç, ka marrë plagë në këmbë, por është jashtë rrezikut për jetën. Mbi këtë ngjarje po përpiqen të hedhin dritë Karabinierët e Cassano d’Adda, si dhe hetuesit e Monza me specialistët e Policisë Shkencore.

Autoritetet kanë punuar gjithë natën për të zbardhur ngjarjen, duke mbledhur fakte dhe rrëfimet e dëshmitarëve okularë.

Shqiptari Mrishaj rezulton me precedentë penale, pasi është ndaluar përpara disa kohësh nga policia me 80 gramë kokainë, por me vendim të gjykatës u la në arrest shtëpie.

Tv Klan

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com