Vrau burrin me Kallash, dënohet me shtatë vjet burg

0

Vrau burrin me Kallash, dënohet me shtatë vjet burg

Besiana Veseli është dënuar të enjten me shtatë vjet burg për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Ajo akuzohej se qëlloi me AK 47 drejt bashkëshortit me inicialet M.J., duke e vrarë atë.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, gjyqtari Florent Latifi shpalli vendimin për të akuzuarën Besiana Veseli.

Ajo u dënua me shtatë vjet burg për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Prokuroria akuzonte Veselin se kishte vrarë bashkëshortin me armën e tipit AK 47, ndërsa mbrojtja pretendonte se këtë akt tash e dënuara e kishte kryer në gjendje afekti.

Të hënën, në seancën para se e akuzuara të dënohej, mjeku Valon Qeska që ekzaminoi Veselin mohoi se kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur në afekt mendor.

Veseli tha atë ditë se ishte keqtrajtuar vazhdimisht nga burri i saj, ndërsa e kishte qëlluar të ndjerin M.J., pasi ai kishte goditur me shuplakë vajzën nga martesa e përbashkët.

Gjyqtari Latifi pas shpalljes së vendimit tha se palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi gjatë 15 ditëve të ardhshme.

As pala mbrojtëse, e as ajo akuzuese nuk u deklaruan nëse do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë.

E dënuara do të paguajë edhe paushallin prej 100 eurosh për shpenzimet e procedurës gjyqësore.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com