Vitet gjermane të Putin dhe nata që i ndryshoi përgjithmonë jetën

0

Kushdo që dëshiron të kuptojë Vladimir Putin dhe vendimet e tij sot, duhet që më parë të dijë se çfarë ka ndodhur çerek shekulli më parë në Dresden, asokohe pjesë e Gjermanisë Lindore.

1427469907putinokok

Është 5 Dhjetor i vitit 1989, pak javë pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Fuqia e popullit është duke varrosur komunizmin. Turma e mëdha e njerëzve që kërkonin demokracinë mësynë zyrat qendrore të STASI-t, policisë sekrete në Gjermaninë Lindore. Një grup më i vogël protestuesish nuk u ndalën me kaq. Ata vazhduan rrugën duke u ndaluar tek një shtëpi e madhe, që në atë kohë ishte zyrë lokale e KGB-së, shërbimit sekret sovjetik.

“Roja te porta u fut menjëherë brenda shtëpisë dhe pak pas kësaj një oficer trupvogël doli jashtë i nxehur. ‘As mos t’iu shkojë ndërmend që të hyni me forcë në këtë pronë. Shokët e mi janë të armatosur dhe ata kanë autorizmin që të përdorin armët në raste emergjente’, na tha ai”, kujton Siegfried Dannath, pjesëmarrës në atë protestë.

Grupi iu bind kësaj thirrjeje dhe u tërhoq prej andej. Por oficeri i KGB-së e dinte se na çfarë rreziku ishte ai dhe shokët e tij, ndaj iu drejtua njësisë së tankeve të Ushtrisë së Kuqe që ndodhej në Dresden për t’i kërkuar mbrojtje.

Përgjigjja që mori ishte tronditëse dhe do t’i ndryshonte jetën. “Nuk mund të bëjmë asgjë pa një urdhër nga Moska…dhe Moska po hesht.”

Kjo frazë “Moska po hesht” ka përndjekur këtë njeri që prej asaj kohe e deri tani që ai është bërë vetë “Moska”, President i Rusisë, Vladimir Putin.

Biografi gjerman, Boris Reitschuster thotë se kjo ngjarje është çelësi për të kuptuar Putin. “Pa këtë ngjarje do të kishim një tjetër Putin, një tjetër Rusi”, thotë ai. Mbi të gjitha kjo ngjarje për Putin ishte një mësim i rëndësishëm për brishtësinë e elitave politike dhe se sa kollaj mund të rrëzoheshin ato prej njerëzve.

Putin mbërriti në Dresden në mes të viteve 1980 me detyrën e parë si agjent i KGB-së jashtë Bashkimit Sovjetik. Republika Demokratike e Gjermanisë Lindore, një shtet komunist i krijuar nga zona e kontrolluar prej Moskës në përfundim të Luftës së Dytë Botërore ishte e një rëndësie të veçantë. Pozicionimi i saj në kufi me Perëndimin e bënte një zonë të mbipopulluar me ‘spiunë’.

Asnjë prej tyre, madje as vetë Putin s’e priste përgjigjjen “Moska po hesht”. Madje ai ishte ndër ata persona që vinte bast se njerëzit në kryeqytetin e Bashkimit Sovjetik do ta mbronin atë dhe kolegët e tij, por “në Moskë nuk lëvizën asnjë gisht”, presidenti i asaj kohe, Mikhail Gorbachev “heshti”.

Dy javë më vonë mbërrin edhe ‘goditja’ tjetër. Në Dresden mbërriti kancelari i Gjermanisë Perëndimore, Helmut Kohl i cili në fjalimin e parë vlerësoi Gorbachev, njeriun e Moskës që refuzoi të nxjerrë tanket kundër njerëzve që protestonin.

Fjalimi i tij ishte ndezës dhe me një gjuhë patriotike që për gjermanët kishte qenë tabu që prej Luftës së Dytë Botërore. Me fjalët “Mëmëdheu” dhe “Atdheu”, Kohl i hapi rrugën bashkimit të Gjermanisë.

Nuk dihet nëse Putin ishte mes turmës në këtë fjalim, por si një agjent i KGB-së në Dresden me siguri që është vënë në dijeni të fjalimit. Më vonë shkrirja e Gjermanisë Lindore ishte një tjetër goditje për të. Ai së bashku me familjen u detyrua që të rikthehej në Rusi, duke braktisur mënyrën e jetesës që kishte ngritur.

“Ndjeheshim keq kur mendonim se vendi, që për pak u shndërrua në shtëpinë tonë, nuk do të ekzistonte më. Fqinjët e mi qanë për një javë. Ishte një kolaps, një shkatërrim i jetës dhe karrierës së tyre”, rrëfen Ludmila, bashkëshortja e asaj kohe e Vladimir Putin.

Njëri prej kontakteve kryesore të Putin te STASI, Gjeneral-Major Horst Boehm, njeriu që e ndihmoi në vendosjen e telefonit përgjues për një informator, u poshtërua gjatë nga trumat dhe në fillim të vitit 1990 vrau veten.

Veprimi i tij shërbeu si një paralajmërim për Putin mbi pushtetin e njerëzve, pushtetin e turmave. Me këtë mësim u kthye në Rusi, në Leningradin që po transformohej sërish në Shën Peterburg falë Mikhail Gorbachev.

Në Dresden kishte vendosur kontaktet e duhura dhe njihte persona që vërtet mund të kishin humbur rolin dhe peshën e tyre të vjetër në Bashkimin Sovjetik, por ishin të parët që përfituan duke u ngritur personalisht në biznese dhe politikë në Rusinë e re.

Ndaj sot për shumë analistë dhe kritikë të Putin, protestat e 2004-ës në Kiev, revoltat në Sheshin Maidan në 2013 dhe 2014 i kujtojnë Dresdenin dhe këtu del në dukje frika e vjetër e “Moska po hesht”. Prandaj për të kuptuar hapin e radhës të Vladimir Putin duhet njohur më parë çfarë ka kaluar ai në jetën e tij.

E si përfundim, në gjithë këtë histori një gjë është e sigurtë; për aq kohë sa në krye të Kremlinit do të jetë Putin, vështirë se Moska do të heshtë ndonjëherë.

/ Top Channel

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com