Vëmendje: Ja si mund ta pastroni telefonin pa e gërvishtur atë
16:00 | 16 Qershor 2018

Duart tona janë ndër pjesët më të ndyra të trupit. Na falni, por është e vërtetë. Dhe kjo i vë telefonat tanë të mençur në një pozitë të pafat. Ju nuk doni që pajisja juaj e teknologjisë së lartë të jetë një makth që bart sëmundje, por gjithashtu nuk mund ta hidhni atë në pjatalarëse për ta pastruar. Për fat të mirë, ka disa këshilla dhe truqe që mund t’i përdorni për ta pastruar telefonin tuaj (vetëm duhet ta keni parasysh garancinë tuaj)

Po, telefoni juaj është i ndyrë. Thjesht, lexoni se çfarë i ndodhi shkrimtares në Buzzfeed kur ajo e testoi telefonin e vet dhe të kolegëve të saj për të parë se çfarë po jetonte në ta. Paralajmërim: tekstualisht çdo telefon ishte në thelb një parajsë e mikrobeve. Por nuk mund ta zhytni vetëm ashtu telefonin tuaj në lavaman dhe ta pastroni. Nëse nuk mund ta përballojë ujin, a nuk do të jenë lëngjet si dezinfektuesit, sapunët e enëve dhe zbardhuesit të dëmshëm po ashtu? Për fat të mirë, jo. Ju mundeni dhe duhet të përdorni pastrues të vërtetë për të sanitizuar telefonin tuaj – vetëm se duhet të dini se si të mos e dëmtoni teknologjinë tuaj.

Së pari, esencialja. Pothuajse çdo prodhues i telefonave e rekomandon njëfarë pastrimi. “Apple” sugjeron fshirjen e iPhone tuaj me një leckë paksa të lagur, pa garzë. “Motorola” sugjeron përdorimin e një pëlhure mikrofibrike – llojin e pëlhurës me të cilën mund t’i pastroni syzet – me pak ujë nëse pajisja është me të vërtetë e ndotur. Sa i përket telefonit “Pixel” të “Google”, kompania e ka dhënë lejen që të përdoret edhe sapuni i enëve nëse është e nevojshme. Këto metoda do të jenë të suksesshme në të pasurit e një telefoni më të pastër, por për fat të keq ato nuk do ta dezinfektojnë atë. Dhe dezinfektimi është i rëndësishëm, veçanërisht nëse punoni në një vend ku mikrobet dhe bakteret më serioze fluturojnë në ajër.

Në vitin 2013, një studim i testoi disa metoda të ndryshme pastrimi në një iPad që ishte ekspozuar ndaj Clostridium Difficile (zakonisht të quajtur C. diff) dhe Staphylococcus aureus rezistues ndaj meticilinës (të njohur edhe si MRSA), dy banorë të zakonshëm dhe potencialisht të rrezikshëm të pajisjeve mjekësore. Ajo që ata e zbuluan ishte se një leckë zbardhimi ishte teknika më efektive. Lecka e lagur ishte e dyta më e efektshmja, ndërsa një shtupë alkooli ishte më së paku e efektshme.

Një studim tjetër në një iPad tjetër të ndotur gjithashtu konfirmoi se leckat zbardhuese funksionojnë më së miri. Për fat të keq, këto lecka të parapaketuara zbardhuese mund të jenë gjithashtu shumë gërryese dhe herët a vonë ato do ta gërryejnë shtresën mbrojtëse që e mbron telefonin tuaj nga shenjat e gishtave me vaj. Edhe më keq, përdorimi i atyre llojeve të metodave mund ta anulojë garancinë tuaj, pasi që kompanitë shpesh rekomandojnë specifikisht të mos përdoren këto lecka, transmeton koha.net.

Megjithatë, janë dy gjëra që duhet mbajtur në mend për këto studime, dhe të dyja janë lajm i mirë. Para së gjithash, nuk do të hasni shpesh në llojet e mikrobeve që po i testonin jashtë spitalit. Së dyti, me siguri do ta keni më mirë të qëndroni me metodat e pastrimit të rekomanduara nga prodhuesi në baza ditore, plus (dhe kjo është e rëndësishme) t’i lani duart rregullisht. Por çfarë ndodh nëse ndodh diçka e tmerrshme? Po sikur t’ju bie telefoni në tualet? Në këtë rast, zbardhuesi është sigurisht zgjidhja juaj më e mirë – por duhet të nënvizojmë se përdorimi i tij mund ta anulojë garancinë. Butësisht mjegullojeni telefonin tuaj me një pastrues shumëqëllimësh që përmban zbardhues, prisni 30 sekonda (dhe jo më shumë, nëse nuk dëshironi ta blini një telefon të ri), pastaj fshijeni atë me një leckë mikrofibrike. Dhe ja! E keni një telefon shumë të pastër. Gjithsesi duhet t’i lani duart.

Françeska Jaçe
S