Vajza e veteranit po vdes për 20 mijë euro

0

Kanë mbetur vetëm edhe tre ditë që ajo t’i mbushë të 16-at. Mirëpo, ka tre vjet që Mirlinda Krasniqi, nga Kaçaniku i Vjetër, nuk e feston ditëlindjen e saj si të gjithë bashkëmoshatarët e vet. Janë plot tre vjet që ajo përballet me tumor në kokë, sëmundje kjo që e ka detyruar atë ta braktisë shkollën e familja me kushte të vështira është detyruar të hyjë në kredi për ta shëruar vajzën e vetme.

auto_011424078839 (1)Babai i saj, Muzafer Krasniqi, ndonëse ish-luftëtar i UÇK-së në këtë fshat, është munduar me të gjitha forcat e tij që vajzën e vetme ta shërojë, por shteti aspak nuk i ka dalë në ndihmë.

Nëna e 16-vjeçares, Afërdita, me lot në sy tregon tmerrin që e përjetuan gjatë qëndrimit dyvjeçar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ajo thotë se madje as Ministria e Shëndetësisë nuk i ka ofruar ndihmë për vajzën e saj. Por, Afërdita tregon se falë vullnetit të mirë të njerëzve vajza e tyre ka arritur që një herë të operohet. Mirëpo, vajzës tani i duhen 20 mijë euro që ajo përsëri të operohet, për ta hequr tumorin nga koka.

Mjekët, duke e parë që këtu në Kosovë nuk mund ta operojnë përsëri, i kanë thënë prindërve se duhet vajza të operohet në shtetet e jashtme
Momentalisht, Mirlinda së bashku me babanë e saj janë në Suedi, mirëpo ky shtet nuk po ia mundëson operimin e vajzës pa 20 mijë euro, e në këtë mënyrë babai i vajzës është shkruar azil në këtë shtet dhe po qëndron në një kamp derisa të dalë dikush dhe t’i ndihmojë ata. Nuk është vetëm kjo, familjes Krasniqi ka dy muaj që iu është ndalur edhe sociali që e kishin marrë më herët. “Vajza ime bashkë më bashkëshortin janë në kampin për azil në Suedi, pasi që spitali nuk po lejon që vajza ime të qëndrojë aty sepse nuk kemi të holla për ta operuar”, rrëfen nëna e Mirlindës.

Na thanë është grip, e na doli tumor 

Ajo tregon se deri tek shkuarja në Suedi, vajza e saj ka kaluar nëpër periudha shumë të vështira. Kishte kaluar gati një vit derisa e kanë kuptuar se vajza vuan nga tumori në kokë. Gjatë kontrolleve të shumta mjekët i kishin thënë se Mirlinda kishte vetëm grip asgjë më shumë.

“Në fillim ka qenë koha e Vitit të Ri edhe vajza filloi të ankohej: “Oj mam po më dhemb koka”, edhe ne menduam se është ndonjë grip. E dërguam te mjeku edhe ata thanë që ka grip edhe i përshkruan barëra për grip. Nja një vit vajza u ankuake për dhimbje të kokës e mjekët i thoshin se është grip e dikur na thanë se e ka moshën e pubertetit dhe ndryshimi trupor dhe zhvillimi hormonal e bënë të veten, e vajza nuk i kishte as 12 vjet. E më pas filloi dhimbja e kokës t’i shtohet edhe më shumë. Ka ndodhur që si ka dalë jashtë në oborr ajo është alivanosur edhe është rrëzuar. Edhe në shkollë e dërgonim, mirëpo shkolla është shumë larg, një orë në këmbë i bëjnë fëmijët në një drejtim. E dikur edhe shoqet e klasës na thoshin që mos e nis për në shkollë se Linda nuk po mundet me ec edhe po na vonon edhe neve. Mirëpo, mos me e lanë me shku në shkollë na thoshin se pse po bën vajza mungesa, pse s’po vjen në shkollë”, rrëfen Afërdita.

Mirlinda Krasniqi pas një viti, që e kishte duruar dhimbjen e kokës, një ditë sëmundja ia mundi dhe ajo kishte filluar të ketë gjakderdhje nga goja. Me gjithë këtë gjakderdhje, nëna e Mirlindës tregon se nuk e pranuan në QKUK, me arsyetimin se ishte ora një pasmesnate edhe pse vajza ishte në atë gjendje.

Pas intervenimit të një mjeku, Spitali e kishte pranuar Mirlindën, e cila për dy vjet radhazi kishte qëndruar në QKUK. Mirlindës kishte filluar t’i keqësohet gjendja dhe më pastaj mjekët në QKUK e kishin futur në operacion. Fatkeqësisht, operimi nuk ishte i suksesshëm për Mirlindën.
“Vajza operimin e parë e ka bërë në QKUK, ndërsa ne nuk e kemi ditur se çka ka vajza jonë sepse mjekët na i kishin vonuar analizat për gjashtë muaj. Pas gjashtë muajve Mirlinda kishte filluar t’i marrë kimioterapitë. Pas dy vjetësh në QKUK është dashur që t’i bëhet edhe një incizim për ta parë se a është zhdukur tumori apo jo”, rrëfen nëna e Mirlindës.

Shteti na ndali edhe socialin

Pas incizimit që i është bërë, mjekët kanë konstatuar që duhet të dalë jashtë vendit për ta operuar. Fillimisht kishin thënë që të dërgohet në Shqipëri ose në Turqi për të bërë një CT, por që kushton 7 mijë e 800 euro.

Familja Krasniqi në pamundësi për ta dërguar vajzën e tyre jashtë vendit kishin kërkuar ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë, por këta të fundit nuk i kanë lejuar as në zyrë të hyjnë. “Kemi kërkuar ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë, por kur kemi shkuar atje na kanë thanë se “nuk jeni veç ju”. Kemi edhe shumë fëmijë të tjerë, me zanë sa fëmija është këtu nuk na mbetet neve asgjë. Nuk na kanë lanë as në zyre me hy vetëm në korridor”, thotë nëna e Mirlindës.

Ndonëse, ajo është bija e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muzafer Krasniqit,  nuk kishte arritur që t’i sigurojë të ardhurat për ta dërguar vajzën e tij jashtë vendit.

Ai kishte vendosur që të hyjë në kredi në mënyrë që vajza e tij të dërgohet në Turqi për të bërë CT-në. Dhe ia kishte dalë, Muzaferi bashkë me Mirlindën kishin udhëtuar për në Turqi, ata pas CT i kishin thënë që duhet të dërgohet në Suedi për t’u operuar.

Muzaferi dhe vajza Mirlinda, e cila është duke luftuar, gjenden në kampin për azil në Suedi. Nëna e vajzës kërkon nga të gjithë që kanë mundësi t’i dalin në ndihëm që t’ia mundësojnë operimin e Mirlindës.

“Për çikën gjithçka kisha ba. Ju kisha lut ai që ka mundësi, sa të ka mundësi pak ndoshta, bile operacionin ta kisha kry ma shumë nuk kisha dashtë”, është shprehur Afërdita.

Familjes Krasniqi ka tre muaj që ia kanë ndërprerë edhe ndihmën sociale në Kosovë, edhe pse të gjitha dokumentet janë në rregull.

“Qe dy muaj ma kanë ndalë edhe socialin. Bile kur shkova atje më thanë s’ka social, unë i thash qysh s’ka social kur unë i kam të gjitha dokumentet në rregull. Unë iu thashë çka me bo unë tash pa social. Nuk e kam burrin këtu ai ka shkuar atje me shëru vajzën edhe nuk mundet me më dërgu pare. Unë dy djemtë e mëdhenj i kam në shkollë të mesme në Kaçanik, edhe me atë social ia paguaj mujoren edhe i çoj në shkollë, 30 euro më bëhet mujorja deri në Kaçanik. Po më bëhen tre muaj pa social. Tre muaj më kanë lënë “pykë””, tregon Afërdita.

Ajo tregon se këtë muaj ia del disi, por në muajin tjetër nuk di se do t’ia dalë, madje ajo thotë se duhet edhe fëmijëve t’ia ndërpresë shkollën në pamundësi për t’i dërguar në shkollë. “Unë iu thash atyre, me vajzën nuk kam shku në Suedi për shkak të djemve që të mos ia ndërpres shkollën, e tash iu thashë ju jeni duke ia humbur shkollën. Më thanë që të shkoj të premten, por çka me shku, s’ka kurgjo se edhe po më duhet me udhëtu deri atje e nuk po kam as me çka me shku. Iu thash vetëm këtë social e kemi edhe këtë po na e ndalni edhe duke e ditur se si e kemi gjendjen”, ka thënë Afërdita.

Të gjitha ata që dëshirojnë t’i dalin në ndihmë Mirlindës, këtë mund ta bëjnë përmes kësaj xhirollogarie: ProCredit Bank 1171152289000163, Kosovë.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com