Vahabistët e Beogradit

0

Vahabistë ka në Beograd. Sipas një vlerësimi të shërbimeve të sigurisë, janë rreth 200 pjesëtarë të kësaj lëvizje radikale islamike që jetojnë në lokacione të ndryshme të kryeqytetit të Serbisë. Më i riu nga ta është 15-vjeçar.

vahabist-euml-t-e-beogradit_hd

Gazeta Kurir, në një shkrim të vlerësuar si ekskluziv, pretendon se e ka gjetur një grup prej 10-15 vetave, në lagjen Altina të Zemunit. Ata tubohen nëpër mesxhide (hapësira të cilat ata i quajnë xhami, por që në fakt nuk janë xhami).

Njëri nga ata që ka pranuar të flasë me ekipin e gazetës ka thënë se quhet Jusuf.

“Ne e ndjekim rrugën e Allahut, sepse ai është më i madhi”, shkruan Kurir të ketë thënë ai, transmeton Klan Kosova.

Jusufi i ka kërkuar gazetares që e ka vizituar lagjen, ta mbulojë kokën, pasi kjo ka qenë mënyra e vetme për të biseduar me të. Ai ka thënë se nuk guxon të bëhet asnjë fotografi me të ose pjesëtarët tjerë të lëvizjes. Po ashtu nuk ka pranuar t’i flasë me dorë, pasi një gjë të tillë ia ndalon feja.

“Pse po na fotografoni?! Ju nuk dini asgjë për ne. Neve na udhëheq Allahu. Ju na keni vënë në sprovë”, është shprehur Jusufi.

Kur është pyetur se a falën në xhaminë Bajrakli të Beogradi, ai ka thënë: “Nuk falemi atje sepse ata që falen atje nuk janë myslimanë të vërtetë. Ne jemi të vetmit që jemi të pastër”.

Jusufit i është kërkuar të tregojë “nëse ka ndonjë bashkëpunim me bashkësitë e vehabinjve në Bosnjë e Kosovë”.

“Kam qenë në Maoce (një bashkësi kjo radikale në Bosnjë, shumica e pjesëtarëve të së cilës kanë shkuar në Siri dhe disa tjerë janë arrestuar për shkak të veprimtarive terroriste). Dhe, për këtë gënjejnë, se atje nuk ka armë. Ata ndjekin rrugën e Allahut”, thotë Jusufi, i cili është pyetur edhe për aksionet terroriste në Zvornik. “Jo. Ne nuk jemi terroristë dhe nuk vrasim. Për ne vetëm feja është e rëndësishme, sepse ajo na udhëheq në rrugën e drejtë. Unë e ndjek fenë time dhe kaq”.

Pas këtij muhabeti, Jusufi nuk pranoi më të flasë.

Udhëheqësi i bashkësisë (një burrë mes 30 dhe 35 vjetëve), i cili e ka dërguar atë të flasë, i kërkon të kthehet brenda. Gazetarët i porositë se “nuk janë të mirëseardhur”.

Kurir shkruan se paga mujore e këtyre personave është rreth 300 euro, por nuk tregon asnjë dëshmi për këtë, e as nuk tregon se kush ua jep atyre ato para.

Profesori i Fakultetit të Sigurisë në Beograd, Zoran Dragishiq, ka thënë se shërbimet e sigurisë duhet ta përcjellin këtë grup, pasi paraqet rrezik për sigurinë.

“Duhet bërë dallimi mes praktikimit të fesë dhe terrorizmit. Megjithatë, shërbimet tona duhet t’i përcjellin ata, pasi që bashkësi si këto paraqesin potencial të mirë për të rekrutuar terroristë që shkojnë për të luftuar për ISIS”, ka deklaruar ai për Kurir.

Kjo është hera e parë që shkruhet për praninë e vahabistëve në Serbi, përjashtuar zonën e Novi Pazarit dhe Sanxhakut. /klankosova.tv/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com