14 Mar, 2013 - 12:03
Nuk ka komente

up

Universiteti i Prishtinës e ka publikuar listën e studentëve që janë liruar nga pagesa e semestrave. Në bazë të listave të publikuara nga të gjitha njësitë akademike të UP-së, përfshirë edhe degët në Gjilan, Prizren, Mitrovicë, Gjakovë e Ferizaj, nga pagesa e semestrave për vitin akademik 2012/2013 janë liruar 1175 veta.

 Ndërkaq për t’u liruar nga pagesa, sipas kryetarit të Komisionit për lirimin e studentëve nga pagesa e semestrit për vitin akademik 2012/2013, Beqir Sadikaj, kishin aplikuar 3800 veta. Sipas Sadikajt, të drejtë lirimi nga pagesat në Universitetin më të madh publik në vend kanë fëmijët e familjeve që janë nën asistencë sociale, invalidët, fëmijët e një prindi të zhdukur gjatë luftës dhe një nga tre fëmijët e një familjeje që studiojnë njëkohësisht në këtë universitet.

 Siç flasin edhe shifrat, të refuzuar nga lirimi i pagesës së semestrave janë më shumë se 2600 veta, që nënkupton edhe numrin e madh të të pakënaqurve.

 “Cilido student që e ka sjellë vërtetimin nga institucionet përkatëse se familja i jeton në asistencë sociale e ka fituar të drejtën e lirimit nga pagesa”, ka thënë Sadikaj për këtë kategori studentësh.

 Ai ka thënë se nuk është refuzuar askush që e ka dëshmuar me të gjitha dokumentet se në UP janë tre anëtarë të familjes dhe se nuk janë refuzuar as kategoritë e tjera. Arsyen e refuzimit të një numri kaq të madh Sadikaj e ka dhënë me atë se aplikuesit nuk kanë arritur t’i dëshmojnë me dokumente kriteret e konkursit. Konkursi për lirim nga pagesa e studentëve të kësaj natyre ishte shpallur nga UP-ja në tetor të vitit 2012.

 Ndonëse zyrtarisht për shkak të kohës së shkurtër nuk është raportuar për ndonjë ankesë të dërguar në Rektorat, disa studentë në kushte të anonimitetit i kanë thënë gazetës se gjithsesi po bëhen gati të ankohen.

“Dje (të martën) është publikuar lista, kurse unë ende nuk kam arritur ta bëj ankesën, porse gjithsesi do të ankohem”, ka thënë një student i Fakultetit të Filologjisë.

 Ai ka thënë se i ka një vëlla dhe një motër që studiojnë në Universitetin Publik të Prishtinës, porse nuk i ka dalë emri në listë.“Kur kam aplikuar i kam dërguar të gjitha dokumentet, përfshirë certifikatën e lindjes, timen, të vëllait dhe të motrës. Po ashtu i kam dërguar vërtetimet se që tre jemi studentë të rregullt, porse jam refuzuar”.

 Në bazë të legjislacionit të UP-së, të drejtë lirimi nga pagesa e semestrave në këtë rast ka vetëm aplikuesi dhe jo studentët e tjerë, vëllai apo e motra. Nga kjo kategori e aplikuesve është refuzuar edhe SH.A., studente e Juridikut. Ajo ka thënë se në UP i ka si studentë të rregullt edhe dy anëtarë të tjerë të familjes, përkatësisht dy motra, porse nuk është liruar nga pagesa. Edhe kjo ka thënë se do ta shfrytëzojnë afatin ligjor për ankesa.

 Zyrtari i UP-së, Beqir Sadikaj, ka thënë se lëshimet eventuale mund edhe të korrigjohen. E drejta e ankesës, sipas vendimit të UP-së, është deri më 20 mars.

 Numri i studentëve të liruar nga pagesa:

 Fakulteti Juridik, i shtrirë edhe në Gjilan, ka numrin më të madh të përfituesve: në Prishtinë në studimet themelore janë liruar 279, kurse në Gjilan 9. Pason Fakulteti i Edukimit: në Prishtinë 202, në Gjakovë 24, në Gjilan 9 dhe në Prizren 1. Radhitet Fakulteti Filozofik me 168 të liruar, Filologjia me 120, Fakulteti i Mjekësisë me 108, i Shkencave Matematiko-natyrore 67, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike – Bachelor 81, Ndërtimtaria 46, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike 34, Fakulteti i Gjeoshkencave dhe Teknologjisë në Mitrovicë 31, Arkitektura 22, Fakulteti i Shkencave Sportive 20, Fakulteti i Arteve 16 dhe Fakulteti i Shkencave të aplikuara në Ferizaj 5 studentë./BujanociNet/

Comments are closed.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe perdorimi i gjuhes ofenduese. Bujanoci.Net mban te drejten e publikimit ose jo te nje komenti te caktuar. Permbajtja e komenteve nuk pasqyron, qendrim editorial te redaksise se portalit Bujanoci.net . Ju faleminderit per mirekuptimin!
Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com