UEFA paralajmëron serbët: Çdo thirrje antishqiptare do t’ju penalizojë

0

Skënderbeu do të jetë mysafir në Beograd mbrëmjen e së enjtes më 2 nëntor, ku do të përballet me vendasit e Partizanit të Beogradit.

Për Orges Shehin, portierin veteran e të spikatur të skuadrës korçare, do të jetë një mbrëmje emocionuese, pasi tre vjet më parë ai ishte në kryeqytetin serb në atë mbrëmje horror futbolli, ku vetëm për futboll nuk flitej, sepse huliganët serbë zbritën në fushë dhe dhunuan lojtarët e ekipit tonë kombëtar në ndeshjen Serbi-Shqipëri. UEFA është e ndjeshme për ngjarje të tilla dhe takimin e tre viteve më parë e ka si shembull që të marrë masa paralajmëruese dhe pse jo edhe ndëshkuese që ato të mos përsëriten. Në Beograd janë në ankth për sjelljen e tifozëve të tyre, pasi, UEFA ka vendosur kamera gjithandej dhe do të jetë sy e veshë nga tifozët dhe çdo gjë do të jetë në vëzhgimin e saj. Çdo parullë antishqiptare që do të hidhet nga tifozët do të jetë pretekst për ta ndëshkuar Partizanin dhe kjo u është bërë e qartë edhe drejtuesve të klubit serb. Për këtë arsye, duke ditur që ultrasit e Partizanit janë “shembullorë” për të shkaktuar incidente, klubi serb ka këshilluar grupimet e tifozëve të sillen mirë dhe të mos e përdorin fare termin “shqiptar” në stadium, pasi kështu do t’i krijonte UEFA-s kushtet për një penalizim ekzemplar. Drejtori i përgjithshëm i Partizanit të Beogradit, Milosh Vazura, bëri të ditur se si është situata para ndeshjes. “Fansat këndojnë këngë për Kosovën, por në asnjë moment nuk duhet dëgjuar fjala “shqiptar”. UEFA e ka cilësuar këtë si një frazë ofensive nëse thuhet nga tifozët tanë dhe mund të na ndëshkojë për të. Ne i bëjmë apel tifozëve të mbështetin Partizanin dhe të mos bëjnë gjëra që mund të përdoren kundër nesh, pasi nuk mendoj se do të na ndëshkojnë më me gjoba, apo me ndeshje me tribuna të zbrazura. Ata do të na përjashtojnë nga Europa”, tha Vazura që tregoi masat e ndërmarra nga klubi. “Do të jenë në punë 95 kamera sigurie të cilat do të mbikëqyrin çdo cep të stadiumit dhe kanë aftësinë të bëjnë “zoom” deri në 36 herë. Kjo do të thotë që fytyra e çdo tifozi do të identifikohet deri në madhësinë që duhet për kartë identiteti. Kushdo që shkakton një incident apo thotë një fjalë të ndaluar, do të shoqërohet nga policia. Kemi punësuar rreth 700 punëtorë sigurie apo policë, ka edhe civilë në mes të turmës”, tregoi drejtuesi i Partizanit. Duket qartë se serbët janë në alarm pas interesimit në rritje të UEFA-s, e cila është “sy e veshë” nga ndeshja e Beogradit. Incidentet e tre viteve më parë kanë qenë një pamje e shëmtuar për sportdashësit në mbarë botën dhe UEFA po u tërheq vëmendjen serbëve të jenë të kujdesshëm, duke dërguar madje dhe oficerët e saj për të parë nëse plani i masave është i mjaftueshëm për zhvillimin në normalitet të ndeshjes.

Gjyqtari i takimit

Ndeshjen midis Partizanit të Beogradit dhe Skënderbeut tonë do ta drejtojë spanjolli Carlos Del Cerro, një gjyqtar që ka “dorën e rëndë”, sepse i lëshon shumë lehtë kartonët. 41-vjeçari është një emër i njohur në futbollin spanjoll, teksa ka gjykuar në Champions League që nga sezoni 2013/14. Carlos Del Cerro njihet si arbitër madrilen, teksa shpesh herë ka pasur ankesa nga skuadra si Barcelona, Betis dhe Malaga për vendimet e tij. Sa i përket kartonëve ai është shumë i rreptë. Mjaftojnë të kujtojmë se në ndeshjen që ka gjykuar më 15 tetor, Girona-Vilareal ka dhënë 8 kartonë të verdhë, ndërkohë që në sfidën e një muaji më parë Malaga-Bilbao ka dhënë 7 të verdhë dhe një të kuq. Skënderbeu duhet të tregohet e kujdesshme, pasi ai ndëshkon thuajse për çdo ndërhyrje. Ndihmësit e tij do të jenë Juan Karlos Yuste Jimenez dhe Roberto Alonso Fernandez, po ashtu spanjollë. Një treshe ndaj së cilës Skënderbeu duhet të jetë mjaft i kujdesshëm në fushën e lojës, pasi kryesori Cerro nuk i kursen kartonët.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com