Trump paralajmëron nisje të ndaljes së ndihmave në Amerikën Qendrore
09:43 | 23 Tetor 2018

Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se 7,000 persona janë nisur drejt Shteteve të Bashkuara dhe numri i tyre është duke u rritur në vazhdimësi, transmeton AFP.

Trump në anën tjetër përmes një postimi në Twitter ka dënuar aktin duke e cilësuar këtë gjendje të jashtëzakonshme dhe ka alarmuar ushtrinë dhe personelin kufitar në SHBA.

“Ne do të nisim ndaljen apo pjesërisht reduktimin e ndihmës së madhe” që ofron SHBA-ja për Guatemalën, Hondurasin dhe El Salvadorin”, ka thënë presidenti amerikan.

Kritikët e tij kanë thënë se Trump është duke përdorur këtë situatë në kuadër të fushatës për zgjedhjet në Kongres, meqë retorika e tij për migrantët është thënë t’i ketë ndihmuar për të fituar presidencën më 2016.

“Fatkeqësisht duket se Policia e Meksikos dhe ushtria nuk janë në gjendje të ndalin personat që janë duke u nisur drejt Shteteve të Bashkuara. Kriminelët dhe banorë të panjohur nga Lindja e Mesme janë përfshirë në turmë”, ka shtuar ai.

Karavani i migrantëve është nisur sërish drejt kufirit ditën e hënë, derisa shumica prej tyre kanë kaluar natën nëpër rrugë apo streha artificiale.

Vlerësohet se 10 për qind e popullatës së Guatemalës, El Salvadorit dhe Hondurasit kanë ikur nga vendet e tyre për shkak të rrezikut, sforcimit nga bandat dhe gjendjes së rëndë ekonomike.

Alesia Bami