Trashëgimia kulturore në Luginën e Preshevës, veçoritë, gjendja dhe perspektiva

0

Lugina

Pasuria e trashëgimisë së një regjioni, përkatësisht e bashkësisë etnike ose e grupit të caktuar kulturor që jeton brenda kufijëve të tij është e lidhur ngusht me zhvillimet historike, sociale, kulturore dhe politike nëpër të cilat ka rrugëtuar ai grup ose etnikum i caktuar gjatë periudhave të ndryshme historike. Meqenëse Lugina e Preshevës shtrihet në një nga korridoret më të rëndësishme natyrore, i cili shumë herët është shfrytëzuar nga perandori e shtete për të zgjeruar pushtimet e tyre, zhvillimet të cilat i vumë në pah më lartë kanë qenë shumë të vrullshme, duke u manifestuar edhe me një diversitet të ndikimeve kulturore të cilat secila nga pak kanë lënë gjurmë të veta në regjion dhe më gjërë. Mbretëria dardane, pjesë e pandashme e së cilës ka qenë edhe Lugina e Preshevës, ka lënë gjurmë të veta në trashëgiminë kulturore-historike e cila për shkak të mungesës së hulumtimeve të mirëfillta shkencore ende ka mbetur e pandriçuar. Në periudhën e sundimit të Perandorisë Romake kemi një lulëzim të regjionit në aspektin e ngritjes dhe zhvillimit të vendbanimeve, tregëtisë, bujqësisë dhe zhvillimeve tjera sociale e politike për të cilat dëshmojnë të dhënat e gjetura arkeologjike, kryesisht në rrafshin aluvial të Moravicës, afër fshatrave Zhunicë, Corroticë dhe Raincë. Sundimi i gjatë disashekullor i Perandorisë Osmane në Luginë dhe më gjërë në Gadishullin Ballkanik, impakti kulturor, social e politik që ushtron në popullsinë e rajonit përmes konvertimit fetar dhe tendencave për asimilim gjuhësor dhe etnik, arrinë të ndryshojnë mjedisin kulturor e social të regjionit. Kjo dëshmohet me një trashëgimi të pasur kulturore-historike, materiale dhe jomateriale.
Vendgjetjet arkeologjike, fortifikimet, objektet sakrale si varrezat, xhamitë, e kishat, shtëpitë e vjetra, tradita dhe folklori paraqesin një pasuri te çmueshme, por deri më tash të pahulumtuar e trashëgimisë kulturore të Luginës së Preshevës.
Rrafshi aluvial i Moravicës, shpatijet e Karadakut në perëndim dhe ato të Rujanit në lindje, për shkak të pozitës shumë të volitshme, ishin të banuara shumë herët. Kjo dëshmohet nga vendgjetjet arkeologjike si në pjesën fushore ashtu edhe në atë kodrinore-malore të Luginës. Kërkimet arkeologjike në mënyrë të organizuar dhe të udhëhequra nga grupe hulumtuese-shkencore në disa prej lokaliteteve arkeologjike janë bërë tek në fund të viteve të 60-ta dhe 70-ta të shekullit të kaluar. Bartës i këtyre projekteve hulumtuese-shkencore ka qenë Muzeu Popullor i Vranjës. Niveli i kërkimeve në këto lokalitete është kufizuar vetëm në rekognoscimin (njohjen) e përmasave territoriale të vendgjetjeve arkeologjike, duke përcaktuar edhe periudhat historike të lokaliteteve e rrjedhimisht edhe trashëgimisë arkeologjike.
Ekspeditat hulumtuese, me përjashtime të rralla nuk kanë rezultuar me gjetjen e materialeve arkeologjike të cilat do të mundësonin ndriçimin e shumë aspekteve të zhvillimit historik dhe etno-demografik të regjionit. Ato pak eksponate të gjetura në territoret e Preshevës, Rahovicës, Zhunicës, Corroticës, Bukurocës, Bushtranit, Leranit, Miratocës etj., janë dërguar në Muzeun Popullor të Vranjës. Këto janë kryesisht monedha, gjilpëra, qafore, pitos dhe mjete të amvisërisë të cilat datojnë qysha nga periudha dardane, pastaj romake, bizantine. Vendgjetjet arkeologjike në mbarë territorin e Luginës së Preshevës, ku duhet veçuar Kalanë e Bushtranit, Kalanë e Preshevës, Kalanë e Kërshevicës, Gurin e Shpuar (Preshevë), Kacipupin (Rahovicë), Bostanishten (Zhunicë), Dobrecën (Bukurocë), Konopishten (Corroticë), Biganocin (Raincë), përmbajnë në vete një trashëgimi të pasur arkeologjike. Përpos aktiviteteve hulumtuese të bëra nga arkeologët serbë dhe ndonjë të huaji, të gjitha tentimet tjera të bëra më vonë nga njerëz të profesioneve të ndryshme, nuk kanë arritur të ndriçojnë ndonjë problem nga korpusi i veçorive shumë komplekse historike, sociale dhe etniko-demografike të territorit.
Duke qenë të vetëdijshëm mbi pasurinë e trashëgimisë arkeologjike të Luginës dhe rëndësinë që mund të ketë ajo për argumentimin e shumë çështjeve që kanë të bëjnë me praninë, autoktoninë dhe vazhdimësinë e etnikumit iliro-dardan dhe shqiptar në rajon mendojmë se kërkimet arkeologjike duhet bërë nga institucionet shkencore dhe akademike të qendrave universitare me pjesëmarrje edhe të arkeologëve të huaj. Të gjitha përpjekjet individuale të njerëzve me përgaditje joadekuate profesionale dhe shkencore jo vetëm që ngelin në nivelin e vullnetit të mirë, entuziazmit dhe kërshërisë, por mund të dëmtojnë veçoritë origjinale dhe autenticitetin e artefakteve të gjetura të cilat asesi nuk do të kontribonin në ndriçimin e çështjeve shumë të ndjeshme për të cilat u fol më lartë. Pa dashje duhet të konstatojmë se fatin e njëjtë sikurse të trashëgimisë arkeologjike e kanë pasur edhe shumë vlera tjera të trashëgimisë kulturore si shtëpi të vjetra, objekte sakrale, monumente dhe sheshe të cilat për shkak të neglizhencës së organeve komunale dhe amatorizmit e joprofesionalizmit të të ashtuquajturave shoqata dhe individëve të caktuar, janë shkatërruar dhe rrezikojnë të humbin vlerat origjinale e autentike. Proceset historike dhe shoqërore-ekonomike, por edhe ato bashkëkohore si gjithkund në botë, edhe në Luginën e Preshevës e rrezikojnë nga shkatërrimi dhe e devastojnë trashëgiminë kulturore dhe natyrore.
Në Luginë deri tash nuk ka pasur një hulumtim serioz mbi objektet e trashëgimisë kulturore, andaj nuk ekziston asnjë elaborat i cili me argumentim të detajuar dhe shkencor do të ofronte një pasqyrë të trashëgimisë kulturore dhe kategorizimin e saj sipas llojit dhe rëndësisë. Hulumtimet e bëra nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore edhe pse të udhëhequra nga qasja pozitive, dëshira dhe vullneti i mirë, nuk kanë arritur të përmbushin objektivat mbi identifikimin, evidentimin dhe kategorizimin e drejtë të objekteve të trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës dhe Bujanocit.
Përpos mungesës së njohurive, amatorizmit dhe inferioritetit profesional e shkencor të pjesës dërmuese të njerëzve të kësaj shoqate ndaj problemit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, situata e pavolitshme në sferën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore e natyrore është edhe për shkak të neglizhencës së organeve komunale si në Preshevë, ashtu edhe në Bujanoc të cila për çështjen e identifikimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë nuk parashohin asnjëherë, bile as në mënyrë simbolike mbështetje financiare e profesionale, duke mos qenë të gatshëm që së paku të ndajnë një hapësirë modeste brenda shtëpive të kulturës dedikuar muzeve ku do të ekspozoheshin vlera të caktuara të trashëgimisë kulturore të luajtshme dhe të paluajtshme autoktone të Luginës. Shembulli i shkëtërrimit të kalldërmes në qarshinë e Preshevës për ta mbuluar atë me asfalt dhe beton tregon se si qeverisja komunale me ose pa vetëdije shkatërron vlerat e trashëgimisë kulturore të cilat në vende dhe rajone tjera jo vetëm që mbrohen, por edhe konzervohen e restaurohen, duke mundësuar valorizimin turistik dhe në përgjithësi ekonomik të tyre. Prizreni, Gjakova, Novi Pazari, madje edhe Vranja fqinje i mbrojnë, konzervojnë dhe propagandojnë me krenari këto vlera duke i shndërruar në pika të rëndësishme turistike brenda hapësirave urbane dhe rrethinës së gjërë ku ndodhen ato. Vlerat e trashëgimisë kulturore të Luginës së Preshevës me veçoritë që kanë, çfarë janë vjetërsia (mosha), rariteti, specifikat e ndërtimit (krijimit), si dhe procesin apo periudhën e caktuar historike të cilën e manifestojnë, mendojmë se kanë vlerë lokale, prandaj si të tilla duhet të merren nën mbrojtje nga organet komunale të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Mundësitë e valorizimit turistik të trashëgimisë kulturore në Luginën e Preshevës

Trashëgimia kulturore në kombinim me trashëgiminë natyrore të mjedisit ku ndodhet mund të shndërrohet në një motiv shumë të rëndësishëm turistik. Ajo mund ta kompletojë ofërtën turistike të rajonit, ndërsa në raste të veçanta paraqitet edhe si motivi dhe qëllimi kryesor i udhëtimeve dhe vizitave turistike. Në mesin e shumë formave të udhëtimeve turistike të cilat dallojnë për nga motivet, kohëzgjatja, mosha e njerëzve të përfshirë në to, mënyra e realizimit të tyre etj, kohët e fundit është në rritje e sipër një formë e veçantë e turizmit, që udhëhiqet nga motivet kulturore dhe u mundëson turistëve njohjen me vlerat e trashëgimisë kulturore të popujve dhe territoreve të caktuara. Kjo formë e turizmit njihet sot në botë si turizëm kulturor i cili ka të bëjë me produktin turistik të bazuar në trashëgimi dhe kulturë. Turizmi kulturor është secila formë e turizmit që ka për qëllim vizitat turistike të muzeve, shfaqjeve, koncerteve, pastaj formave turistike që lidhen me trashëgiminë materiale ose ”të ndërtuar”, duke filluar nga monumentet religjioze e deri te veprat e arkitekturës botërore.
Në kontekstin e turizmit kulturor paraqitet një formë specifike e plotësimit të nevojave të turistëve, dhe kjo për faktin se faktori relaksues i konsumimit të shërbimeve turistike zhvillohet në mjedisin e ri dhe të veçantë kulturologjik në dy dimensione kohore. Në fakt, turizmi kulturor krijon iluzionin e dëshiruar të kontaktit me nikoqirin në ambientin autentik. Gjatë këtij kontakti gërshetohen e kaluara me të tashmen. Prandaj turistët pasurohen me përvojat e reja të përditshmërisë, duke mos u zhytur në të, pastaj njihen me ndodhitë e lashta në po të njëjtin vend etj.
Nga definicioni i mësipërm i turizmit kulturor shohim që ai ka motive të shumta të cilat në përgjithësi identifikohen dhe shtyten nga kultura dhe trashëgimia kulturore e territorit të caktuar. Është vështirë që një territor i caktuar të ofrojë të gjitha këto motive, andaj me përjashtime të rralla, turizmi kulturor është formë komplementare (plotësuese) e udhëtimeve turistike. Kjo vlen edhe për Luginën e Preshevës në të cilën ekzistojnë disa nga motivet e ofertës turistike kulturore. Lokalitetet arkeologjike, fortifikimet, xhamitë, teqet, kishat, shtëpitë e vjetra përbëjnë potencialisht një motiv komplementar turistik. Këto vlera të trashëgimisë kulturore plotësohen me vlerat e trashëgimisë natyrore, siç janë Shpella e Ilincës, Shpella e Arushës, burimet termominerale të Bujanocit dhe të Banjkës, pejzazhet atraktive të zonës kodrinore-malore të Karadakut dhe Malësisë së Bujanocit etj. Lidhjet e mira komunikative, ku paraprinë Korridori X dhe rrugët tjera rajonale, janë një parakusht shumë i volitshëm që mundëson zhvillimin e turizmit tranzit me motive kulturore-rekreative.
Trevat kodrinore-malore të Karadakut dhe Malësisë së Bujanocit me pejzazhet e ruajtura natyrore, shtëpitë e vjetra dhe objektet përcjellëse të ekonomive familjare, stanet, doket, traditat e ritet të cilat në pjesët fushore tanimë janë në zhdukje e sipër, mundësojnë zhvillimin e formave tjera të turizmit, siç janë ekoturizmi dhe etnoturizmi që janë shumë aktuale në qarkullimet e përgjithshme turistike në rajon dhe më gjërë.
Fatkeqësisht duhet të konstatojmë se deri tani nuk është punuar aspak në drejtim të valorizimit turistik të trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Promovimi i trashëgimisë natyrore dhe kulturore, organizimi i festivaleve tradicionale, i ekspozitave, shtypja e prospekteve turistike dhe materialit tjetër propagandues, rritja e vetëdijes së publikut për rëndësinë e tyre, përpilimi i hartave dhe itinerareve turistike dhe vendosja e tyre përgjatë rrugëve kryesore, siç janë Korridori X dhe rrugët tjera rajonale, janë disa nga hapat e nevojshëm me qëllim të promovimit dhe valorizimit konkret turistik të trashëgimisë natyrore e kulturore.

Dr. Arsim EJUPI

Ky artikull është version i shkurtuar i punimit të botuar në revistën shkencore Studime Shoqërore, 2015/2, të nxjerrur nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com