Tmerri i Lumnijes, jeton me vetëm 20 euro në muaj

0

Tmerri i Lumnijes, jeton me vetëm 20 euro në muaj

Në çdo familje gjendet një kryefamiljar, i cili kujdeset pothuajse për të gjitha gjërat. Zakonisht, në familjet shqiptare është mashkulli ai që e ka këtë pozicion, por kur kjo gjë i kalon femrës është paksa e vështirë, e sidomos po të jetosh në kushte të vështira ekonomike. Një barrë e tillë i kishte rënë edhe Lumnije Mehmetit nga komuna e Obiliqit, të cilës i kishte vdekur burri.

Ajo e vetme kujdeset për djalin tetëvjeçar dhe e ka shumë të vështirë një gjë të tillë, pasi që të ardhurat që i merr nuk i mjaftojnë as për ushqim.

E mërzitur për shkak të vdekjes së burrit dhe e mllefosur se si jeta u tregua disi e padrejtë me të ajo qan hallet e saj.

“Burri më ka vdekur para një viti, pasi që ka qenë i sëmur nga zemra, tani jetoj e vetme vetëm me djalin tim Arbenitin. Mundohem të kujdesem për të sa të mundem, por po e kam tejet të vështirë, pasi që edhe vetë nuk jam mirë, kam kokëdhembje të mëdha e nganjëherë frikësohem se mos më gjen ndonjë gjë e mbetet vetëm dhe nuk ka kush kujdeset për të”, ka thënë ajo duke u shkrehur në vaj.

Shpesh është përzënë nga banesa

Lumnija merr vetëm 60 euro ndihmë sociale e që si duket me këtë shumë mezi siguron ushqimin.

“Nuk punoj askund, marr vetëm një ndihmë sociale që mezi po blej ushqim e barna për veten e nuk më bie ndërmend për gjëra të tjera, madje as veshmbathjet djalit tim nuk po mund t’ia blej, përveç kush po i fal ndonjë gjë”, është shprehur ajo.

Vendi ku jeton kjo familje dy anëtarëshe është një banesë dydhomëshe në Obiliq, ku pronar i saj është një serb.

Lumnija aty është e vendosur dhe paguan qira 40 euro, e që nëse një muaj nuk e paguan atëherë pronari i saj e përzë gjë që kishte ndodhur shumë herë.

“Jam e vendosur në këtë banesë dhe paguaj 40 euro në muaj, mirëpo nëse një muaj nuk jam në gjendje të paguaj vijnë dhe më përzënë, siç ka ndodhur shumë herë, ku këto gjëra të cilat m’i kanë falur pronarët e banesës m’i kanë nxjerrë jashtë dhe edhe mua më kanë përzënë dhe kam qëndruar te dera e banesës, sepse nuk kisha ku të shkoja”, ka theksuar ajo duke fshirë lotët.

I dhimbset djali i vogël

Lumnija kishte shkuar në komunë për të kërkuar zgjidhje në lidhje me këtë gjë, e si duket kjo e fundit ia kishte premtuar zgjidhjen, por kishte mbetur vetëm premtim.

“Kam qenë në komunë, ua kam treguar gjendjen, më kanë thënë që do ta paguajnë për një vit dhe kështu rreth tre muaj kam qëndruar e qetë, por tani vonë më ka ardhur një letër ku shkruan se duhet ta lëshoj banesën, sepse nuk e kam paguar e kjo gjë më ka shqetësuar shumë. Sepse nuk e di se si do t’ia bëj tani, ku të shkoj, nuk kam strehë mbi kokë, e po ashtu as familje nuk kam dhe më dhimbset djali, sepse i vogël e nuk kam ku ta dërgoj se po të isha vetë edhe në rrugë do të flija”, ka shtuar ajo duke e ledhatuar djalin, i cili i qëndronte pranë.

Ai ishte i shqetësuar që po ia shihte lotët së ëmës. Arbeniti 8-vjeçar i shqetësuar për nënën nuk përgjigjet kur ne e pyesim se në cilën klasë shkon. Ai vetëm ul kokën, gjë e cila na bën të kuptojmë se ndonëse i vogël në moshë, ai e ka kuptuar gjendjen në të cilën jetojnë dhe lotët e nënës së tij ia tregojnë edhe më qartë realitetin.

“Arbeniti shkon në klasë të tretë, është nxënës i mirë. Por, unë nuk po arrij të kujdesem sa duhet për të, pasi që nuk po kam para t’i blej veshmbathje vetëm kush po i dhuron ndonjëherë. Ku të marr para kur nga 60 euro sa marrë 40 prej tyre më duhet t’i ndaj për qira e me të tjerat ta siguroj ushqimin që të paktën pa bukë të mos mbesim”, thotë Lumnija.

Kërkon një strehë të sigurt

Kërkesa e vetme e kësaj familjareje, e cila duhet ta luajë edhe rolin e nënës edhe të babait, është që të ketë vetëm një strehë të sigurt e të mos frikësohet se do ta përzënë nga banesa.

“Kur je kështu e vetme e pa përkrahje nga askush padyshim është shumë e vështirë e kjo gjë më ka gjetur mua. Ajo që kam nevojë më së shumti është ta kem një strehë të sigurt, sepse pothuajse ka disa javë që as gjumin nuk e bëjë si duhet, ngase më ka kapluar frika se mos vijnë dhe më përzënë nga këtu”, ka thënë ajo duke ulur kokën.

Sipas Fatmir Durakut, punëtor në Qendrën për punë sociale në komunën e Obiliqit, kjo familje shumë herë ka ardhur në këtë qendër për t’iu kërkuar ndihmë.

“Pronari i banesës në të cilën është e vendosur familja Mehmeti është një serb dhe ai banesën e ka lajmëruar në një kompani në Prishtinë që të kujdeset për marrjen e qirasë dhe në momentin që nuk e paguan muajin familja në fjalë urdhërohet ta lëshojë banesën. Komuna e ka parasysh këtë rast dhe është duke u munduar që t’i bëjë një zgjidhje për strehim, por njëherë për njëherë nuk ka mundësi”, ka thënë ai.

Kësaj gruaje e vetmja shpresë i ka mbetur është te bamirësit, nëse ata mund ta ndihmojnë. Numri ku mund ta kontaktoni këtë familje është 044/237 729. /kosovasot/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com