Tifozët serb të Liverpoolit në Beograd brohoritën emrin e Shaqirit
18:28 | 08 Maj 2019

Liverpooli ka tifozë në mbarë botën dhe ka një bazë të madhe tifozësh në Serbi.

Tifozët serb u mblodhën në një kafene në Beograd për ta parë ndeshjen Liverpool – Barcelona në kuadër të gjysmëfinales së dytë të Ligës së Kampionëve, shkruan “Telegraf.rs”.

Sapo filloi ndeshja, tifozët besonin në skuadrën e zemrës dhe në atë se trajneri Jurgen Klopp mund të bënte mrekulli.

Pas vetëm shtatë minutash lojë, shpresat e tifozëve të Liverpoolit u rritën pasi Divock Origi ‘shpërtheu’ duke e shënuar golin e epërsisë.

Atmosferë e njejtë mbretëronte edhe në kafenenë e lartëcekur në Beograd, ku mediumi serb, “Telegraf.rs” e vështronte situatën

Sipas mediumit serb, tifozët e Liverpoolit në Beograd nuk u ndalën asnjëherë duke kënduar dhe se pinin vazhdimisht birra.

Te dy-golëshi i mesfushorit, Gini Wijnaldum ishte atmosfera paksa më interesante.

Te goli i dytë i Wijnaldum, Xherdan Shaqiri, mesfushori nga Kosova asistoi për holandezin dhe ky asistim gëzoi tifozët e Liverpoolit, të cilët kanë simpati për shqiptarin nga Kosova, i cili ‘iritoi’ serbët me shqiponjën dy-krenare pas golit ndaj Kombëtares serbe në Kampionatin Botëror në Rusi.

“Ne u befasuam kur dëgjuam se si tifozët serb e thërrisnin ‘Shaqiri’, Shaqiri’ dhe pastaj kishte një këngë për të kur ai u shfaq në ekran”, shkruan tutje “Telegraf.rs”.

“Gjilani është zemra e Serbisë”, filluan thirrjet e tifozëve të Liverpoolit, duke aluduar në faktin se Shaqiri ka lindur në këtë qytet të Kosovës.

Në fund, kur Origi shënoi golin e katërt, gëzimi veçse u shtua në kampin e tifozëve serb të Liverpoolit.

Kur ndeshja përfundoi dhe u mbyllën kafenetë, tifozët filluan me himnin “ju kurrë nuk do të ecni vetëm”.

Për fund, mediumi serb shkruan: “Mbetet të shihet nëse tifozët e Liverpoolit janë të gatshëm ta harrojnë armiqësinë ndaj Shaqirit”.

The post Tifozët serb të Liverpoolit në Beograd brohoritën emrin e Shaqirit appeared first on Gazeta Online INSAJDERI.

Alesia Bami