Thaçi ‘shuplakë’ Haradinajt nga Brukseli
16:07 | 24 Qershor 2018

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Bruksel për fazën finale të dialogut me Serbinë, para takimit me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq, ka folur edhe për demarkacionin me Malin e Zi.

I pyetur nga DW nëse Asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive ashtu siç po deklarojnë opozitarët, Thaçi ka thënë se kritika ka pasur edhe rreth marrëveshjes së demarkacionit, porse ajo është votuar në fund.

Me këtë rast, kreu i shtetit ka goditur indirekt kryeministrin Ramush Haradinaj, duke thënë se Demarkacionin e votuan edhe kundërshtarët më të mëdhenj. Ndërkohë, prej atyre që votuan “pro” kësaj marrëveshjeje më 21 mars, ishte pikërisht Haradinaj, i cili kishte protestuar bashkë me partitë opozitare në kundërshtim të marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

“I kuptoj zërat kritikë, opinione të tilla ka pasur edhe më herët sa i përket demarkacionit, por në fund të gjithë u pajtuan se marrëveshja ishte e drejtë, e saktë dhe e votuan, madje edhe kundërshtarët më të mëdhenj. Ky ishte një reflektim i pjekurisë së lidershipit kosovar”, deklaroi Thaçi pak para fillimit të takimit me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq.

Ai tutje, u shpreh i bindur se Asociacioni do të formohet në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, ndonëse sot nis faza finale e negociatave me Serbinë, spektri politik në Kosovë nuk ka arritur ndonjë konsensus rreth kësaj çështjeje.

Rashel Kolaneci
S