Thaçi: Pa marrëveshje mbi kufijtë, s’ka të ardhme evropiane për Kosovën e Serbinë
16:42 | 12 Tetor 2018

Në një intervistë për “France 24”, Thaçi është shprehur se marrëveshja do të nënshkruhet vetëm atëherë kur të marrë garancinë se e njëjta do të përfshijë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia, transmeton lajmi.net.

“Kur BE-ja edhe SHBA-të garantojnë se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, atëherë do të nënshkruaj marrëveshjen e paqes mes të dy vendeve”, ka thënë ai.

Tutje, Thaçi ka thënë se marrëveshja mes dy vendeve do të garantojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe se një gjë e tillë sipas tij do të parandalojë edhe ndarjen.

“Marrëveshja do të përfshijë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e cila do të parandalojë ndarjen e Kosovës dhe formimin  Republikës Serbe në Kosovë. Mundësia e vetme pas këtyre viteve konflikt do të ishte një zgjidhje racionale mes dy vendeve. Nëse të dy vendet pajtohen për demarkimin e kufirit, askush nuk mund të dalë kundër kësaj. Ata që flasin për hapjen e Kutisë së Pandorës me këtë rast nuk mund të propozojnë një zgjidhje të qëndrueshme”, ka thënë tutje ai.

Thaçi ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB, proces për të cilin ka thënë se ka sinjale pozitive edhe nga Rusia se do ta tërheqë veton në rast të arritjes së marrëveshjes me Serbinë. /Lajmi.net/

Aurela Hoxha