Thaçi: Ekstremistët duan të na prishin me Amerikën

0

Që prej shpalljes së pavarësisë, në shkurt të vitit 2008, Kosovën e kanë njohur 108 shtete. Kjo është një temë që sa herë hapet – lidershipi kosovar goditet me kritika për paaftësi në sigurim të më shumë njohjeve.

Por, Hashim Thaçi, i cili pas koalicionit PDK-LDK ka marrë në duar drejtimin e diplomacisë kosovare, një muaj më parë, thotë se nuk është ithtar i numërimit të njohjeve si një matës i suksesit diplomatik. Ai pohon se deri sa caku është arritja e dy të tretave të anëtarëve të OKB’së, veprimet diplomatike duhen zgjeruar edhe përtej njohjeve.

E njohjet, nuk janë e vetmja sfidë e politikës së jashtme. Vendi vazhdon të mbetet i izoluar, një numër shqetësues qytetarësh kosovarë janë shndërruar në lajmin kryesor për shkak të emigrimit ilegal, imazhi ndërkombëtar ka filluar të lëndohet nga ekstremizmi, ndërsa një proces kundër ish krerëve të UÇK’së që lidhet me dyshime për krime lufte pritet të nisë së shpejti pas krijimit të Gjykatës Speciale.

Për të gjitha këto, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë përgjigjet e tij, në një intervistë për Politiko.net
Thaçi thotë se prioritetet e politikës së jashtme nuk mund të ndahen prioritetet në numra të thjeshtë.

Shumë gjëra janë prioritare në politikën e jashtme të Kosovës. Natyrisht, drejtimi është një dhe i vetmi – Kosova si anëtare e BE’së dhe NATO’s, e integruar në shoqërinë, ekonominë dhe sistemin e sigurisë euro-atlantike. Që kjo të ndodhë, ne duhet të angazhohemi paralelisht në shumë drejtime.

Sa i përket liberalizimit të vizave Thaci thotë se edhe më herët se “Kosova ka përmbushur më shumë kushte teknike se i tërë rajoni dhe ne shumë vite më parë kemi filluar unilateralisht të zbatojmë udhërrëfyesin për liberalizim.

Detyra jonë, e qeverisë, kuvendit, komunave – është të zhdukim çfarëdo arsyetimi apo justifikimi që shtetet anëtare të zonës Shengen mund ta kenë ndaj Kosovës. Se kur këto shtete vendosin pastaj është çështje e hapur. Ka gjasa më 2015 e mund të ndodhë me 2016. Çfarëdo vonese e paarsyeshme krijon situata shumë të pafavorshme për përkrahësit e Europës në Kosovë. Vonesat e Brukselit po ndihmojnë vetëm klanet mafioze që dëshirojnë të operojnë jashtë kornizave europiane si dhe ekstremistët që urrejnë civilizimit perëndimor, ngase dikush me të drejtë mund të shtrojë krimbin e dyshimit se a po bëhet zona Shengen raciste apo mospërfillëse ndaj një Kosove të vogël që nuk paraqet rrezik për askënd në Europë.”

Sa i përket ekstremizmit, në pyetjen e Politiko.net se kush po na çon drejt ekstremizmit: Varfëria, bindjet fetare, ndërhyrjet nga jashtë, Ministri Hashim Thaçi thotë: “Ekstremizmi fetar është fenomen shumë kompleks. Shumë njerëz me shkollim të ultë dhe gjendje të keqe materiale ndikohen më lehtë nga ekstremistët dhe propaganda e fëlliqur e tyre. Propaguesit e ekstremizmit fetar, përfshi disa imamë, marrin shuma marramendëse nga kanale të ndryshme në një anë dhe jetojnë një jetë luksi amoral, por në anën tjetër po gënjejnë të varfrit me ekstremizëm fetar.

Por, ne kemi pasur edhe raste të terroristëve kosovarë të dyshuar që po luftojnë në Siri që kanë prejardhjen nga familje të pasura, që kanë fakultete të përfunduara dhe që kanë pasur vende stabile të punës. Shumë prej tyre janë indoktrinuar nga rrjetet sociale dhe nga predikimet në internet. Kosova si shtet me popullsi shumicë myslimane, por me rend kushtetues laik dhe me prirje të qarta pro-europiane, është halë në sy e atyre që nuk durojnë stilin tonë të jetesës – dhe aty kemi bashkëpunim midis klero-nacionalistëve serbë dhe ekstremistëve myslimanë.

Që të dy palët ëndërrojnë të na prishin me aleatin historik dhe partnerin strategjik Amerikën. Ju e dini që ne kemi refuzuar me vendosmëri më 1998-99 çfarëdo roli të vullnetarëve ekstremistë nga Lindja e Mesme në UÇK. Kemi kundërshtuar tendencat e njollosjes së luftës tonë përpara dhe do të kundërshtojmë njollosjen e Kosovës sot nga ekstremistët fetarë. Edhe grupet ekstremiste djathtiste serbe edhe fanatikët islamikë të inspiruar nga ngjarjet në Lindje të Mesme, dëshirojnë dëmtimin e Kosovës dhe aleancës tonë me Amerikë, se ne jemi dëshmi e gjallë që diversiteti dhe toleranca fetare mund t’u mbijetojnë tendencave për gjenocid dhe shkatërrim të një populli.”

Në pyetjen se a pajtohet Thaci me Jahjagën që vendit i duhet një President Neutral, e jo një Politik, përgjigja është:

”Kosovës i nevojitet një President me legjitimitet qytetar i cili do të mund të përfaqësonte unitetin e popullit që përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti i suksesshëm duhet te jetë me legjitimitet të fituar qytetar dhe legalitet në Kuvend të Kosovës.

Po ashtu, Kosovës i duhet një President që respekton Kushtetutën dhe mbron ligjshmërinë – dhe në këtë detyrë uroj Presidenten Jahjaga për punën dhe dedikimin e saj. Besoj se edhe ky vit i mbetur i Presidentes Jahjaga do ta dëshmojë se ka pasur një Presidencë të respektuar dhe të njohur ndërkombëtarisht.”

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com