Thaçi beson se Shqipëria nuk do të jetë kundër bashkimit të Kosovës me Luginën
11:20 | 08 Gusht 2018

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se bashkimi me Preshevën nuk ka lidhje me ndarjen apo shkëmbimin e territoreve.

Ai, në një bisedë me Top Channel, thotë se nuk ka komunikuar me autoritetet e Tiranës, por beson se Shqipëria nuk do të jetë kundër vullnetit të qytetarëve të Preshevës.

Tch: Zoti Thaçi, ju prej ditësh po artikuloni tezën e korrigjimit të kufijve. Ku ndryshon teza juaj nga ndarja e Kosovës dhe shkëmbimi i territorit?

Thaçi: Në asnjë rrethanë nuk mund të lejohet ndarja e Kosovës apo shkëmbimi i territoreve pasi ajo është një ide e vjetër e Serbisë. Kërkesë historike kjo e Serbisë. Ndërsa unë shoh mundësi në kuadër të korrigjimit të kufirit, rreth 400 km, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja t’i bashkohen Republikës së Kosovës. Mendoj se kjo kërkesë është krejt legjitime, e arsyeshme, historike, e vullnetit të qytetarëve. Idetë e ndarjes, janë ide që në asnjë rrethanë nuk mund të vihen në jetë nga askush në Kosovë.

Tch: A mendoni se edhe Beogradi do të kërkojë edhe bashkimin e Mitrovicës së Veriut me Serbinë?

Thaçi: Në tavolinën time kam kërkesën e institucionalizuar të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkangjitje me Kosovën. Por në asnjë rrethanë nuk do të lejohet shkëmbi territoresh. Qytetarët e Preshevës e kanë dhënë vullnetin e tyre me referendumin e 1992 për bashkëngjitje me Kosovën. Kjo është një e drejtë historike, legjitime. Qytetarët në Kosovë e pranojnë masivisht këtë ide, këtë projekt.

Tch: Pse mendoni që Serbia mund ta pranojë këtë kërkesë të Kosovës për bashkim të Luginës së Preshevës?

Thaçi: Kjo është një e drejtë e deklaruar nga qytetarët e Luginës së Preshevës. Kërkesat e të drejtave të njeriut janë të pamjaftueshme për ta. Kërkesa është legjitime dhe realizueshme në mënyrë paqësore me Serbinë. Nëse do të ndodhë kjo, askush nuk do të jetë kundër, as SHBA, as NATO, e as BE.

Tch: A keni mbështetjen e SHBA dhe BE?

Thaçi: Nëse do ketë një marrëveshje dypalëshe, askush nuk do të jetë kundër. Para dy vitesh edhe vendet e BE, Belgjika dhe Holanda rishikuan dhe ndryshuan në mënyrë paqësore vijën kufitare.

Tch: A ka dakordim me Tiranë për tezën tuaj të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën? Pasi deri tani nuk kemi deklarata publike të Presidentit, kryeministrit, apo të Ministrisë së Jashtme për këtë çështje.

Thaçi: Ende nuk kam biseduar në mënyrë zyrtare me autoritetet shqiptare. Por nuk dua të besoj se Shqipëria do të jetë në pozicionin kundër vullnetit të qytetarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Mbes me shpresë se Shqipëria do të pozicionohet në favor të drejtave të tyre.

Tch: Tani që po diskutohet bashkimi i Preshevës me Kosovën, a mendoni se i hap rrugë asaj që është diskutuar prej vitesh bashkimit të Kosovës me Shqipërinë? A druheni se do të hapet edhe ky diskutim, nëse kjo ndodh?

Thaçi: Vullneti i qytetarëve të Kosovës është i deklaruar për të ardhmen euro-atlantike. Ky është edhe vizioni ynë. Që Kosova t’i bashkohet NATO-s dhe BE.

Tch: Duket se Kryeministrin Haradinaj dhe kreun e Kuvendit Veseli, nuk i keni në të njëjtën linjë në këtë çështje?

Thaçi: Jam në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet e Kosovës, ne jemi për një proces paqësor. As Haradianj, e as Veseli nuk janë kundër të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përkundrazi janë mbështetës të fortë të aspiratës së tyre.

Tch: Përmes një statusi në Facebook i jeni kundërpërgjigjur ashpër edhe ish-kryeministrit Berisha për rolin e tij në historinë e së shkuarës në raport me Kosovën.

Thaçi: Unë nuk i jam përgjigjur askujt, kam dhënë opinionet e mia për zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Me të gjithë presidentët, duke filluar nga bisedimet në vitin 1991 me Ramiz Alinë, deri më sot me Ilir Metën; edhe me kryeministrat duke filluar me Fatos Nanon në vitet 1991-1992 e deri sot me Edi Ramën kam zhvilluar raporte korrekte, në transparencë të plotë dhe ruaj kujtimet më të mira për bashkëpunimin. Unë flas për fenomenet, jo për individët.

Tch: A mendoni, siç shprehen edhe disa analistë, se historia e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën hap “Kutinë e Pandorës” në Ballkan dhe do të ketë një efekt domino nëse ky bashkim ndodh?

Thaçi: Nëse ky bashkim ndodh në mënyrë paqësore, për çka unë angazhohem, atëherë nuk hap asnjë “Kuti Pandore”. Lexova disa opinione që bashkimi i Luginës me Kosovën fillon Luftën e Tretë Botërore, e marrëzira të tjera si kjo. Është vetëm një realizim i të drejtës së tyre dhe një korrigjim i historisë shqiptare.

Aurela Hoxha