Teknologjia shuan kujtimet

0

Thonë ajo flet sa një mijë fjalë. Të gjithë përmes saj kthehen pas në kohë e me nostalgji kujtojnë momentet më të rëndësishme nëpër të cilat kanë kaluar qofshin ato momente të lumtura apo dhe të hidhura.

aparatiFotografitë dikur trashëgoheshin e mbaheshin madje dhe në portofol. E të mos flasim për albumet e shumta familjare, që dikur numëroheshin pasuria më e madhe për një familje. Sot fotografitë në masën më të madhe të tyre ruhen në follderat e kompjuterëve apo në ndonjë CD, që jo dhe rrallë herë ndodh të fshihen a të humbin përgjithmonë.

“Fotografia është ngjarje. Nëse nuk ke fotografi, nuk ke histori”. Kështu vlerëson regjisori Bashkim Mula, i cili besohet të jetë fotografi më i vjetër në kryeqytet. Ai për 15 vjet me radhë punon në studion e tij të fotografisë. E kur flet për rëndësinë e fotografisë tregon se si viteve të fundit asaj po i humb kuptimi, ndërsa albumet po vdesin.

“Dhjetë viteve të fundit me zëvendësimin e aparatit me film në atë digjital, fotografia si letër e shtypur po zhduket dita-ditës. Mund të them që 90 për qind ka rënë shtypja e fotografisë. Derisa më herët të kesh një aparat filmik ishte diçka e madhe, tani aparat digjital ka çdo kush dhe përmes tij njerëzit kanë mundësi të shkrepin me mijëra fotografi në ditë e të zgjedhin të preferuat, mundësi kjo që nuk ta ka dhënë aparati filmik. Por me aparatin filmik ishte madhështia e fotografive”, tha më tej ai, shkruan Tribuna.

Fotografia si medium nuk çmohet

Fotografi i njohur kosovar Hazir Reka në anën tjetër tregon se si njerëzit e sidomos moshat e reja po rrezikojnë të humbin kujtime nga jeta e tyre. E krejt kjo sipas Rekës vjen si pasojë e pakujdesisë në ruajtjen e fotografive.
“Fotografitë flasin shumë. Unë çdo fotografi që shkrepi e printoj. Mirëpo kjo nuk ndodh dhe me shumicën e njerëzve, sidomos me të rinjtë. Ata duke mos ditur rëndësinë e fotografisë sepse më shumë ato i bëjnë për rrjete sociale, nga moskujdesi dhe mos printimi i tyre, shpesh përfundojnë pas disa muajsh pa i pasur ato”, tha fotografi Reka.

“Njerëzit çdo ditë bëjnë foto dhe shumë nga to i hedhin në rrjete sociale sepse kanë dëshirë të ndajnë kënaqësinë e fotos me të tjerë njëkohësisht. Por ky trend i shpërndarjes së fotove në internet po rezulton me vdekjen e albumit të fotografive”, sqaroi më tej ai.
Keqardhje për humbjen e kujtimeve më të mira, të cilat mund të ruheshin përmes fotografisë shpreh edhe fotografi i ri Jetmir Idrizi. Ai thotë që fotografia tek ne në Kosovë me përvojat që ka nuk çmohet sa duhet pavarësisht asaj që është art e dokument në vete.

“Personalisht mendoj që tek ne fotografia si medium nuk çmohet aspak. Kur e them këtë nisem nga ajo se derisa në një event paguhen shuma të majme për një këngëtar që nuk performon madje as live, në anën tjetër puna e fotografit, i cili e dokumenton tërë at ngjarje, puna e tij paguhet me një çmim thuajse qesharak”. Në këtë mënyrë fotografi i ri e krahason edhe punën e fotografit në vend, për të cilën thotë se nuk vlerësohet, thotë Jetmiri.

Ndonëse në numër të vogël, janë të moshuarit ata që ende i qëndrojnë besnik fotografisë së shtypur. Ata duan që albumet e tyre të jenë të kompletuara e t’i shtyjnë ditët më to. Kështu thonë njohës të fotografisë e fotografët në vend.
Fotografi i pëlqen të bëjë edhe Granitit Rudait, një djalosh i ri nga Prishtina. E veç për vete, thotë se shumë shpesh shkrep fotoaparatin edhe për miqtë e tij.

“Për ditëlindjen time të shtatëmbëdhjetë nga axha kam marrë dhuratë një aparat digjital. Deri atë ditë në facebook kam pasur fotografi, por jo dhe shumë. Tani jo vetëm që kam me qindra fotografi, por dhe shokët e shoqet e mija kërkojnë t’ju bëjnë fotografi për facebook”, tha për Tribunën ai. Por, për rëndësinë e ruajtjes së fotografisë është i vetëdijshëm edhe ai. “Shumë prej fotografive më kanë humbur por mund të bëj dhe plot të tilla. Të tjerat i kam të shpërndara në kompjuter”, tregoi për fund Graniti.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com