Taksa për importet serbe bllokon dialogun në Bruksel
23:30 | 08 Nentor 2018

Takimi Thaçi- Vuçiq, që u ndërmjetësua nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, sërish ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje për shkak të taksës prej 10 për qind që Kosova ka vendosur ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.

I pari që foli pas takimit ishte presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili deklaroi se nuk do të këtë dialog me Kosovën derisa nuk tërhiqet taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës prej 10 për qind ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, shkruan lajmi.net.

“Serbia është e gatshme për dialog, por para saj dikush duhet të sillet me përgjegjësi. Duhet të përmbushë pjesën e vet – të mos kërcënojë serbët me dërgimin e ushtrisë. Mos të vendosë tarifa të reja. Nëse nuk e respektojnë një marrëveshje, si mund t’i respektojnë të tjera”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se nuk ka folur për shkëmbim territoresh asnjëherë, mirëpo do të vazhdojë dialogun për të parë se çfarë fiton Serbia nga ky proces.

“Ne do të diskutojmë shumë gjëra dhe të shohim çka do të fitojë Serbia dhe pasi të shohim çka fiton Serbia, pastaj do të shohim. Nuk kam folur për shkëmbim të territoreve, unë nuk s’kam folur për këtë. Të respektohen marrëveshjet. Sapo të fillojnë t’i përmbushin obligimet që i kanë nënshkruar para 10 vjetëve dhe 5 vjetëve, ne do të diskutojmë”.

Kurse, presidenti i vendit Hashim Thaçi, pas takimit ka thënë se, shteti i Serbisë në këtë takim ka përdoru diskurs agresiv dhe arrogant ndaj Kosovës, raporton lajmi.net.

“Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga Serbia ndërsa diskursi ynë ishte i argumenteve dhe i anës së drejtë për arritjen e një marrëveshje të balancuar që do të nënkuptonte njohjen reciproke dhe anëtarësimin në OKB dhe zëvendësimin e rezolutës 1244…..”, deklaroi ndër të tjera Thaçi, duke shtuar se është momenti i ballafaqimit ndaj kësaj ofanzive dhe pengese të Serbisë që sipas tij, është Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, është shprehur i rezervuar për këtë proces dhe se ka thënë që ky proces është mjaft i vështirë, por që sipas tij, Kosova duhet të punojë që të përfundoj ky proces i dialogut.

Ndërsa, në një komunikatë të Federica Mogherinit për media thuhet se Bashkimi Evropian pret që Prishtina dhe Beogradi të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë që ka dialogu me normalizimin e raporteve ndërmjet tyre dhe perspektivës konkrete të aspiratave të tyre evropiane.

“Bashkimi Evropian pret që Serbia dhe Kosova të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë që ka dialogu me normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve dhe aspiratat e tyre për BE.” u shpreh Mogherini në një komunikatë për media pas takimit.

Në diskutimet e saj me dy presidentët, Mogherini theksoi nevojën që dy shtetet kanë për të siguruar një mjedis të favorshëm për dialogun dhe të përmbahen nga fjalët, veprimet dhe masat që janë në kundërshtim me frymën e normalizimit të marrëdhënieve. /Lajmi.net/

Alesia Bami