Takimi i papritur, Obama, Trump dhe Jong Un (Video)
14:14 | 08 Prill 2017

Hong Kongu ka mbledhur bashkë imituesit e tre figurave botërore: presidentit amerikan Donald Trump, ish-presidentit Barack Obama dhe udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong un. Personazhet e vërtetë nuk e durojnë dot njëri-tjetrin, por imituesit merren vesh shumë mirë mes tyre. Ata kanë shkaktuar të qeshura dhe kaos në rrugët e qytetit, ku trafiku u bllokua e njerëzit ndalonin për të bërë foto me treshen e rrallë. Reggie Brown, që i shfaqet publikut si Barack Obama, mban një palë veshë protezë të bërë sipas masës së tij. Dashuria që i shfaqin njerëzit e ngazëllen pa masë. “Mendoj se botës po i mungon tani Barack Obama. Është një ndjesi e mirë të punosh pas largimit të tij nga posti dhe të gjithë administratës së mëparshme që sot është zëvendësuar nga një e re. Them se globit i mungon ai si president”, shprehet Brown. Interesant është edhe Kimi australian, i cili vjen nën mimikën e Howard X. “Ështe nder i madh për mua të ulem mes Obamës dhe Donald Trumpit. Si lider i madh jua them, si lideri më i madh”, thotë Howard X. Në rolin e shefit të Shtëpisë së Bardhë është vënë muzikanti 66-vjeçar Dennis Allen. “Njerëzit ma thonë prej vitesh që i ngjaj, por unë vazhdoj ta them me të madhe: nuk jam Donald Trumpi. Megjithatë e përdora ngjashmërinë me të për t’i bërë njerëzit të qeshin. Nuk ka shumë rëndësi nëse kritikat ndaj Trumpit janë të vërteta apo jo, ai si personazh ngjall goxha humor dhe prandaj më pëlqen ta imitoj”, thotë Allen. Imituesit profesionistë ishin paguar të shkonin në Hong Kong nga organizatorët e eventit Rugby Sevens.
Aurela Hoxha
S