Tahiri porosit Vucicin: Ka kaluar koha e kërcënimeve

0

Tahiri porosit Vucicin: Ka kaluar koha e kërcënimeve

Pavarësisht deklarimeve të palës kosovare se me anë të dialogut në Bruksel do të arrihen marrëveshje që sigurojnë paqe me shtetin serb, zyrtarë të Serbisë, vazhdojnë të japin deklarata kërcënuese. Ndërsa , zv/kryeministrja, Edita Tahiri, e ka porositur kryeministrin serb, Aleksandar Vucic se ka kaluar koha e kërcënimeve.

Deklarata e djeshme e kryeministrit serb, Aleksandar Vucic, sipas të cilit xhandarmëria serbe nuk do të paralajmërojë më askënd por do të gjuajë këdo që kalon vijën kufitare, ka nxitur reagime në Kosovë.

Kryenegociatorja dhe zv/kryeministrja, Edita Tahiri kërkon nga shefi i qeverisë së Serbisë, të sqarojë deklaratën, duke kërkuar nga ai përgjigje nëse e kishte fjalën për kalimet ilegale apo për qarkullim të lirë, pasi që kjo e fundit, sipas Tahirit, tanimë është pjesë e marrëveshje së firmosur në Bruksel.

“Nuk është hera e parë që zyrtarë serbë bëjnë shmangie nga politikat e fqinjësisë së mirë. Mirëpo unë do ta porosisja Vucicin që Serbia, duke qenë pretendente për BE, duhet të kryejë një reformë e mendësisë, por edhe e udhëheqjes politike në qëndrime dhe deklarata, sepse ka kaluar koha e kërcënimeve”, tha për RTK, Edita Tahiri.

Sa i përket demarkacionit të kufirit ndërshtetëror, Tahiri ka bërë të ditur se tanimë Kosova si pikë kryesore për fazën e tretë të bisedimeve në Bruksel, mes tjerash e ka edhe këtë çështje.

‘Demarkacioni i kufirit ndërshtetëror është paraparë të shqyrtohet në fazën e tretë të dialogut”, tha ajo.

Kryenegociatorja Tahiri shtoi se Kosova do të vazhdojë t’’i respektojë marrëveshjet e Brukselit duke përfshirë edhe fqinjësinë e mirë me Serbinë, ndonëse siç tha ajo është e qartë që Serbisë i duhet shumë për të bërë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. /RTK/Telegrafi/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com