Tahiri: Do të kujdesemi maksimalisht për të kthyerit nga Siria, SHBA-të rol kyç në kthimin e tyre
10:42 | 20 Prill 2019

“Nga tetori i vitit të kaluar kam qenë i ngarkuar të udhëheq këtë taskforcë nga kryeministri Haradinaj që përfshinë Policinë e Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të tjera”, tha Tahiri.

“Vendimi për kthimin e tyre është marrë në bashkëpunim me aleatët dhe institucionet vendore të sigurisë”.

“Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë mjaft i rëndësishëm në këtë proces dhe shteteve tjera sigurisht për përfundimin me sukses të këtij operacioni. Por për shkak të sensitivitetit nuk mund të lëshohemi në detaje, por pa përkrahjen e SHBA-ve ky operacion nuk do të mund të realizohej”

Ministri Tahiri gjithashtu ka vënë në dukje se të gjithë ata që janë të dyshuar për pjesëmarrje në grupime terroriste, luftë apo pjesëtarë këtyre organizatave do të trajtohen sipas ligjit.

Gjithashtu, Tahiri theksoi se nuk është arritur të kthehen që të gjithë për shkak të situatës në zonat e luftës atje.

“Nuk do të lejojmë që qytetarët tanë të kthehen në rrezik për perëndimin dhe miqtë tanë”, tha Tahiri.

“Asgjë nuk do t’i mbetet rastësisë dhe të gjitha institucionet do të jenë të angazhuara që këta qytetarë të rehabilitohen”.

Ministri Tahiri po ashtu ka garantuar angazhim të plotë të të gjitha institucioneve dhe ministrive përkatëse që të sigurohet shëndeti dhe risocializimi i të kthyerve nga Siria.

Ai gjithashtu shtoi se këta qytetarë të Kosovës e sidomos fëmijët kanë përjetuar një eksperiencë të tmerrshme në zonat e luftës dhe do të kenë nevojë për kujdesje.

Në fund ministri tha se ky ka qenë një angazhim i përbashkët i aleancës për luftë kundër terrorizmit. /Lajmi.net/ 

Alesia Bami