Sot nis kthimi i shqiptarëve në atdhe, rrugën do e paguajnë vetë

0

Pas paralajmërimeve dhe urdhrit të prerë për ndaljen e hyrjes së azilkërkuesve ekonomikë drejt Gjermanisë, Berlini këtë herë ka ashpërsuar gjuhën dhe ka marrë vendim për rikthimin e tyre në vendet përkatëse. 

azilantet

Gjermania ka dhënë ultimatumin e qartë se nuk pranon azil ekonomik dhe askush mos të ndërmarrë asnjë hap, që të lënë shtëpitë e tyre, pasi do kthehen mbrapsht me sanksione të ashpra mbi kurriz. Në këto kushte, ambasada gjermane ka paralajmëruar se, sot nis rikthimi i shqiptarëve në atdhe dhe se rrugën do e paguajnë vetë. Pra, ndërsa shumë familje shqiptare i janë drejtuar Gjermanisë me shpresën për të përfituar azil ekonomik, Berlini zyrtar jep përgjigje të qartë: Nuk ka azil ekonomik!.

Ambasada gjermane në Tiranë thotë se të mërkurën dhe të enjten do të kthehen në atdhe me dy avionë charter 195 azilkërkues shqiptarë. 70 prej tyre janë dënuar nga Gjermania pasi kanë shkelur rregullat e qëndrimit, ndërsa 125 shqiptarë të tjerë do të kthehen vullnetarisht. Në kuadër të marrëveshjes së arritur me Shqipërinë për përshpejtimin e shqyrtimit të kërkesave të azilantëve shqiptarë, pritet që brenda gushtit të jene kthyer në atdhe të gjithë personat që kanë aplikuar për azil ekonomik. Shpenzimet Ambasada gjermane sqaron në njoftimin e saj zyrtar, se shpenzimet për kthimin në atdhe duhet t‘i paguajnë vetë azilkërkuesit, pasi bileta e avionit dhe shpenzimet e tjera të udhëtimit drejt Shqipërisë, janë më të mëdha se ndihma që marrin azilkërkuesit në Gjermani.

“Të mërkurën ora 15.50 mbërrin në aeroportin “Nënë Tereza” nga Kasseli (Hessen) një avion charter me një numër prej 70 shqiptarësh të dëbuar. Të enjten ora 13:00 mbërrin në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë një tjetër avion charter me një numër prej 125 persona, të cilët do të kthehen vullnetarisht”, thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane. Berlini: Mos i shisni shtëpitë Berlini ka apeluar në drejtim të atyre që kërkojnë azil ekonomik, që të mos i shesin shtëpitë për të paguar kontrabandistët, pasi do kthehen duarbosh.

Nënkryetari i Partisë Unioni Demokratik Kristian (CDU) në Gjermani, Thomas Strobl, është shprehur se numri i azilkërkuesve po i kalon limitet. Duke folur për shqiptarët, ai tha se arsyet e tyre nuk janë të mjaftueshme sa për të lënë vendin e për të udhëtuar në Gjermani. “Ata janë të kënaqur me 140 euro para xhepi. Prandaj është e nevojshme që të zvogëlojmë ndihmat financiare për këta refugjatë”, është shprehur ai. Nënkryetari i CDU-së tha se nëse më parë 300 njerëz vinin në një muaj, tani vijnë 300 në ditë në Gjermani.

“Për njerëzit që fluturojnë nga Siria apo Iraku Verior, për të shmangur luftën civile, torturat, vrasjet dhe përdhunimet, e shohim si një lloj detyre që t’i ofrojmë azil. Por për refugjatët që vijnë nga Ballkani Perëndimor, me gjithë kuptimin e situatës së vështirë ekonomike në të cilën ndodhen, aplikimi për azil nuk është zgjidhja e duhur”, u shpreh ai.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com