4 Kor, 2012 - 18:07
Nuk ka komente

Falënderimi i takon Allahut, i cili krijoi Tokën dhe qiejt, dhe mes tyre shfaqi dritën dhe errësirën, dalloi disa muaj nga disa të tjerë, e vlerësoi muajin Shaban me natën e beratit, Atë e falënderojmë dhe prej tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu prej te keqes të vetvetes dhe veprave tona të shëmtuara.

 Salatet, selamet qofshin për Muhamedin a. s. familjen e tij të pastër, shokët e tij fisnik dhe për të gjithë ata të cilët e kanë ndjekur apo do ta ndjekin rrugën e tij deri në fund.

 Të nderuar vëllezër dhe motra në islam sonte para nesh gjendet një natë e madhe dhe e bekuar, e cila quhet nata e Beratit. Në këtë natë shumë muslimanë gjejnë faljen dhe lirimin prej gjynaheve nga ana e All-llahut xh.sh., i arrijnë mirësitë dhe dhuntitë e Zotit dhe zemrat u mbushen me nur e dritë hyjnore. Fjala “berat” në gjuhën arabe do të thotë: të shpëtosh, të falesh e të lirohesh prej gjynaheve, fajeve dhe dënimeve.

 Është kjo natë e bekuar dhe e madhe ngase, sipas disa komentatorëve të Kur’anit, në këtë natë Kur’ani fisnik ka zbritur në formë të plotë nga qielli i shtatë në të parin, pra në qiellin e dynjasë, kurse në natën e Kadrit ka filluar t’i shpallet Pejgamberit a.s. në formë të shkallëshkallshme brenda 23 vjetëve. Këta komentatorë, për këtë mbështeten në ajetet e para të sures ed-Duhan që i lexuam në fillim të hutbes: “Ha.Mim. Pasha librin sqarues (të së drejtës nga e kota)! Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar. Vërtet që Ne gjithnjë po këshillojmë. Në atë natë zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë” (ed-Duhan:1-4). Në këtë natë të bekuar ka zbritur Kur’ani me të cilin Kur’an Zoti e këshillon dhe ia tërheq vërejtjen njerëzimit për gabimet dhe humbjen e mashtrimin që është duke e përjetuar. Është nata kur me dijen dhe gjykimin e All-llahut xh.sh. vendoset për të gjitha çështjet, si: vdekjet, lindjet, furnizimet, fatkeqësitë etj. për tërë vitin e ardhshëm.

 Edhe pse disa komentatorë të tjerë thonë se në këtë sure flitet për natën e Kadrit e jo të Beratit, për vlerën e madhe të saj që ka flasin edhe mjaft hadithe dhe sjellje të Pejgamberit a.s. Ai gjatë muajit Shaban, në të cilin gjendet edhe nata e Beratit, rregullisht mbante agjërim nafile. Kur e pyetnin se përse agjëronte kaq shumë në muajin Shaban, Ai përgjigjej: “Në këtë muaj punët dhe veprat tona ngrihen te Zoti i botëve. Unë dua që punët e mia t’i paraqiten Zotit duke qenë me agjërim në gojë” (Nesaiu, Sijam, 70).

 Ja edhe disa hadithe të tjera të Pejgamberit a.s. lidhur me madhështinë e kësaj nate: “Kur të vijë nata e 15 e muajit Shaban, kalojeni me ibadet dhe itaat Zotit, kurse ditën e 15 kalojeni me agjërim! Sepse atë natë Zoti me rahmetin e vet i shfaqet qiellit të dynjasë dhe thotë: ‘A ka kush pendohet sonte dhe Unë ta fali?, A ka kush kërkon rizk (furnizim e nafakë) sonte dhe Unë t’i jap?, A ka kush që është i sëmurë dhe kërkon prej Meje shërim e Unë t’i jap shëndet?, A ka kush kërkon diçka tjetër sonte e Unë t’i jap?’ Kështu vazhdon deri në agimin e ditës së nesërme”, (Ibni Maxhe, Ikame, 191).

 “S’ka dyshim se në natën e 15 të Shabanit Zoti zbret (në mënyrë të panjohur për ne) në qiellin më të afërt me tokën dhe fal gjynahet (ose gjynahqarët) qofshin ato më tepër se edhe qimet e dhenve të fisit Kelb” , (Tirmidhiu, Saum, 39).

 Këto ishin shkurtimisht të mirat dhe bekimet e kësaj nate madhështore. Është pra një natë, kur All-llahu xh.sh. me të madhe e lëshon rahmetin, mëshirën, rizkun, faljen e Vet dhe është nata kur ne duhet sinqerisht të pendohemi për gjunahet që i kemi bërë dhe që jemi duke i bërë e t’i drejtohemi Zotit me kërkesën për të na falë e të na pastrojë prej të gjitha ndyrësive të jetës së kësaj bote e të na ngrejë në shkallën ku shpirtrat tanë do të jenë të kënaqur me Zotin dhe ku edhe Zoti do të jetë i kënaqur me ne. Është nata kur ne duhet të vendosim t’i largohemi çdo të keqe që na çon në mosbesim (kufër), kur në duhet t’i harrojmë e t’i shuajmë ndjenjat e armiqësisë e të urrejtjes ndërmjet nesh si muslimanë, kur ne duhet t’i vizitojmë, të afrohemi e të pajtohemi me farefisin dhe akrabanë tonë, kur ne duhet ta shuajmë ndjenjën e krenarisë, të kibrit e të mendjemadhësisë dhe të stolisemi me kokultësi e respekt ndaj Zotit, Krijuesit tonë, kur ne duhet ta respektojmë e nderojmë babën dhe nënën tonë, kur përfundimisht ta braktisim alkoolin, zinanë dhe çdo gjunah tjetër të madh e të vogël. Sepse Pejgamberi a.s. në një hadith të tij thotë: “Në natën e Beratit Zoti ua fal gabimet të gjithë muslimanëve, përveç atij që merret me magji, atij që e ushqen ndjenjën e urrejtjes e të armiqësisë, atij që i ndërpret lidhjet farefisnore, atij që e kundërshton dhe nuk e dëgjon babën dhe nënën e vet dhe atij që është i dhënë pas alkoolit e zinasë”.

 Ne si qenie që nuk e dimë se kur do të vdesim dhe që për çdo ditë vetëm se po ngarkohemi me gjynahe të ndryshme, kjo natë dhe netët e ditët tjera të mëdha janë raste të volitshme kur mund të pendohemi, të bëhemi pishman e të kërkojmë falje për ato faje e gabime dhe ta vazhdojmë jetën ashtu siç dëshiron Zoti të na shohë dhe ashtu siç dëshirojmë ne të jemi të lumtur e të rehatshëm në këtë dhe në botën tjetër.

 Me hajr ju qoftë kjo natë dhe All-llahu xh.sh. na faltë të gjithëve për hir të kësaj nate, të muajit në të cilin gjendemi dhe për hir të Pejgamberit tonë të dashur Muhammed Mustafasë! AMIN!Bujanocinet

Comments are closed.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe perdorimi i gjuhes ofenduese. Bujanoci.Net mban te drejten e publikimit ose jo te nje komenti te caktuar. Permbajtja e komenteve nuk pasqyron, qendrim editorial te redaksise se portalit Bujanoci.net . Ju faleminderit per mirekuptimin!